Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tahiri: KOSTT-i bllokohet nga Serbia

Edita Tahiri si kryesuese e delegacionit të Kosovës në bisedimet për zbatimin e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, ka thënë për gazetën “Zëri” se moszbatimi i kësaj marrëveshjeje po i shkakton humbje të mëdha vendit nga operimi i operatorëve ilegalë serbë.

Tahiri ka thënë se Serbia prej pas luftës i shfrytëzon linjat e Kosovës për tranzacionin e energjisë, pra, sipas saj, Serbia kur transmeton energjinë në vendet e tjera e që kalon nëpër Kosovë duke i shfrytëzuar rrugët tona të energjisë. Ajo thotë se edhe Marrëveshja për Energjinë, përkatësisht fillimi i punës së KOSTT-it si operator i pavarur, është bllokuar nga Serbia tash e një vit e gjysmë. Por, ajo nuk ka treguar nëse ka paraqitur ketë shqetësim edhe një herë në Bruksel.

“Marrëveshja për Energjinë, përkatësisht fillimi i punës së KOSST-it si operator i pavarur, është bllokuar nga Serbia tash e një vit e gjysmë. Serbia që nga paslufta ka ndërhyrë në operatorin ilegal në fushën e energjisë në pjesën veriore të vendit dhe praktikisht qasja e operatorëve tanë publikë të energjisë në veri ka qenë e bllokuar për krejt këto vite. Pra, kur ne u japin energji konsumatorëve në veri dhe ata nuk na paguajnë neve faturat, por ua paguajnë operatorëve ilegalë kjo është dëmi i parë. Serbia prej pas luftës i shfrytëzon linjat tona për tranzacionin e energjisë, Pra Serbia kur transmeton energjinë në vendet e tjera e që kalon nëpër Kosovë i shfrytëzon rrugët tona të energjisë, nuk paguan qira, nuk komenton financiarisht shfrytëzimin e linjave transmetuese të Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Tahiri më tej ka shtruar se nëse Serbia dëshiron të përparojë drejt Bashkimit Evropian dhe t’i hapë kapitujt me Bashkimin Evropian, atëherë do t’i zbatojë marrëveshjet.

“Në dhjetor BE-ja vlerëson se a e ka zbatuar Serbia këtë marrëveshje dhe të tjerat e në kuadër të vlerësimit ajo e gjen se Serbia nuk i ka zbatuar marrëveshjet, atëherë bllokohet rruga e Serbisë drejt BE-së. Pra, Serbia është e kushtëzuar me këtë, por edhe ne jemi të kushtëzuar me zbatim të marrëveshjeve, mirëpo ne përgjithësisht i kemi zbatuar të gjitha” ka thënë Tahiri për gazetën.

Gazeta Zëri,  30.11.2016