Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ, Balla: Provat inkriminojnë Berishën

Komisioni hetimor për çështjen ‘CEZ’ ka administruar zyrtarisht provat dhe dokumentet nga dëshmitari Romeo Karaj, ish-juristi përgjegjës i OSHEE, i cili implikoi ish-kryeministrin Sali Berisha, disa ish-ministra dhe drejtorë të tij, në privatizimin abuziv të OSSH.

Sipas tij, favorizimi me dashje i kompanisë CEZ në dëm të shtetit shqiptar dhe prishje e qëllimshme e kontratës pa lënë mundësi Shqipërisë të ketë avantazhe në arbitrazh tashmë mund provohet me fakte dhe prova e se kjo është hera e parë e një komisioni Hetimor Parlamentar që po bën detyrën e po gjen fajtor.

“Komisioni hetimor për aferën korruptive 414 milionë euro “CEZ”, administroi sot zyrtarisht dokumente dhe prova shkresore nga dëshmitari Romeo Karaj. Lidhje të errëta ryshfeti dhe të dhëna llogarish bankare; shkelje flagrante të ligjit; takime të fshehta të berishëve në Tiranë, Pragë, Vjenë; mbi 100 biseda telefonike me sekserin N. K.; favorizim me dashje të kompanisë CEZ në dëm të shtetit shqiptar; prishje e qëllimshme e kontratës pa i lënë mundësi Shqipërisë të ketë shanse në arbitrazh etj. Më në fund, një komision hetimor parlamentar po bën detyrën dhe po gjen fajtorë”, shkruan Balla.

Dëshmia e Berishës 
Në seancën dëgjimore të radhës, më 9 dhjetor, në orën 10 ish-kryeministri Sali Berisha do të dëshmojë për zbardhjen e skandalit DIA-CEZ. Gjatë seancës së fundit dëgjimore, Berisha, i thirrur në cilësinë e dëshmitarit, ka refuzuar të dëshmojë dhe është larguar nga salla. Berisha u paraqit në komision, por vetëm pas 30 minutash e ai e braktisi seancën. Berisha sajoi një debat me Ballën, duke arritur të shmangë dëshminë për çështjen CEZ. Ish-kryeministri kërkoi dorëheqjen e kryetarit të komisionit, Taulant Balla, me pretendimin se ishte në konflikt interesi dhe se ishte i dënuar për shpifje. Pasi artikuloi disa akuza të rënda në adresë të kryetarit Balla, Berisha nuk pranoi të dëshmonte, ndërsa kërkoi që zyra juridike e Kuvendit të bëjë interpretimin për konfliktin e interesit, pasi sipas tij, Taulant Balla është i dënuar për shpifje. Por, teksa ish-kryeministri Berisha largohej, Balla e paralajmëroi sërish se do ta risjellë në komision me forcat e policisë.

Dëshmitari kyç
Dëshmitari kyç për çështjen ‘CEZ’, Romeo Karaj, ish- juristi përgjegjës i OSHEE-së ka deklaruar se zotëron dokumente që dëshmojnë se procesi i privatizimit të CEZ ka nisur që në vitin 2005-2006 dhe jo në 2008 kur u hap zyrtarisht tenderi. Sipas tij, sekseri mes çekëve të CEZ dhe qeverisë shqiptare ka qenë Nuel Kala, një person me lidhje të forta me qeverinë shqiptare. Kala, për këtë marrëveshje, sipas tij, ka përfituar 3.6 milionë euro. Për lidhjet mes Nuel Kala dhe ish-kryeministrit Berisha dhe ministrit Genc Ruli, dëshmitari ka foto dhe dokumente. Vetëm në një muaj, mes Nuel Kala dhe ish-kryeministrit Berisha ka pasur mbi 100 telefonata, këto për të mundësuar privatizimin nga çekët të OSHEE-së. Dëshmitari ka pohuar se Kala ka pasur lidhje edhe me Shkëlzen Berishën, por për këtë nuk ka dokumente. Por, Nuel Kala, sipas dëshmitarit nuk ka qenë sekseri i vetëm. Përpara tij, ka pasur tentativa nga një tjetër shtetas. Hamza Merxhani, një shtetas kosovar kishte bërë negociata mes CEZ dhe Berishës.

Dosja në prokurori 
Shqiptarja.com ka mësuar se, pas administrimit të dëshmisë, e-maileve dhe çdo dokumenti tjetër të paraqitur nga dëshmitari, komisioni do ta referojë dosjen në organin e akuzës, duke kallëzuar në të njëjtën kohë penalisht ish-kryeministrin Sali Berisha dhe krerët e institucioneve përgjegjëse, të cilat kanë favorizuar CEZ në dëm të shtetit si dhe nuk kanë marrë masa për zbatimin e detyrimeve të marra përsipër në marrëveshjen e shitjes së aksioneve të OSSH, miratuar me ligjin 10116, datë 23.04.2009. Po ashtu, referuar mbi 50 dokumenteve të Ministrisë e Energjisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Enti Rregullator i Energjisë, komisioni ka dalë në konkluzionin se kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, këshilltarë të tij, ministra dhe drejtorë, kanë ushtruar ndikim të paligjshëm për një vendimmarrje që nuk i takonte institucionit të tyre, por ERE-s, duke favorizuar CEZ. Bazuar në këto dokumente, komisioni ka bërë një bilanc, duke llogaritur një dëm prej 57 miliardë lekësh shkaktuar shtetit shqiptar.

