Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosova dhe Shqipëria ndajnë rezervën mes OST dhe KOSTT

Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e 128-të të rregullt, nën drejtimin e kryeministrit Isa Mustafa, në të cilën mori vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Kabineti qeveritar miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, e përfaqësuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, për shkëmbimin dhe/ose ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit OST Sh.a. dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut KOSTT Sh.a.

Ky Projektligj, ka për qëllim bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë nëpërmjet organeve përgjegjëse për shkëmbimin dhe ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet këtyre dy operatorëve.

Objektiv kryesor i këtij projektligji është rregullimi i zonës rregulluese dhe me këtë edhe integrimi në mekanizmat regjional, i cili do të ndikonte në realizimin e tregtisë ndërkufitare, duke rritur kështu likuiditetin e tregut të energjisë dhe duke përmbushur direktivat e Traktatit të Energjisë në të cilin traktat është anëtare edhe Republika e Kosovës.

Në mbledhjen e Qeverisë u miratua edhe Strategjia Kombëtare për të Drejtat Pronësore në Kosovë dhe Plani i veprimit, e cili përcakton çështjet si në vijim: sigurimin e të drejtave pronësore duke fuqizuar infrastrukturën ligjore të kësaj fushe, sigurimin e të drejtave pronësore duke adresuar informalitetin në sektorin e pronës së paluajtshme, garantimin dhe realizimin e të drejtave pronësore të personave të zhvendosur dhe komunitetit joshumicë, garantimin dhe realizimin e të drejtave pronësore të grave, si dhe promovimin e shfrytëzimit produktiv të pronës së paluajtshme për nxitjen e rritjes ekonomike.

Edhe vendimi preliminar për shpronësimin dhe krijimin e detyrueshëm të servitutit të pronave private dhe shoqërore, të cilat preken nga realizimi i Fazës së Tretë të Projektit për ndërtimin e “Fabrikës së Re të Ujit në Fshatin Shkabaj”, dhe vendimi preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit dhe të ndërtesave të ish NSH “Gërmia” Prishtinë, për nevoja të akomodimit të Institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u miratuan në  mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Zëvendësministrja e Integrimit Evropian, Anila Statovci-Demaj, informoi kabinetin qeveritar lidhur me takimin e parë të Nën Komitetit të MSA-së për Drejtësi, Liri dhe Siguri, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian, i cili mbahet më 25-26 janar 2017 në Prishtinë, që është pjesë e strukturave formale për monitorimin dhe zbatimin e MSA-së.

Në këtë takim, do të diskutohet progresi në zbatimin e reformave, sfidat e hasura në proces si dhe zbatimi i konkluzioneve të vitit të kaluar. Po ashtu, diskutohen masat prioritare të Agjendës së Reformave Evropiane si dhe për zbatimin e njërit prej dy kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave, atë të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Në fushën e gjyqësorit do të diskutohet për rishikimin e sektorit të drejtësisë  dhe posaçërisht aspektin e paanshmërisë, llogaridhënies dhe pavarësisë së gjyqësorit. Në këtë drejtim, Komisioni Evropian është i interesuar që të kuptoj më shumë sa i përket arritjes së numrit të nevojshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve nëpër gjykatat dhe prokuroritë anembanë Kosovës, si dhe miratimit të ligjit për zyrën e prokurorit disiplinor.”

“Ndërsa sa i përket luftës kundër korrupsionit, diskutimi fokusohet fillimisht mbi zbatimin e kriterit për liberalizim të vizave, atij për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe institucionet përgjegjëse raportojnë për rezultatet e fundit në këtë fushë, posaçërisht sa i përket dënimeve të shqiptuara ndaj kryesve të këtyre veprave penale. Po ashtu, do të diskutohet në veçanti edhe për aspektin e korrupsionit në prokurim publik”, tha zëvendësministrja.

Ajo tha se do të diskutohet edhe për emigrimin e parregullt, me ç’rast Komisioni Evropian do të njoftohet për rënien drastike të numrit të azilkërkuesve kosovarë në shtetet e BE-së si dhe me masat që janë ndërmarrë për t’u siguruar që ky trend pozitiv të vazhdoj edhe në ardhmen. Po ashtu, do të diskutohet edhe për menaxhimin e integruar të kufirit, luftimin e krimit të organizuar, trafikimin me qenien njerëzore, trafikimin e drogave, armëve, si dhe luftimin e krimeve ekonomike, terrorizmit dhe krimeve kibernetike.

Në ditën e dytë të takimit, më 26 janar, do të diskutohet mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, për sistemin e burgjeve, mbrojtjen e të dhënave personale, lirinë e shprehjes dhe mosdiskriminimin. Po ashtu, do të diskutohet edhe për respektimin dhe mbrojtjen e komunitetit pakicë, drejtësinë tranzicionale dhe personat e zhdukur. Për të gjitha fushat është përgatitur një raport i detajuar dhe i njëjti është ndarë me Komisionin Evropian.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  19.01.2017