Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE nuk do kërkojë rritje të çmimit të energjisë

Por, kjo kërkesë e OSHEE-së do të vihet në dilemë nëse kompanitë e tjera të sektorit publik, KESH dhe OST, do të kërkojnë rritje të çmimeve. Nëse ato kërkojnë rritje të tarifave dhe Enti Rregullator i pranon, atëherë edhe OSHEE mund të rishikojë pozicionin e tarifave, shpjegojnë të njëjtat burime…

Kompanitë publike të sektorit të energjisë, OSHEE, OST dhe KESH janë në fazën e përgatitjes së aplikimeve në Entin Rregullator të Energjisë për ndryshim çmimi për janar-dhjetor 2017.

Por, të paktën kompania më e madhe e sektorit, ajo që ka impakt te tarifat e konsumit me pakicë, OSHEE, mësohet se nuk do të kërkojë rritje të çmimit për vitin e ardhshëm. Burimet pranë OSHEE-së bëjnë me dije se kompania ka një balancë pozitive këtë vit, për shkak të miradministrimit në arkëtimet e energjisë, nga njëra anë, dhe motit favorizues nga ana tjetër.

Dy muajt e fundit, OSHEE nuk ka importuar energji nga jashtë për të përballuar konsumin me prodhimin vendas nga HEC–et e kaskadës së Drinit dhe prodhuesit e vegjël të energjisë që tani e shesin prodhimin direkt tek shpërndarja.

Ekspertët e kompanisë pohuan se kjo situatë e ka përmirësuar balancën pozitive dhe kjo është ndër arsyet, që nuk do t’i kërkohet Entit Rregullator ndryshim çmimesh për vitin që vjen. Por kjo kërkesë e OSHEE-së do të vihet në dilemë nëse kompanitë e tjera të sektorit publik, KESH dhe OST, do të kërkojnë rritje të çmimeve. Nëse ato kërkojnë rritje të tarifave dhe Enti Rregullator i pranon ato, atëherë edhe OSHEE mund të rishikojë pozicionin e tarifave, shpjegojnë të njëjtat burime.

Për periudhën janar–shtator, fitimi i OSHEE pas taksave nga aktiviteti arriti në 7.3 miliardë lekë nga 9.3 miliardë lekë vitin e kaluar. Më 2015, arkëtimet u stimuluan shumë nga masat që OSHEE mori për arkëtimin e borxheve të vjetra, duke aplikuar lehtësi për ata që paguanin të gjithë shumën menjëherë.

Sipas rezultateve të 9-mujorit mësohet se fitimi që OSHEE ka paguar në arkën e shtetit ka qenë 1.28 miliardë lekë, ose rreth 9 milionë euro, duke ndikuar pozitivisht në të ardhurat e buxhetit të shtetit.

Revista Monitor,  07.12.2016