Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Reforma në energji krijoi garanci për investitorët

Fjala e mbajtur në seancën parlamentare nga ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri

Flet ti për energjinë që po të dalin e-mailet se si shite asetin më të rëndësishëm kombëtar, po të dalin pazaret e disa viteve më parë. Flet ti për energjinë që je varrmihësi i sektorit elektroenergjetik shqiptar. Përmes privatizimit tënd të korruptuar, jo vetëm që shite asetet fizike në kundërshtim me çdo parim ndërkombëtar të privatizimit të sektorit të shpërndarjes por i shkaktove shtetit për shkak të veprimeve tua mbi 400 milion euro dëme të faktuara. Motivet e këtyre dëmeve po dalin qartë tashmë dhe po provohet se ka qenë një pazar nga prapa.

Çfarë do ti që flet për energjinë?! Gjatë viteve që ishe në qeveri, jo vetëm që e keqadministrove sektorin por në momentin që e morëm ne në vitin 2013, Buxheti i Shtetit gërryhej me mbi 200 milion USD për shkak të politikave tua. Kjo ndodhte për fat të keq pasi do duhej që ato para të shkonin për të mbuluar ato kontratat e rrugëve që i le rrugëve. Arsyeja e vërtetë pse ti falimentove financiarisht është pikërisht sektori i vdekur elektroenergjetik.

Çfarë do ti që flet për energjinë?! Bëre një vepër, një fantom energjetik në Vlorë dhe që sot shqiptarët vazhdojnë e paguajnë kostot e saj. Janë 120 milion dollarë të marra në kurriz të taksapaguesve shqiptarë dhe ne vazhdojmë paguajmë kostot. Vazhdojmë të kemi probleme me një termocentral i cili nuk ka as leverdi ekonomike dhe është shumë i vështirë që të vihet në punë. Shansi më i mirë për ta vënë atë në punë është ardhja e gazit në Shqipëri.

Çfarë do ti që flet për energjinë?! Harrove ato HEC-et që i lëshove në mënyrë kaotike dhe pa një model të qëndrueshëm ekonomik?! Kur erdhëm ne në pushtet kishin mbi 60 milion euro borxhe. Janë mbi 9 miliard lekë të cilat u shlyen për shkak të reformës sonë në sektorin energjitik. Çfarë do të thuash ti për energjinë?! Ti që sabotove projektin më të rëndësishëm kombëtar, linjën e interkonjeksionit dhe nuk ke turp e vjen këtu dhe thua e bllokon ky me Vuçiçin. Ishte qeveria Rama ajo e cila e bëri të mundur që ajo linjë të ndërtohet dhe pikërisht aleatët e tu, të cilëve ti ju dhe fjalën që nuk do të ndërtohej kurrë, janë ata që akoma e pengojnë vënien në funksion të asaj linje.

Çfarë do të thuash ti për energjinë kur mjafton të shikosh rezultatet e reformës së sotme se sa ka kontribuar sektori elektroenergjetik,  ndikimi tek Buxheti i Shtetit dhe në stabilitetin financiar të vendit. Energjetika është dështimi yt, megjithëse ti gjithçka e ndërtove tek ëndrra jote për superfuqi energjetike. Energjitika në fakt është simbol i dështimit tënd spektakolar dhe i zhytur në korrupsion sepse po dalin faktet përditë.

Ti ishe ai që edhe kur përmbyteshin nga shiu qytetarët e Shkodrës, ia vije faturën sektorit elektroenergjetik pasi nuk kishe para ti paguaje. Këtë e bëje edhe pse dëmet shkaktoheshin nga shkaqe të tjera dhe përgjigja duhet të vinte nga qeveria. Megjithatë, shqiptarët po e kuptojnë dhe shikojnë vet diferencën. Për ta nuk ka rëndësi se çfarë thotë ky njeri! Ky ka një shprehje që e dinë bashkëpunëtorët e tij, ky thotë nuk ka rëndësi gënjeshtra por se kush e thotë i pari. Djallëzinë e ka se ashtu ka çarë në jetë. Ky ka vetëm këtë veti që shpif, hedh gënjeshtra dhe kujton se do manipulojë mendjen e njerëzve për faktin se edhe ju jeni të pazotë si opozitë që akoma mbani shpresa tek kali i ngordhur Berisha, tashmë 72 vjeç.

