Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministri Gjiknuri takon bordin e “Gasuine”

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Damian Gjiknuri priti sot në takim një delegacion të kompanisë shtetërore të gazit në Hollandë “Gasunie”. Grupi kryesohej nga shefi ekzekutiv z. Han Fennema dhe përbëhej nga anëtarët e bordit drejtues z. Rene Oudejans, z. Ulco Vermeulen, znj. Annie Krist, z. Hans Coenen dhe z. Wim Groenendijk.

Ministri Gjiknuri njohu bashkëbiseduesit me zhvillimet e fundit në Shqipëri sa i takon infrastrukturës së gazit. Ai vlerësoi si mjaft të rëndësishëm faktin se projekti i Korridorit Jugor të Gazit, pjesë e të cilit është edhe Gazsjellësi TransAdriatik, tashmë po bëhet realitet. Z. Gjiknuri tha se ndërtimi i gazsjellësit në territorin shqiptar po ecën normalisht dhe sipas parashikimeve.

Më tej, z. Gjiknuri u ndal tek puna që po bëhet me synim gazifikimin e vendit. Ai njohu drejtuesit e kompanisë “Gasunie” me ecurinë e punës për përfundimin e Masterplanit të Gazit në Shqipëri, studimit të fizibilitetit dhe evidentimin e projekteve kryesore të investimit. Qeveria shqiptare ka miratuar tanimë ngritjen e kompanisë shtetërore të gazit Albgaz e cila do të ketë një rol të rëndësishëm në procesin e gazifikimit.

Në këtë linjë, drejtuesit e kompanisë “Gasunie” shfaqen gatishmërinë e tyre për të vendosur një partneritet me kompaninë shtetërore shqiptare “Albgaz” ashtu sikurse shfaqen interes për tu njohur me planet e projekteve kryesore në kuadër të zhvillimit të infrastrukturës së gazit në Shqipëri.

Ministri Gjiknuri theksoi se partneriteti mes “Gasunie” dhe “Albgaz” do të jetë një shtysë e rëndësishme për të marrë përvojën dhe eksperiencat më të mira me synim përmbushjen e objektivit të gazifikimit të vendit.

Bashkëbiseduesit u ndalën më pas tek projektet e tjera të cilat në vijim të gazsjellësit TAP mund të ndryshojnë edhe më tej hartën energjetike të Shqipërisë, mes tyre ai i gazsjellësit Jonian-Adriatik (IAP).

energjia.al  01.02.2017