Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

BB: 400 mln$ për TANAP në Turqi

Banka Botërore dhe “Botas” që është operatori turk i gazit, nënshkruan marrëveshjen e financimit të gazsjellësit “Trans-anatolian”, i njohur ndryshe si TANAP. Financimi kap vlerën e 400 milionë dollarëve.

Ky gazsjellës është mjaft i rëndësishëm për Europën pasi është ai me të cilin do të lidhet edhe gazsjellësi Trans-Adriatik. Të dy gazsjellësit do të bëjnë të mundur furnizimin me gaz, jo vetëm të Turqisë dhe Ballkanit, por edhe të një pjese të mirë të Europës perëndimore.

Do të jetë pikërisht Shqipëria që do të bëjë urën lidhëse me pjesën perëndimore të Europës. Marrëveshja me Bankën Botërore vjen pas asaj të arritur në fund të vitit të kaluar me qeverinë e Azerbajxhanit për një vlerë të njëjtë, prej $400 milionë , për të financuar pjesën azere të projektit.

Ministri turk i energjisë, Berat Albayrak u shpreh se, marrëveshja ka një rëndësi të madhe, jo vetëm për tregun global të energjisë, por edhe për ekonominë turke.

Ai shtoi se, qeveria po punon për një paketë financimi prej $3 miliardë për këtë vit, dhe jo vetëm me Bankën Botërore. Edhe zëvendësi presidenti i Bankës Botërore për rajonin premtoi se $2.4 miliardë do të financohen nga institucione të tjera.

TANAP është pjesë e atij që njihet si korridori jugor i gazit. Kapaciteti fillestar i gazsjellësit do të jetë prej 16 miliardë metër kub, nga të cilat 6 miliardë do të shkojnë për tregun turk, dhe pjesa e mbetur, prej 10 miliardë, për në Greqi, Shqipëri, Itali e më gjerë, apo edhe Mal të Zi, pas ndërtimit të një tjetër gazsjellësi, që njihet me emrin adriatiko-jonian.

Scan Tv,  09.02.2017