Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Devoll Hydropower, tender për pyllëzim në Moglicë

Kompania Devoll Hydropower (DHP), në pronësi të kompanisë norvegjeze Statkraft, hapi tenderin për parakualifikimin e kompanive që do të pyllëzojnë dhe mirëmbajnë 540 hektarë pyje në zonën e Moglicës ku do të zhvillohen punimet për ndërtimin e HEC-it të dytë.

Devoll Hydropower pret sot ofertat për mirëmbajtjen e 540 hektarëve të ndara në 8 seksione në Bashkinë e Maliqit në Korçë, përkatësisht në Moglicë.

Por Statkraft njoftoi se rezervon të drejtën për të refuzuar ndonjë apo të gjitha aplikimet për parakualifikim. Një numër i kufizuar i kompanive do të përzgjidhet për listën përfundimtare të tenderueseve. Sipas kushteve të tenderit, kompanitë e interesuara duhet të kenë një xhiro mesatare vjetore për 3 vitet e fundit mbi 150,000 euro në vit.

Pjesëmarrësit duhet të kenë përvojë të suksesshme në projekte të ngjashme pyllëzimi në 5 vitet e fundit. Profili i kompanisë në aktivitete të ngjashme siç janë kontrolli i erozionit, trajtim pyjesh, etj., do të konsiderohet avantazh gjatë vlerësimit. Të interesuarit – thotë Statkraft – duhet të tregojnë se kanë në dispozicion pajisje dhe makineri moderne dhe të përshtatshme, të tregojnë se disponojnë burime njerëzore të kualifikuara të mjaftueshme dhe të tregojnë fuqi financiare. Të interesuarit duhet të kenë integritet dhe përgjegjësi korporate.

Qeveria shqiptare, nëpërmjet një tenderi të hapur ndërkombëtar, ka përzgjedhur DHP si fitues të një koncesioni BOOT (Build, Own, Operate and Transfer). Qëllimi i kësaj marrëveshje koncesioni dhe amendamenteve të saj ishte zhvillimi i hidrocentraleve në luginën e lumit Devoll, në pjesën juglindore të Shqipërisë.

Projekti ndodhet përgjatë lumit Devoll, rreth 100 km në jug–juglindje të Tiranës. Me anë të kësaj marrëveshjeje koncesioni, DHP ka fituar të drejtën të shfrytëzojë potencialin hidrologjik të lumit të Devollit midis 95 m dhe 650 m mbi nivelin e detit, ndërmjet Banjës dhe Moglicës.

Revista Monitor,  09.12.2016