Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Reduktimi i kamatës, si do veprohet me përfituesit

Në vijim të komunikimit të djeshëm nga Kryeministri, administratori i OSHEE-së, z.Adrian Çela doli sot para medieve për të sqaruar më në detaje se si do të zbatohet vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës të OSHEE-së për reduktimin e kamatëvonesave dhe kategoritë përfituese.

“Që në krye të herës dua të nënvizoj se nga këto masa lehtësuese përfitojnë vetëm ata konsumatorë që janë treguar korrekt me respektimin e aktmarrëveshjeve të firmosura me OSHEE. Pra, kanë paguar rregullisht faturën mujore dhe këstin e shlyerjes së borxheve të prapambetura”, deklaroi kreu i OSHEE-së.

Sipas Çelës, reduktimi i kamatëvonesave vjen si një shpërblim që OSHEE u bën këtyre abonentëve për mbështetjen që po i japin rikthimit të ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike.

Janë 126,000 abonentë në total ata që përfitojnë reduktim kamate deri në zerim të plotë të saj, me efekt financiar 155 milionë USD.

 66539 janë pensionistë, invalidë dhe ndihmë ekonomike që kanë aktmarrëveshje me të cilat paguajnë sot shlyerjen e borxhit me këste 1000 ose 1200 lekë/muaj.

 59461 janë konsumatorë familjarë që kanë paguar rregullisht këstet prej 2500, 2800 lekësh/muaj

Çdo abonent i kategorisë së parë, pra çdo njëri prej 66539 pensionistëve, invalidëve apo atyre në ndihmë ekonomike do duhet të paraqitet në sportelet e OSHEE me librezën përkatëse. Ai do paguajë shumën simbolike prej 20 lekësh dhe stafi i OSHEE do të amendojë aktmarrëveshjen duke i bërë zerimin e plotë të vlerës së kamatës. Abonenti do të vazhdojë të shlyejë detyrimin që mbetet pas zerimit të kamatës.

Çdo abonent i kategorisë së dytë, pra konsumator familjar që nuk bën pjesë në skemat sociale do paraqitet në sportelet e OSHEE gjithashtu me librezën përkatëse. Ai do të paguajë këstin e radhës dhe do t’i ofrohet amendimi i aktmarrëveshjes e cila parashikon reduktimin me 80% të vlerës së kamatëvonesës.

Ky proces do të jetë i mundshëm për tu kryer duke nisur nga sot 19.12.2016 deri në Qershor 2017. Kjo do të thotë se u jepet mundësi të përfitojnë edhe ata që nuk kanë AKM, ose kanë dalë nga marrëveshja me OSHEE duke mosrespektuar afatet.

Mjafton të jenë pagues të rregullt të kësteve për 6 muajt në vijim deri në qershor 2017 dhe mund të jenë përfitues të zerimit të kamatës për abonentët me këstet mujore 1200 lekë dhe reduktim 80% të kamatës për abonentët familjarë me këst 2800 lekë.

Klientit i duhet te paraqesë
– Kartën e identitetit nëse është personalisht në sportel ose
– Autorizim me shkrim nga mbajtësi i kontratës dhe Kartën ID të klientit dhe të personit që do të paraqitet për pagese

OSHEE do të vërë në dispozicion të çdo KNK listën e abonentëve përfitues. Lista do jetë publike në webin www.oshee.al

Aty do të ketë një opsion, për të kërkuar nëse je apo jo përfitues, duke shkruar numrin e kontratës. Gjithashtu, edhe imediat do kenë mundësi ta marrin listën nga webi, e cila brenda do të ketë kodin e klientit përfitues, zonën ku banon (pa emër mbiemër).

Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, Administratori i OSHEE-së sqaroi edhe disa çështje të tjera.

Ky vendim nuk po merret me vonesë, për disa arsyeje:

 E para, skema e reduktimit të kamatave ka ekzistuar që në Dhjetor 2014, ku përfitues deri më tani janë mbi 220 mijë abonentë, me reduktim kamate 70 dhe 80%. Kanë përfituar ata që likuiduan plotësisht vlerën e detyrimit. Vlera totale e përfitimit ishte 46 milionë dollarë.
 E dyta, reduktimi i kamatës për abonentët në nevojë, ka nisur në Tetor 2015 dhe kjo është fasha e dytë e përfituesve.
 E treta, për afro 60 mijë familjet përftuese që kanë paguar këste 2500 dhe 2800 reduktimi i kamatës është 80%, aq sa është aplikuar më herët që në Dhjetor 2014, për ata që likuidonin plotësisht detyrimet.

energjia.al  20.12.2016