Opozitë fatkeqe pasi nuk ka asnjë drejtim, ka një kryetar fiktiv, një kryetar që nuk bën asgjë dhe mes jush ju thotë çfarë do bëjmë, ne e kemi keq! Vetëm Saliu, shyqyr që është ai e na mban gjallë thotë kryetari juaj fiktiv. Unë e kam thënë edhe herë tjetër se është fatkeqësi për vendin kjo gjë pasi si qeveri mua do të më pëlqente që ju të jeni sa më shumë të zgërlaqur. Problemi në këtë rast është se ju po defaktorizoni opozitën në këtë vend, po krijoni një sistem asimetrik politik dhe fatkeqësisht i vetmi zëdhënës juaji që vazhdon shpif dhe ju mban peng është ky njeriu që vjen flet këtu, që dështimet e mëdha të tij në qeverisje do tani ti kthejë në suksese.

Po ta kishe negociuar mirë ti TAP-in zotëri, nuk do të merrnim ne 80 milion euro ekstra tani. E di që do të thotë e kam parashikuar unë, çfarë ke parashikuar ti?!  Ky është i vetmi njeri që vlerëson idenë, ideja ka rëndësi thotë dhe nuk ka rëndësi ai që e bën. Vetëm Sali Berisha thotë unë do mbahem mend për ide. Po mirë po ta jap të drejtën për ide, problemi është që nuk bëre asgjë! Siç kishe projekte të rrugëve që i le rrugëve edhe këto ide energjetike, i kishe ide të pabazuara në modele të qëndrueshme ekonomike, prandaj dështove.

Ndërkohë, meqë jemi tek ligji i energjive të rinovueshme mund të them se ky është një konfirmim tjetër, një nga paketat e fundit ligjore që konsolidon të gjithë reformën në sektorin elektroenergjetik. Një ligj që i vendos në baza të qëndrueshme të gjitha ato investime private që deri dje kishin qenë të gjitha në amulli, për shkak të mungesës së stabilitetit, prej mënyrës sesi ishin ndërtuar këto kontrata dhe mbi të gjitha për shkak të mungesës së likuiditetit financiar. Ku ka gjë më vrastare në ekonomi se të heqësh para, nuk garantohen kontratat dhe zhvillimet ekonomikë në letër. Letra, ide mund të hedhësh sa të duash por problemi është sa i bën ato. Ju keni shitur vetëm letra! Prodhuesit privat të energjisë tani po marrin para, po paguhen sepse u vendos rend në sektorin elektroenergjetik dhe ka likuiditetet.

Likuiditeti është çelësi që garanton investime. Likuiditeti garanton të gjithë kreditë bankare dhe është i vetmi çelës ku mund të ngrihen dhe e vetmja platformë ku mund të garantohen të gjitha investimet në energji. Çfarë po bëjmë me këtë ligj ne?! Po vendosim edhe një minimum të detyrueshëm likuid, jo si më përpara që prodhuesit e energjisë nuk dinin se çfarë do të ndodhte. Përkundrazi, po vendoset një minimum në këtë ligj i cili do ti mbrojë, megjithëse ka pasur rënie drastike të çmimeve dhe pavarësisht propagandës tuaj duke thënë që qeveria i ka vënë në pozita të vështira investitorët privat. Minimumi që garantohet me ligj i krijon mundësi bankave, institucioneve financiare që të bëjnë një parashikim konservator ekonomik. Kjo do të thotë që do të çlirohen investimet të reja, ashtu siç parashikohet edhe për diellin dhe erën. Po vazhdon procesi i dhënies së licencave për koncesionet tashmë eficiente, jo si koncesionet tuaja që treçereku nuk janë bërë dhe janë gënjeshtra ato që fliten këtu.

