Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Reduktohet numri i konsumatorëve të OSHEE

Numri i konsumatorëve të energjisë elektrike, sipas shifrave zyrtare, pa një rënie të shpejtë në vitin 2016.

Të dhënat nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se numri total i konsumatorëve të OSHEE-së, në fund të gushtit, ishte 1,181,407 persona, nga 1,213,767 konsumatorë që ishin në fillim të vitit, ose rreth 32.4 mijë më pak, me një tkurrje prej rreth 3% në raport me fillimin e vitit.

Siç shihet nga grafiku, në fund ka një luhatshmëri sipas muajve, por rënia më e madhe shihet të ketë ndodhur në korrik.

Ekspertët e sektorit radhisin disa arsye për rënien e numrit të konsumatorëve. E para lidhet me aksionin që kompania bën ndaj atyre që nuk paguajnë energjinë.

Aktualisht, qindra familje, duke përfshirë edhe Qarkun e Tiranës janë të shkëputur nga rrjeti i OSHEE-së se nuk kanë aftësi paguese për energjinë.

Arsyeja e dytë lidhet me emigracionin dhe e treta me mbylljen e përhershme apo të përkohshme të bizneseve. Të tjerë konsumatorë kanë shkëputur kontratat për shtëpitë e dyta, sidomos në fshat, duke u paraprirë kështu penalizimeve nga OSHEE-ja.

Pak ditë më parë, një raport rajonal mbi varfërinë e furnizimit me energji vuri në dukje se, ky fenomen është në rritje në vendet e Europës Juglindore, duke prodhuar borxhe (pamundësi për të paguar faturat e energjisë elektrike), shtëpi të ftohta dhe probleme shëndetësore.

Shqipëria vlerësohet se ka varfërinë më të madhe energjetike në rajon.

Për familjet shqiptare, studimi tregon se burimi kryesor i energjisë është elektriciteti (45%) dhe pasohet nga biomasa me 38%. Në raport cilësohet se Shqipëria ka një normë të lartë papunësie 19%. Në Shqipëri, vetëm 40% e familjeve kanë pajisje elektrike për gatim, ngrohje të ujit apo të tjera pajisje që përdorin energjinë. 11.2% e familjeve nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike dhe 20.7% kanë ngrohje të papërshtatshme. Gjithashtu, në raport theksohet se 12.5% e shtëpive në Shqipëri kanë mure, dysheme apo bodrume me lagështirë dhe 7.7% e tyre kanë një çati që rrjedh.

Raporti vë në dukje se në vend nuk ka asnjë politikë për të zhdukur varfërinë energjetike.

Hartuesit e raportit vizituan dhjetë familje në kryeqytet, ku të gjithë jetonin në shtëpi pa izolim dhe dritare me një xham. Të ardhurat mesatare për familje ishin 150 euro dhe kishin mesatarisht katër pjesëtare. Ata kishin probleme me shëndetin, vuanin nga sëmundje kronike apo paaftësi të ndryshme dhe treguan se problemet e shëndetit i privonin nga aktivitete të ndryshme.

Revista Monitor,  30.11.2016