Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP, 2017 viti më kulmor

Flet Shkëlqim Bozgo, menaxher i TAP për Shqipërinë

Viti 2017 shënon një vit shumë të rëndësishëm për ndërtimin e gazsjellësit TAP, pasi përveç vijimit të punimeve për ndërtimin e gazsjellësit, nisin edhe punimet për ndërtimin e stacionit të kompresorëve në zonën e Fierit.

Si ishte ecuria e projektit në vitin 2016? Sa është shifra e përgjithshme e investimit në ndërtim, angazhimi i kompanive shqiptare, krijimi i vendeve të punës?

Viti 2016 shënoi fillimin e punimeve për ndërtimin e gazsjellësit TAP, ndërkohë që punimet paraprake për infrastrukturën e nevojshme kanë nisur në vitin 2015.
Nga muaji gusht, kur nisën punimet për gazsjellësin, janë pastruar rreth 50 kilometra nga korridori i punimeve, rreth 40 kilometra nga tubacioni janë salduar dhe mbi 22 kilometra nga tubacioni tashmë është shtrirë nëntokë dhe është mbuluar. Në fund të vitit 2016, përfundoi edhe kalimi i lumit Seman duke përdorur një teknologji që po përdoret për herë të parë në Shqipëri, e quajtur Shpimi Horizontal i Drejtuar, duke mos ndikuar në ekosistemin e luginës së lumit dhe mjedisin përreth. Gjatë vitit 2016, në ndërtimin e gazsjellësit TAP në Shqipëri janë punësuar mbi 1,800 persona ku vlen të theksohet se rreth 90% e tyre janë shqiptarë.

Cilat janë pritshmëritë tuaja në lidhje me ecurinë e tij gjatë vitit 2017, duke qenë se është cilësuar edhe si viti kulmor sa i përket procesit të ndërtimit?

Viti 2017 shënon një vit shumë të rëndësishëm për ndërtimin e gazsjellësit TAP, pasi përveç vijimit të punimeve për ndërtimin e gazsjellësit, nisin edhe punimet për ndërtimin e stacionit të kompresorëve në zonën e Fierit. Gjithashtu gjatë këtij viti pritet që të fillojnë punimet edhe në sektorin lindor të gazsjellësit, në zonën e Korçës, për të vijuar drejt zonës malore të Skraparit, ku është edhe pika më e lartë e gazsjellësit TAP, 1800 metra mbi nivelin e detit.
Edhe gjatë vitit 2017, zonat përgjatë korridorit të TAP do të shikojnë që investimet në përmirësimin e infrastrukturës rrugore nuk do të mungojnë. Rreth 99% e fazës së parë të përmirësimit të infrastrukturës rrugore ka përfunduar dhe tashmë në fazën e dytë do të përmirësohen mbi 120 km të tjera rrugë në zonat tejet të izoluara të Jugut të Shqipërisë.
Paralelisht me punimet për ndërtimin e gazsjellësit do të nisë edhe implementimi i një sërë projektesh sociale që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës së komuniteteve përgjatë gjurmës së gazsjellësit si dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik në këto zona. Rindërtimi i shkollës së mesme të Bilishtit është një prej projekteve sociale që nis që në fillim të këtij viti, ndërsa në janar përfundojnë punimet e dy pikave të vrojtimit për turistët e kanionit të Osumit, që bashkë me rindërtimin e urës së Çorovodës do të ndikojnë pozitivisht në turizmin e kësaj zone.

Cili do të jetë ndikimi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë i TAP në ekonominë shqiptare gjatë këtij viti?

Projekti TAP e vendos Shqipërinë për herë të parë në hartën energjetike të Shqipërisë, duke e rritur rëndësinë rajonale gjeostrategjike të vendit, duke ndihmuar në integrimin tregtar dhe fizik në Bashkimin Europian.
Ashtu si edhe gjatë 2016, TAP do të vijojë të luajë një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, ku sektori i ndërtimit dhe shërbimeve që lidhen me të do të jenë përfituesit kryesorë. Ashtu siç edhe është komunikuar, janë një sërë kompanish shqiptare të përzgjedhura nga kontraktorët kryesorë të TAP për të realizuar punime të ndryshme gjatë ndërtimit të gazsjellësit. Gjithashtu, për sa u përket shërbimeve mbështetëse si transporti, strehimi, ushqimi, shërbimet financiare apo ligjore, siguria, etj., shumica do të ofrohen nga shoqëri shqiptare.
Përfshirja e shoqërive shqiptare gjatë 2017 pritet të jetë më e madhe, pasi edhe punimet ndërtuese do të jenë më të shumta duke sjellë rrjedhimisht edhe rritjen e numrit të të punësuarve dhe nxitjen e ekonomive vendase përgjatë gjurmës së gazsjellësit.

Çfarë përmban në thelb rishikimi i marrëveshjes me qeverinë shqiptare?

Në amendamentet e Marrëveshjes me Qeverinë e Vendit Pritës shprehet vullneti i TAP për:
– Rishikimin e periudhës së stabilitetit fiskal që i jep të drejtën shtetit shqiptar të marrë më shumë tatim fitimi, e cila përgjatë kohëzgjatjes operacionale të projektit pritet të ketë një efekt pozitiv për shtetin shqiptar prej rreth 60 milionë eurosh;
– Rritjen e investimeve në komunitet nga 7 në 14 milionë euro;
– Dyfishimin e fondeve për trajnime në sektorin e gazit natyror, nga 350,000 euro në 700,000 euro;
– Memorandumi i Mirëkuptimit që synon të mbështesë kompaninë e sapokrijuar Albgaz (Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit në Shqipëri), në aftësimin e saj për të qenë pjesë e ofrimit të shërbimeve të mirëmbajtjes për TAP në fazën operacionale;

Bozgo:

Përfshirja e shoqërive shqiptare gjatë 2017-s pritet të jetë më e madhe, pasi edhe punimet ndërtuese do të jenë më të shumta, duke sjellë rrjedhimisht edhe rritjen e numrit të të punësuarve dhe nxitjen e ekonomive vendase përgjatë gjurmës së gazsjellësit.

Revista Monitor,  16.01.2017