Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Drafti: Si ndryshon renta minerare

Ministria e Financave ka depozituar në Kuvend propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, ‘Për taksat kombëtare’, të ndryshuar”.

Sipas relacionit, qëllimi i përgatitjes së këtij projektligji synon ndryshimin e  këtij ligji, kryesisht për:

− rishikimin e politikës fiskale për rentën minerare të mineraleve metalore,  të destinuara për përpunim brenda vendi, dhe të rentës për përmbajtjen e mineralit metalor në nënproduktin minerar, me qëllim lehtësimin e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese të mineraleve metalore, duke nxitur nxjerrjen dhe përpunimin e këtyre mineraleve brenda vendit;

− qartësimin e dispozitës dhe aplikimin e taksës së qarkullimit dhe të taksës së karbonit për sasinë e benzinës dhe të gazoilit të përfshira në biokarburant;

− heqjen e aplikimit të taksës së qarkullimit për sasinë e gazoilit dhe të benzinës të prodhuar në vend, por të eksportuar;

− ndryshimin e vlerës për kategorizimin e makinave të luksit, nga 7 milionë në 5 milionë;

− aplikimin e përjashtimit nga taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit për anijet e peshkimit, nëpërmjet procedurës së rimbursimit;

− disa saktësime për përjashtimin nga taksa të mjeteve të djegura dhe të shkatërruara;

− ndryshimin e nivelit të rentës së mineralit zhavorr bituminoz.

Makinat e luksit

  1. Ndryshimi i përkufizimit të makinave të luksit, lidhur me kriterin e vlerës/çmimit, duke ulur vlerën e mjeteve që do të konsiderohen automjete luksi nga 7 000 000 lekë në 5 000 000 lekë.

Në praktikë është vënë re se, nëse nuk përmbushet kriteri i cilindratës, vlera është një kusht, i cili është relevant në përcaktimin e makinave të luksit. Për këtë qëllim propozohet ulja e vlerës për përkufizimin e makinave të luksit. Efekti, sipas kësaj mase, parashikohet të jetë 0 077 miliardë lekë.

Taksa e qarkullimit

  1. Ndryshimi në taksën e qarkullimit dhe në taksën e karbonit, sipas së cilës janë shtuar kodet e nomenklaturës së mallrave për biokarburantin, si në import edhe brenda vendit, i cili duhet t’i nënshtrohet taksës së qarkullimit, për sa është për përdorimin në transport, për përmbajtjen e gazoilit ose të benzinës në biokarburant dhe jo për sasinë e produktit bio në përmbajtjen e tij.

Minerare

  1. Përjashtimi nga taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin të prodhuar në vend, por të eksportuar jashtë territorit të Shqipërisë, për arsye se taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin, e cila lidhet me përdorimin e karburantit për qarkullim, aplikohet mbi sasitë e importuara dhe të prodhuara brenda vendit, aplikohet për të mbuluar kostot dhe pasojat që shkaktohen nga ky përdorim. Kështu që, kur benzina dhe gazoili prodhohen në vend, por eksportohen, nuk kanë ndikim në pasojat që shkaktohen nga qarkullimi i këtyre produkteve brenda vendit, (ndotja e ambientit, dëmtimi i infrastrukturës rrugore, etj). Gjithashtu, kjo masë e propozuar ndikon pozitivisht edhe në politikat që lidhen me eksportin.

Renta

  1. Rishikimi i taksës së rentës për rentën minerare të mineraleve metalore të destinuara për përpunim brenda vendi dhe të taksës së rentës për përmbajtjen e mineralit metalor të destinuar për përpunim brenda vendit.

Taksa e rentës minerare, për mineralet metalore të Grupit të parë, është përcaktuar si përqindje ndaj çmimit të shitjes ose, ndryshe, ad valorem, sipas masës së përcaktuar në shtojcën nr.2, të ligjit nr.9975/2009, si për mineralet e destinuara për eksport, ashtu edhe për mineralet e destinuara për përpunim  brenda vendit. Pra, referuar ndryshimeve në projektligj, duke vlerësuar se  industria e përpunimit të mineraleve metalore ka një peshë të rëndësishme në industrinë përpunuese minerare në vend, është reflektuar një përgjysmim i  taksës së rentës nga 6% në 3%, në rast se minerali metalor shitet për përpunim brenda vendit, si dhe aplikimi i kësaj norme (3%) për mineralin e shitur nga nxjerrësi te përpunuesi, mbi (vlerën) çmimin e shitjes për eksport, sipas çmimit në tregjet ndërkombëtare të mineralit të papërpunuar.

Gjithashtu, me anë të këtij projektligji propozohet që taksa e rentës minerare për përmbatjen e mineralit metalor në nënproduktin minerar të jetë  1/2 e normës së mineralit të përcaktuar në shtojcën nr.2, nga 2/3 që është aktualisht.

Në rastin e shitjes së mineralit të Grupit të parë (I), Mineralet Metalike, për përpunim brenda vendit, nga nxjerrësi te përpunuesi, përqindja e rentës aplikohet në masën sa 1/2 e normës së rentës së përcaktuar në shtojcën nr.2, mbi vlerën (çmimin) e shitjes, e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimi i shitjes për eksport të mineralit të papërpunuar.

