Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bilanci i qeverisë, bilanc i reformave strukturore

Intervistë dhënë gazetarit Ergys Gjençaj për televizionin Vizion Plus, rreth zhvillimeve politike në prag të zgjedhjeve parlamentare

z. Minister, tashmë kemi një dekret të Presidentit dhe datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që është 18 Qershori. Me çfarë bilanci vjen qeveria në këto zgjedhje?

Bilanci i qeverisë është bilanci i reformave strukturore të cilat kanë filluar tashmë të japin produktet e tyre. Nuk kemi pse të mos e themi se në krye të 4 viteve, përveç mbylljes së gropës së madhe financiare që kishte hapur qeveria e shkuar dhe borxhit galopant publik, po mundësojmë për qytetarët shqiptarë rritjen e rrogave dhe pensioneve. Një kërkesë e kahershme, një problem i madh për shkak të nivelit ekonomik në të cilin e gjetëm ne vendin kur erdhëm në qeveri. Bilanci i këtyre reformave është pikërisht ky, mbyllja e gropës financiare, forcimi i shtetit ligjor si në ligjshmërinë e pagesave të energjisë, në rendin publik por dhe reformat në arsim e shëndetësi. Të gjitha këto janë reforma të suksesshme të përkthyera me një faturë pozitive për qytetarët që do të thotë rroga dhe pensione më të larta. Kjo është patjetër një premisë e mirë për të vajtur ballëlart tek qytetarët e për tu kërkuar edhe njëherë votën dhe një mbështetje për këtë koalicion.

Referuar edhe daljeve të fundit, Kryeministri ka deklaruar se janë bërë shumë reforma, ka rezultate por mbetet ende i pakënaqur nga qeveria. Mos është vallë kjo një strategji politike që po luan Kryeministri?

Është diçka realiste, krejt normale për çdo politikan të përgjegjshëm i cili pavarësisht ritmit të reformave dhe sukseseve të tyre, patjetër ka shumë gjëra për të bërë. Ne nuk jetojmë në botën e çudirave, nuk premtojmë gjëra që nuk bëhen por natyrisht reflektojmë çdo ditë nga kontaktet me qytetarët për ecurinë e reformave. Kryeministri ka thënë një fjalë që do të jetë dhe lajtmotivi ynë: kemi bërë shumë por kemi akoma shumë për të bërë. Kjo është krejt normale. Janë bërë shumë gjëra por patjetër ka akoma shumë gjëra për të cilat mund të jemi edhe vet të pakënaqur. Prandaj do tu kërkojmë qytetarëve shqiptarë edhe një tjetër mandat për të përfunduar të gjithë ato projekte të nisura dhe për të përmbushur ato objektiva politike, sociale dhe ekonomike në dobi të publikut shqiptar.

Ku shikoni ju mangësi dhe që mund të ishin bërë më mirë?

Po patjetër, ka mangësi në çdo fushë. Po e filloj nga fusha ime që të jem dhe më i ndershëm. Patjetër, kemi bërë një reformë të thellë në sektorin elektroenergjitik por ka akoma hapësirë për tu përmirësuar shumë gjëra si në shërbimin ndaj klientit, përmirësimin e furnizimit me energji apo të vazhdojmë projektet e mëdha të investimeve. Kemi objektiva të qarta qoftë për përmirësimin e likujditetit në sektorin elektroenergjitik, rritjen e gamës së investimeve, për krijimin e një modeli më të qëndrueshëm ekonomik për investimet private në energji. Të gjitha këto janë të shoqëruara me rezultate positive nga reforma por njëkohësisht hapin edhe siparin e nevojave të reja. Pra, ky është një proces dialektik dhe kemi shumë për të përmirësuar. Pse po e nis nga sektori im? Për të qenë i ndershëm edhe me kolegët pasi gjithësecili normalisht e fillon nga vetja reflektimin. Siç unë shikoj tek fusha ime gjëra që duhen përmirësuar, ka edhe në fusha të tjera vende e hapësira për tu korrigjuar. Pra të gjitha këto, janë gjëra që ne nuk mundëm dot ti bëjmë të gjitha aq mirë në mandatin e parë, megjithëse duhet thënë se kemi bërë shumë duke marrë për bazë nga ku e nisëm. Besoj se mandatin tjetër kjo do të jetë një trajektore përmirësimi e dukshme dhe në fund të fundit, siç e thashë kjo është dialektika politike në synim të objektivave më të larta ne përpiqemi të bëjmë më të mirën.

Z. Ministër, Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e 18 Qershorit. Ju jeni kordinator i PS-së për Qarkun e Vlorës dhe a mund të na thoni disa detaje për organizimin në funksion të zgjedhjeve, takime me elektoratin..?

Patjetër, takimet kanë qenë të vazhdueshme me strukturat e partisë dhe me një pjesë të elektoratit pasi nuk kemi filluar ende takimet masive me elektoratin duke mos qenë në fushatë zgjedhore. Po merremi kryesisht me organizimin e Partisë Socialiste, ngritjen e strukturave në të gjithë territorin në mënyrë që viti tjetër ta gjejë gjithë strukturën të gatshme për të përballuar procesin zgjedhor. Në fund të fundit ky është edhe qëllimi i delegimit tim aty dhe puna që po bëjmë në mënyrë të përditshme me të gjitha strukturat në Vlorë por edhe me pushtetin vendor. Duhet të harmonizojmë edhe interesat e qytetarëve në funksion të objektivave tona politike, gjithmonë duke e bërë të qartë atë lajtmotiv që unë e thashë më parë që kemi bërë shumë por kemi akoma shumë për të bërë.

A keni hasur në vështirësi z.ministër nga baza socialiste në Vlorë duke marrë shkas edhe nga qëndrimet e ish-deputetit Koço Kokëdhima i cili pritet të shkarkohet nga detyra që ka patur në mbledhjen e Asamblesë së 23 Dhjetorit?

Partitë politike kanë edhe debatet e tyre të brendshme. Në këtë pikëpamje dhe mënyrën se si e shtruar ju pyetjen, nuk ka ndonjë shqetësim në partinë e Vlorës lidhur me të ashtuquajturën lëvizje pasi këto nuk janë lëvizje të Partisë Socialiste. Janë lëvizje individuale për interesa politike individuale dhe nuk kanë lidhje me axhendën e Partisë Socialiste dhe strukturave të saj në Qarkun e Vlorës. Strukturat e partisë kanë debatet e tyre të brendshme se si mund të organizohet më mirë puna në funksion të objektivave elektorale dhe të korrigjojmë edhe ndonjë gabim që është bërë në aspektet e reformës strukturore që ka patur në forcën tonë politike në Qarkun e Vlorës. Pra, nuk bëhet fjalë për një axhendë të Partisë Socialiste dhe as shqetësim të saj, është më shumë shqetësim i një invidivi.

A do të dalë Partia Socialiste në një koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim në zgjedhjet e ardhshme?

Partia Socialiste e ka deklaruar se ne jemi të hapur për rinovimin e këtij koalicioni. Kemi qeverisur bashkë dhe kemi bërë shumë gjëra të mira bashkë. Besoj se na lind e drejta që sëbashku ti kërkojmë edhe njëherë votëbesimin qytetarëve shqiptarë. Ky është qëndrimi i Partisë Socialiste. Çdo parti mund të bëjë zgjedhjen e saj dhe ne nuk i imponohemi askujt.

energjia.al  10.12.2016