Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konkurrenca nis monitorimin e tregut të gazit

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se pas shqetësimit të ngritur nga mediat elektronike dhe të shkruara në lidhje me rritjen e çmimit të gazit të lëngshëm në treg, i cili në ndryshimet e fundit ligjore për paketën fiskale, ka prekur vetëm përdorimin e gazit të lëngshëm për automjetet, dhe jo përdorimin e tij për nevoja të konsumatorit (rritja e akcizës për këtë kategori është 0 lekë), ka nxjerrë në terren me urgjencë specialistët për monitorimin e tregut sipas nenit 28 të Ligjit 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar.

Pas monitorimit dhe vlerësimit të situatës, nëse ka shenja të kufizimit të konkurrencës, Autoriteti njofton se do të procedojë menjëherë me marrjen e masave konkrete, ndaj subjekteve të tregtimit me shumicë ose pakicë për kthimin e tregut në kushtet e konkurrencës.

Më 1 janar 2017, hyri në fuqi Paketa e re Fiskale, e cila rriti me 8 lekë për litër akcizën për gazin që do të përdornin automjetet. Por, si gjithnjë, tregu reagoi me rritjen e çmimeve uniform për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Një litër gaz kushton aktualisht mesatarisht 62 lekë për litër në pikat e karburantit nga 43-52 lekë që ishte në dhjetor 2016. Çmimi ofrohet i njëjtë si për automjete, edhe ndaj familjarëve dhe industrive.

Një ditë më parë, përfaqësues të industrisë u ankuan për ‘Monitor’ se gazi për përdorim industrial ishte shtrenjtuar me 20 lekë për litër. Adi Haxhiymeri nga fabrika e miellit “Bloja”, tha se një pjesë e industrisë përdor si lëndë të parë gazin e lëngshëm. Rritja e menjëhershme gati me 20 lekë për litër ka rritur kostot dramatikisht.

Revista Monitor,  13.01.2017