Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

BE kërkon masa konkrete për efiçencën energjitike

Bashkimi Europian e konsideron si të lartë intensitetin e energjisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndjeshëm mbi mesataren e BE-së. Përmes anëtarësimit të tyre në Komunitetin e Energjisë, këto vende janë angazhuar për miratimin e rregullave për efikasitetin e energjisë sipas normave të BE-së. Së fundmi, Western Balkans Investment Framework, me mbështetjen e Komisionit Europian, ka hartuar një dokument mbi ecurinë e angazhimeve dhe financimin e realizuar ndër vite për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Në të thuhet se investimet në lidhje me eficencën e energjisë duhet të orientohen nga potencialet.

Kuadri ligjor duhet të përmirësohet për të lehtësuar investimet. Për të tërhequr aktorë të rinj në treg duhet të ndërmerren incentiva. Ato mund të mbështesin projekte që nxisin kursimin e energjisë në banesat private.

Që nga viti 2007, Bashkimi Europian ka kontribuar me rreth 150 milionë euro grante për rritjen e eficencës së energjisë.

Në Samitin e Parisit u aprovuan rreth 50 milionë euro financime për mbështetjen e projekteve të gjelbra. Ndërsa pritet që financimet e reja në këtë sektor të shkojnë në rreth 240 milionë euro.

Genoveva Ruiz Calavera, drejtore për politikat e fqinjësisë dhe zgjerimin për Ballkanin Perëndimor thotë: “BE-ja po luan një rol kyç në mbështetjen e zhvillimit të projekteve të eficencës së energjisë në këtë rajon. Ndikimi është i dukshëm, kryesisht te SME-të për t’i bërë ato më konkurruese, por edhe për të ndihmuar në reduktimin e faturave të energjisë për qytetarët. Ballkani Perëndimor ka një nivel të intensitetit të energjisë që është më i lartë se ai në BE. Kjo do të thotë se për çdo euro energji të prodhuar do të kërkohet dy herë, ndonjëherë edhe tre herë energji më e madhe, kjo ka ndikim negativ te konkurrenca në rajon. Në të njëjtën kohë, kërkesa për energji është në rritje. Për këtë arsye, Ballkani Perëndimor duhet të përqendrohet në reduktimin e kërkesës dhe përmirësimin e efikasitetit të energjisë. Kjo do të duhet të jetë vija e parë e investimeve”.

Kontributi i BE-së 2007-2016

152 milionë euro grante

760 milionë euro kredi e lëvruar

1.6 TWh / vit kursimi i energjisë = 4 muaj konsumi i Shqipërisë për energjinë elektrike

1 milion ton CO2 / vit në kursime të shkarkimeve = më shumë se një vit emisione të gazrave të makinave në Malin e Zi

36 banka të reja të gjelbra në WB6.

Revista Monitor,  16.01.2017