Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konkurrenca hap hetim për tregun e gazit

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë hetim paraprak në tregun e gazit e lëngshëm. Pas monitorimit të tregut, të kryer në fillim të muajit janar, Autoriteti ka gjykuar se ka shenja që mund të tregojnë kufizim të konkurrencës.

Hetimi do të shtrihet në të gjitha nivelet e tregut të gazit për përdorim familjar dhe biznesi dhe do të përfshijë periudhën nga 1 korriku 2016 e në vazhdim. Në paketën fiskale të Dhjetorit 2016, Kuvendi vendosi aplikimin e akcizës në vlerën 8 lekë për litër për gazin e lëngshëm që përdoret si karburant për automjetet.

Megjithatë, gjatë ditëve të para të janarit, në treg u vërejt rritje e çmimit edhe për gazin që tregtohet në bombola për përdorim familjar apo për aktivitete të ndryshme biznesi. Këto sinjalizime u bënë shkas, fillimisht, për një monitorim tregu nga Autoriteti i Konkurrencës, gjatë të cilit, me sa duket, u gjetën indicie për hapjen e një hetimi paraprak.

Duke qenë se ky segment i tregut nuk preket nga rritja e akcizës, Autoriteti i Konkurrencës do të hetojë nëse ka pasur një rritje abuzive dhe të bashkërenduar të çmimit. Raporti i hetimit paraprak do t’i paraqitet Komisionit të Konkurrencës brenda mesit të muajit shkurt.

Scan Tv,  28.01.2017