Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Statusi i naftëtarit, premtim i mbajtur

Në seancën e rradhës parlamentare, miratuam Statusin e Naftëtarit duke mbajtur kështu një premtim të rëndësishëm elektoral. Numri i përfituesve të këtij statusi llogariten rreth 5 mijë vetë ndërsa përfitues të pensionit në vitin e parë si rezultat i uljes së moshës së pensionit me pesë vjet llogaritet afërsisht 2 mijë persona. Përmes këtij projektligji parashikohet dhënia e disa përfitimeve financiare në favor të këtyre punonjësve të tilla si:

Së pari, pagat e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit do te përcaktohet sipas kontratës kolektive të punës, e cila nuk mund të jetë më e ulët se 150 % e pagës minimale në shkallë vendi dhe do të reflektojë të gjitha detyrimet e Kodit të Punës si dhe vështirësitë e veçanta që ka puna në këtë industri dhe ndikimin në shëndetin në punë, sipas aktiviteteve të punës;

Së dyti, mosha e daljes në pension përcaktohet në 60 vjeç për burrat që kanë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se 20 vjet në këtë industri dhe për gratë 55 vjeç dhe që kanë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se 15 vjet në këtë industri; Bëjnë përjashtim, personat që kanë kryer punë si operator (përgjegjës kyçi) dhe ndihmësoperator (punëtor pastrimi), traktorist në brigadat e remontit nëntokësor të puseve të naftës e të gazit, kryesondator, pontist dhe punëtor i kyçit në shpimin e puseve të kërkimit dhe të zhvillimit të vendburimeve, punonjës në repartet e koksit të rafinerive të naftës dhe punëtorët e pastrimit të  brendshëm të rezervuarëve, depove dhe cisternave të naftës në industrinë e përpunimit të naftës dhe gazit. Mosha e daljes në pension për këta persona është 55 vjeç për burrat dhe 50 vjeç për gratë dhe me periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë për burrat dhe 25 vjet e më shumë për gratë dhe vjetërsi në këto profesione sa gjysma e vjetërsisë së përgjithshme.

Së treti, personat që gezojnë këtë status do të përfitojnë shtesë pensioni në masën 1% për çdo vit pune por jo më shumë se 40% të pensionit të pleqërisë;

Së katërti, personat të cilat e gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që kanë vjetërsi pune burrat mbi 20 vjet dhe gratë mbi 15 vjet në këtë industri dhe që janë të papunë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, përveç përparësisë në ripunësim, kanë të drejtën e përfitimit financiar sipas kushteve dhe proçedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, i cili, në asnjë, rast nuk mund të jetë më i vogël se 80% e pagës minimale në shkallë vendi;

Së pesti, personat që gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që dalin të papunë si rezultat i ristrukturimit të kompanive apo humbjes së vendit të punës për shkaqe që nuk lidhen me ta, gëzojnë përparësinë në punësim dhe përfitojnë nga punëdhënësi një shpërblim në masë dhe kohëzgjatje, sipas përcaktimeve të kontratës kolektive të punës, por jo më pak se 80% ë pagës minimale në shkallë vendi dhe jo më pak se tre vjet;

Së gjashti, përfituesit e statusit të naftëtarit, që janë në marrëdhënie pune, përfitojnë pushim vjetor shtesë, të paguar, në masën 25% të ditëve të punës që përcaktohen në legjislacionin përkatës në fuqi;

Së shtati, përfituesit e statusit të naftëtarit, që janë në marrëdhënie pune, përfitojnë pushim vjetor shtesë, të paguar, në masën 25% të ditëve të punës që përcaktohen në legjislacionin përkatës në fuqi;

Së teti, përfituesit e statusit të naftëtarit dy herë në vit do të bëjnë kontrolle mjekësore falas në institucionet shtetërore apo private në vend;

Së nënti, në rastet e konçesioneve në industrinë e naftës e të gazit, në marrëveshjen e konçesionit duhet të përcaktohet detyrimi i konçesionarit për të krijuar një fond profesional pensioni, sipas ligjeve që administrojnë këto fonde, me jo më pak se 10% të pagës bruto të punonjësve;

Së dhjeti për personat, të cilët, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kryejnë punë në industrinë e naftës e të gazit, punëdhënësi paguan kontribute shtesë, në masën 3 për qind të pagës bruto, për efekt kontributi.

energjia.al  06.02.2017