Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Familjeve në nevojë u zerohen kamat-vonesat

Pas shpërblimeve me rastin e festave të fundvitit me 6 mijë lekë për pensionistët dhe 2 mijë lekë për familjet në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuar, kryeministri Rama në rubrikën e ‘Komunikimit Javor’ dha edhe një tjetër lajm të mirë, duke deklaruar se për këtë kategori do të zerohet edhe kamatëvonesa për energjinë elektrike.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se 66539 personave, që përfshijnë pensionistët, familjet në nevojë si dhe personat me aftësi të kufizuar do t’u zerohen kamatvonesat kundrejt një pagese simbolike në 20 lekë.

E ndërsa për familjet që marrin statusin e një qytetarit të mirë kamatëvonesa do t’u reduktohet deri në vlerën e 80%.
Për kryeministrin, shuma që paguante shteti për ata që abuzonin energjinë tashmë nuk do të shkojë më për “vjedhësit” por falë tyre, sot qeveria është në gjendje të bëjë një lehtësim për konsumatorët

“126 mijë persona janë kontributor aktiv që kanë nëshkruar marrëveshjen me OSHEE dhe kanë ende mbi supe peshën e kamatvonesës, 66539 persona janë konsumatorë, pensionistë, me ndihmë ekonomike apo me aftësi të kufizuar dhe paguajnë me këste 1200 lekë në muaj, e ndësa 59461 janë konsumatorë të tjerë familjarë që vlerësohen sot për statusin e qytetarit të mirë duke paguar rregullisht këstin.

Për 66539 personat do të zerohen të gjitha kamatvonesat kundrejt një pagese simbolike prej 20 lekësh. Për 59461 familjarët kamatvonesat do të reduktohen 80%. Kjo % është e njëjtë për ata që i paguan menjëherë.” deklaroi Rama.

Kryeministri Rama thotë se ai është i vetëdijshëm që duhet më shumë punë për të bërë, por duke bërë krahasimin me 8 vite më parë, është bërë shumë progres. Duke e cilësuar vitin 2016 si vitin e heqjes së aforveve, Rama është shprehur se sot askush nuk paguan më çfarë vendos kompania por secili paguan për atë që ka shpenzuar.

“Unë e di që jemi si dita me natën në këtë aspekt me 8 vjet më parë por e di që nuk jemi në një ditë të bukur me diell sepse duhet të bëjmë më shumë investime në rrjetin e energjisë që nuk është vënë dorë në 8 vite. 2016 viti i heqjes së aforveve. Sot askush nuk paguan më çfarë i donte qejfi kompanisë por secili i përgjigjet kompanisë faturën që tregon sahati”, është shprehur ai.

Këtë komunikim javor, kryeministri Rama ia ka dedikuar edhe paketës së solidaritetit, ku shprehet se është shumë i prekur jo nga mesazhet e shumta që kanë ardhur në adresë të tij, por nga mirëkuptimi që ka pasur kjo shtresë e shoqërisë me shpërblimet e fundvitit në këtë fazë të zhvillimit të shoqërisë.

Duke i cilësuar shpërblimet thjesht si një detyrë të qeverisë, ku falënderimet janë të tepërta, kreu i qeverisë është shprehur se edhe pse kjo është paketa më e madhe në këto 25 vite nuk është aspak një arsye që ai të ndihet i qetë me pensionistët, familjet në nevojë apo personat me aftësi të kufizuar. Sipas tij dhurata më e mirë për fundvit që ai ka marrë është mirëkuptimi i pensionistëve.

“Dua t’i falenderojë të gjithë ata që më kanë përcjellë përmes mesazheve uratën e tyre për paketën e solidaritetit. Jam realisht i prekur jo nga mesazhet sepse janë të tepërta pasi kjo është detyra ime pasi por jam i prekur nga mirëkuptimi i tyre. E ndjej, më shumë se kushdo tjetër që nuk e ka mbi supe, peshën e varfërisë përpiqem ta mbaj me sa më shumë dinjitet si peshë përgjegjësie në çdo hap.

Realizimin e reformave e shohim më shumë një një lehtësi për pensionistë, familjet në nevojë apo kujtdo tjetër që ndjen mbi supe pamjaftueshmërinë ekonomike. Prandaj sado që e di që është paketa më e madhe në këto 25 vite nuk është aspak një arsye për të qenë i qetë me këtë shtresë së shoqërisë” tha Rama.

E vetmja që vazhdon njësoj, për kryeministrin Rama është avazi i sulmeve amorfe e kundërshtarëve politik ndaj OSHEE. Akuzave të pafundme kryeministri Rama u përgjigjet se banda e OSHEE, siç e quajnë personat që e zhytën sektorin e energjisë në gropë apo ato që synojnë një karrige deputeti është gati t’u zerojë 66539 personave kamatvonsave e ndërsa 59461 t’ua fal deri në 80%.

“E vetmja që fatkeqësisht vazhdon njësoj është avazi i sulmeve amorfe e kundërshtarëve politik ndaj OSHEE. Sulme të shumta, akuza që përsëriten pa fund në orvatjen e tyre të dëshpëruar të atyre që zhytën sektorin e energjisë apo disa që duan të kapin një karrige deputeti duke u bërë pjesë e politikës së baltës, për ta oshe është një bandë kriminale.
Në vend që të merremi me ta, sot banda e OSHEE është gati t’u zerojë 66539 personave kamatvonsave e ndërsa 59461 t’ua fal deri në 80%. Dhe pastaj mërziten kur u them qetë le të lehin, karvani të ecë përpara” mbyll deklaratën e tij kryeministri Rama.

Shqiptarja.com  19.12.2016