Si u zhdukën 10 miliardë lekë
75 për qind e aksioneve të OSSH u shitën me një çmim qesharak. Kompania OSSH në prag të privatizimit kishte një vlerë të kontabilizuar prej 18.7 miliardë lekë. Por qeveria e atëhershme, pas disa manovrave, ulën vlerën e kompanisë shtetërore në vetëm 8.5 miliardë lekë. Më tej u bënë ndryshime në sistemim e borxheve gjatë kohës së negocimit të shitjes, u bë një marrëveshje e ERE me CEZ mbi ecurinë e çmimit për katër vite, u bënë marrëveshje me çmimin e energjisë elektrike, u lejua abuzimi me faturat etj. Nuk mund të shmanget fakti që, në atë kohë, qeveria e Pragës mbante presidencën e radhës së Bashkimit Europian dhe kishte mundësinë e vendosjes në axhendë të BE-së dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Dhe Sali Berisha, dy muaj para zgjedhjeve, aplikoi për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, me shpresat se do të maksimalizonte votat në zgjedhje.

Dëshmia e Karajt që rëndon pozitat e Berishës 
“Kam marrë e-mailin e parë të datës 7 shtator 2009, ku një person me emrin Nuel Kalaj, i cili i drejtohet në këtë e-mail drejtorit të CEZ grup në Pragë. E-maili shpreh një keqardhje që punët në CEZ në Shqipëri nuk po shkojnë mirë, dhe midis të tjerave thotë që më vjen keq që pas një pune katërvjeçare dhe negocimesh të tëra që i kam bërë unë dhe z. Petran, z. Petran është një pjesëtar çek i grupit të negocimit që ka qenë, është njohur zyrtarisht me ne, të ndodhin gjëra të tilla që të shkatërrojnë frytet e punës tonë. Më tej thotë që, i vjen keq që përpjekja ime katërvjeçarë për të futur një ndërmarrje të suksesshme si CEZ-i në sektorin energjetik shqiptar, të përfundojë jo me sukses. Arsyeja se pse ne investiguam ishte se, ne kishim një dëshmi nga një ish-drejtues i DIA-s që në vjeshtë të vitit 2009 Ismailaj ka marrë premtimin që do të marrë një kontratë të madhe nga CEZ, për borxhet e këqija. Sipas dokumenteve, Nuel Kala ka hyrë në këtë valle pasi dështoi një person tjetër, Hamza Merxhani, një shtetas kosovar. Ka dështuar në vitin 2005, kur ka ndërhyrë për privatizimin e OSSH. Hamza Merxhani ka një foto me Nuel Kala. Jeton në Pragë dhe është shumë i afërt me CEZ. Ndërsa Nuel Kala ka ardhur në vitin 2006 në Shqipëri. Ka pasur lidhje të forta me kryeministrin e atëhershëm. Ka takuar ministrin Genc Ruli. Ka edhe fotografi të tij me Genc Rulin. Thuhet se ka telefonuar mbi 100 herë ish-kryeministrin Berisha. Nuk është vetëm një e-mail, por janë disa e-maile që unë kamë gjetur, të cilat konfirmojmë që ky person merrte përsipër për të negociuar mes shtetit shqiptar dhe CEZ. Tarifa e suksesit për këtë marrëveshje ishte 3.6 milionë euro, e vendosur në mënyrë të çuditshme për t’u paguar nga ana e fituesit, që ishte CEZ. Thuhet në këtë letër që ky person, në vitin 2011, ka pasur në llogari të tij, 3.6 milionë euro. Thuhet se ka pasur lidhje edhe me të birin e kryeministrit, por nuk ka materiale të plota për këtë. Zonja Rebeka Gaskin është drejtore e vetme e DIA-s. Është personi që mori përgjegjësitë për të ndarë interesin të aksionerëve të DIA-s nga veprimet penale dhe shkeljet penale të Ismailajt. Është njohur me faktet dhe realitetin në Shqipëri ka realizuar marrëveshjen e 3 dhjetorit 2014. Zonja Gaskin është njohëse mjaft e mirë e disa problemeve. Është pritur dhe nga kryeministri në vitin 2009. Takimi është ndërmjetësuar nga Kastriot Ismailaj”.

Shqiptarja.com  02.12.2016