Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP frenon rënien e investimeve të huaja

Investimet e Huaja Direkte shënuan rënie vjetore me 3% gjatë nëntëmujorit të këtij viti, sipas të dhënave të sotme të Bankës së Shqipërisë. Investimet shënuan 706 milionë euro në periudhën janar-shtator 2016, nga 728 milionë euro që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rënia i dedikohet tërësisht performancës negative të tremujorit të parë, kur ato zbritën me 40% në 157 milionë euro. Në tremujorin e dytë dhe të tretë, investimet janë përmirësuar.

Në tremujorin tretë, investimet u rritën me 27 milionë euro, duke arritur në 288 milionë euro nga 261 që ishin në tremujorin e dytë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, prurjet në formën e investimeve direkte, janë të përqendruara në sektorin e energjetikës (me rreth 60%), hidrokarbureve (në masën 15%), ndërmjetësimit financiar (në masën 10%), ndërtimit (në masën 4%), dhe në sektorin e telekomunikacionit (me 2%). Ndërkohë që rritja më e madhe e fluksit vërehet në sektorin e energjetikës, raporton Banka e Shqipërisë.

Investimet në rritje të tremujorit të tretë i dedikohen rritjes së importeve të lëndës së parë për projektin TAP. Sipas të dhënave pranë projektit, deri më tani kanë hyrë në Shqipëri 8450 tuba që i dedikohen projektit TAP, të cilat bashkë me makineritë e rënda me destinacion punimet në këtë projekt e kanë rritur dukshëm vlerën e Investimeve të Huaja Direkte këtë nëntëmujor.

Investimet në projektin TAP bashkë me ato të Statkraft për HEC-et në lumin Devoll kanë neutralizuar efektin negativ të rënies së investimeve në hidrokarbure, që deri vitin e kaluar përbënin 40% të totalit.

Në tremujorin e parë ishte pikërisht rënia e shpenzimeve kapitale në hidrokarbure, që çoi në tkurrjen e thellë të Investimeve të Huaja Direkte.

Projekti Hidroenergjetik i Devollit përbëhet nga tre hidrocentrale me një kapacitet të instaluar prej përafërsisht 280 MW. Mesatarisht HEC-et do të prodhojnë rreth 800 GWh në vit, duke ndikuar në rritjen e prodhimit shqiptar të energjisë elektrike me rreth 20%. Teksa punimet kanë vazhduar për HEC-in e Banjës dhe Moglicës, vendimi për ndërtimin e HEC-it të tretë do të merret pasi të kenë përfunduar njëri ose të dy HEC-et e para. Totali i investimeve arrin në 535 milionë euro.

Megjithatë, biznesi vendas është duke përfituar shumë pak nga nënkontraktimi i punimeve në projektet e mëdha të gazsjellësit TAP dhe Devoll Hydropower. Kompania e energjisë norvegjeze Statkraft AS, që po ndërton hidrocentrale, ka nënkontraktuar pesë operatorë për ndërtimin e të paktën dy hidrocentraleve në kaskadën përgjatë lumit Devoll, nga të cilët vetëm një, Doko sh.p.k me qendër në Elbasan, është shqiptar, të tjerët janë të huaj.

Edhe projekti TAP, pjesën më të madhe të nënkontraktorëve, por edhe punonjësve, i ka të huaj.

Revista Monitor,  13.12.2016