Aktualisht, sipas legjislacionit në fuqi, për rentën për mineralet metalore aplikohet renta prej 6%, si në rastin kur minerali shkon direkt për eksport, i  papërpunuar, edhe në rastin kur shitet nga nxjerrësi te një përpunues brenda vendit. Ndërkohë që, pas përpunimit, për produktin e përpunuar, të destinuar për eksport, renta llogaritet përsëri në masën prej 2/3 e 6%, pra 4 %  për vlerën e mineralit të përfshirë në produkt. Përpunuesi, i cili është edhe eksportues, në të njëjtën kohë, llogarit rentën prej 4% dhe paguan vetëm shtesën, në rast se rezulton e tillë.

Me ndryshimin e propozuar, renta, në rastin kur minerali shkon direkt për eksport, pa u përpunuar në vend, do të vazhdojë të mbetet 6%, ndërkohë, nëse minerali shitet për t’u përpunuar në vend, do të aplikohet në masën 3%. Gjithashtu, edhe në fazën pasardhëse, kur përpunuesi e shet produktin për eksport, llogaritja e rentës për vlerën e mineralit të përfshirë në produkt ose nënprodukt do të bëhet me 3% (pra 1/2 e 6%) dhe paguhet rentë nëse ka shtesë për t’u paguar. Pra, unifikohet edhe norma e rentës së aplikuar në secilën fazë.

Ky parashikim synon të japë një stimul për këtë industri, me qëllim nxitjen e përpunimit të mineraleve brenda vendit.

Këto propozime vijnë nga Shoqata e Minierave të Shqipërisë dhe konsistojnë në uljen e nivelit të rentës minerare për mineralin metalor të shitur për përpunim brenda vendit, konkretisht, në aplikimin e një përqindjeje rente të reduktuar për mineralin që shitet për t’u përpunuar brenda vendit, duke e vlerësuar uljen e rentës për mineralin për përpunim brenda vendit si një hap për nxitjen e investimeve në industrinë e përpunimit minerar, për zhvillimin  e sektorit të industrisë minerare të përpunimit dhe në interes të drejtpërdrejtë  edhe të shtresave të punëtorëve apo minatorëve të punësuar në këtë industri.

Mbështetja e industrisë minerare dhe aplikimi i lehtësirave fiskale nga qeveria është një stimul shumë i rëndësishëm për zhvillimin e industrisë në vend, duke ditur që kjo lloj industrie ofron punësim për një numër të madh punonjësish dhe kontribuon shumë në ekonominë e vendit. Nga listëpagesat e tatimpaguesve me aktivitet për nxjerrjen e mineraleve joferrore rezulton se në këtë veprimtari janë të punësuar 3 369 punonjës.

Pra, në konkluzion, ndryshe nga rasti kur zvogëlimi i burimeve minerare të vendit bëhet vetëm për qëllime eksporti të mineralit të papërpunuar, ky ndryshim do të sjellë vlerë të shtuar, veçanërisht për industrinë përpunuese në vend, si dhe për ekonominë në përgjithësi, në aspektin e punësimit dhe mirëqenies, por jo vetëm. Gjithashtu, ky ndryshim, që nxit përpunimin e këtij minerali brenda vendit, synon lehtësimin nga barra fiskale të industrisë vendase të përpunimit të mineralit metalor, si i vetmi mineral në grupin e mineraleve metalike që përpunohet në formë produkti në vend.

Efektet në buxhet: për vitin 2017 të ardhurat e parashikuara do të ulen me  0.010 milionë lekë për mineralin metalor të destinuar për përpunim brenda vendit, por ky efekt balancohet me efektet sociale dhe të konsumit në ekonomi, për shkak të stimulimit dhe nxitjes së punësimit në këtë lloj industrie si dhe të pritshmërive në rritjen e punësimit.

  1. Rishikimi i rentës për pirobitumin (zhavorrin bituminoz)

Me ndryshimet e bëra me ligjin nr.141/2015, që ndryshoi ligjin nr.9975, datë  28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”, si pjesë e Paketës Fiskale 2016, u ndryshua edhe mënyra e përllogaritjes së rentës minerare për grupin e mineraleve jometalore.

Para hyrjes në fuqi të këtij ligji, taksa e rentës minerare për Bitumin ishte 5 % e vlerës së deklaruar në faturën e shitjes së mineralit, ndërsa për zhavorrin bituminoz (pirobitume) ishte 6 % e vlerës së deklaruar në faturën e shitjes së mineralit. Me ndryshimet e pësuara u ndryshua mënyra e taksimit, duke kaluar në vlerë për ton. Konkretisht, renta minerare për Bitumin dhe

Pirobitumin u përcaktua në masë të njëjtë, 2 371 lekë/ton.  Ndërkohë, nga verifikimet e kryera nga administrata tatimore u konstatua se çmimi i deklaruar për pirobitumet (zhavorrin bituminoz) është në masën 3 101.55 lekë/ ton .

Kështu, në këtë projektligj, pas verifikimit nga organet tatimore të çmimit të shitjes së mineralit zhavorr bituminoz dhe argumenteve të paraqitura nga kompanitë që zhvillojnë veprimtari në këtë fushë, u vlerësua edhe ndryshimi i nivelit të rentës për këtë mineral jometalor.

Revista Monitor,  18.11.2016