Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

MEI: Bankers të ndërpresë urgjentisht injektimet në puse

Ministria e Energjisë dhe Industrisë shprehet e vendosur për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të zgjidhur shqetësimin e shprehur nga banorët e fshatit  Zharrës. Në këtë kuadër, Ministri Gjiknuri i ka kërkuar ditën e sotme kompanisë “Bankers Petrolium” ndërprerjen urgjente të operacioneve të injektimit me presion të lartë të ujit teknologjik në puset e lokalizuara përreth fshatit Zharrëz, deri në një njoftim të dytë.

Me përfaqësuesit e Bankers Petrolium është mbajtur një komunikim i vazhdueshëm për të diskutuar zgjidhjen e  problemeve të shfaqura në këtë zonë dhe marrjen e të gjitha masave të nevojshme për ndalimin pa afat të operacioneve të injektimit të ujit me presion të lartë në këto puse nga ana e kompanisë.

Gjithashtu, ditën e sotme, u mblodh edhe grupi i punës ku u caktuan detyrat  për eliminimin e problemeve të shfaqura këto ditë, ndërsa iu kërkua Albpetrolit  dhe Drejtorisë së Emergjencave Civile që të marrin të gjithë masat e nevojshme për të ndihmuar banorët në nevojë.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë bën me dije se është komunikuar vazhdimisht edhe me grevistët dhe përfaqësuesit e komunitetit të zonës së prekur për të ndjekur hap pas hapi të gjithë masat që po merren, ndërsa ka vijuar bashkëpunimi intensive edhe me Bashkinë e Patosit si dhe me Prefektin e Fierit. Ndërkohë, një grup nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe me pjesëmarrjen e Kryetares së Bashkisë Patos  kanë shkuar në Zharrës për tu takuar drejtpërdrejt me pjesëmarrësit e grevës dhe përfaqësuesit e komunitetit të Zharrëzës.

Si pasojë e intensifikimit të aktivitetit sizmik në zonën e Zharrëzës në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, ku operon me operacione hidrokarbure kompania koncesionare “Bankers Petroleum”, si edhe në përgjigje të shqetësimeve të banorëve të Zharrëzës dhe zonave përreth për dëmet e shkaktuara nga këto tërmete, Ministri Gjiknuri ka urdhëruar në datën 20 dhjetor ngritjen me urgjencë të një grupi pune me përbërje nga MEI, AKBN, Albpetrol dhe SHGJSH, në bashkëpunim edhe me IGJEUM për të marrë analizuar situatën dhe për të zgjidhur kërkesën e banorëve të kësaj zone. Në zbatim të këtij urdhri, grupi i punës i kryesuar nga Zv. Ministri Bejtja zhvilloi një takim të zgjeruar me përfaqësues të komunitetit, përfaqësues të Bashkisë Patos, të Bankers Petroleum, të Albpetrol, AKBN dhe IGJEUM për të diskutuar problemet e ngritura prej komunitetit lokal. Pjesëmarrësit diskutuan gjerësisht rreth shqetësimeve dhe për masat që duhen marrë për stabilizimin e situatës dhe eliminimin e shkaqeve që i shkaktojnë këto lëvizje sizmike.

energjia.al  24.12.2016