E di çfarë bëre ti me Devollin, meqë e parmende këtu?! Ti bëre një kontratë e cila nuk do të zbatohej po të mos kishim bërë ne ndërhyrjet e vitit 2014. E di pse?! Sepse ti izoloje rrethe të tëra, izoloje 70 mijë banorë dhe nuk i dhe zgjidhje. Përkundrazi! Thjesht bëre një projekt në letër i cili po mos bëhej ajo rruga nga Banja në Gramsh nuk do të bëhej hidrocentrali i Statkraftit ose do të bëhej duke përmbytur rrugën dhe duke lënë në izolim banorët e zonës. Çfarë bëmë ne? Negociuam siç duhet, kontribuam një pjesë nga Buxheti i Shtetit dhe mbi të gjitha e ulëm atë koston e rrugës që ti gjoja e kishe bëre në plan prej 60 e ca milion eurosh e cila nuk u bë fare në kohë. Përkundrazi, në momentin kur erdhi pika kritike e afateve koncesionare, i vetmi koncesion që keni bërë të suksesshëm edhe ai do të vihej në pikëpyetje.

Tani po bëhen hidrocentrale, po e ndjejnë të gjithë prodhuesit e energjisë që po marrin para dhe kjo është garancia e vetme për investime. Nga ana tjetër, si mund të flisni ju për dritat?! Si mund të flisni ju që shkaktuat aq dëme?! Si mund të flisni ju që gjunjëzuat vendin nga ana financiare për shkak të eksperimenteve tuaja energjetike?! Po ka një sektor që ju duhet të ulni kokën, të rrini squk dhe të thoni që ka qenë dështimi jonë më i madh ai është sektori elektroenergjetik. Përkundrazi, ju dhimbjen e ktheni në forcë me parimet e Enverit, “ta kthejmë, dhimbjen në forcë. Humbjen tua lëmë këtyre”.

A e keni lexuar raportet ndërkombëtare?! Çfarë thonë raportet ndërkombëtare? Lexo Bankën Botërore, lexo Fondin Monetar Ndërkombëtar çfarë thotë për sektorin energjetik, çfarë vlerësimesh ka dhënë. Ja çfarë ka thënë Standard & Poor’s: Reforma në sektorin elektroenergjetik ka qenë e suksesshme, ka dhënë mundësinë e konsolidimit fiskal. A e dini që sot sektori elektroenergjetik jep mbi 20 përqind  të të ardhurave tatimore. A e kuptoni se është kthyer në një sektor pagues, kur deri dje ishte gropë.

Flisni ju për abuzim me CEZ-in kur ju jeni ata që bëtë pazare me ta! I sollët në Shqipëri, i zhvatët dhe kur ju prishën pazaret e fundit, i përzutë dukë i vënë edhe zjarrin me idenë që do të zhdukni gjurmët. Gjërat dalin dhe shumë mirë që po vazhdon ai komision, le të dalin dhe faktet. Do të vijë dita që ai zotëria do të kapet një ditë, Nue Kalaj. Se ju ka dalë njeriu tani, një ditë do kapet por kur të kapet, ai do të flasë. Do të nxjerrë të dhënat ai ose i shkreti do ta mbajë të gjithën në kurriz dhe le të shkojë aty ku e ka vendin për të shkuar. Por do duhet ta mbajë të gjithën në kurriz, t’ju justifikojë 7 milion euro se ku kanë vajtur. Ai iku, se kështu e ka, hedh akuzën dhe ikën. Mos kini guximin të dilni këtu për gjëra që turpëroni veten dhe shqiptarët me ato që keni bërë. Ti që qesh nuk ke ndonjë ide për këtë se ta kam thënë unë, ti ke atë tenderin, si ajo kripë- sheqer se ka qenë një estradë. Po të të përmendësh tender ty, ti kërcen se je deputet tenderi. Deputet që objektivin e ka si të kthehem e të bëjë tendera.

Faleminderit!

energjia.al  06.02.2017