Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministri Gjiknuri: Reforma në energji çliroi buxhetin

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri prezantoi para Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese Buxhetin e vitit 2017 për këtë institucion.

Në fjalën e tij para deputetëve, Gjiknuri deklaroi se reforma e ndërmarrë në sektor e ka çliruar Buxhetin e Shtetit nga barra dhe ka krijuar kushtet që qeveria të rrisë tashmë edhe pagat e pensionet.

“Barra e Buxhetit të Shtetit nga sektori elektroenergjitik në vitin 2013 ishte 21 miliard lek. Para këto të cilat subvenciononin vjedhjen e energjisë, mospagesën e saj dhe blerjen me çmime të larta nga importi. Për vitin 2017, barra e sektorit në Buxhet është reduktuar në vetëm 2.5 miliard lekë të cilat shkojnë vetëm për investime. Ndërkaq, KESH, OSHEE dhe OST kanë nisur të shlyejnë vet kreditë e marra me garanci qeveritare duke mos e rënduar Buxhetin edhe në këtë aspekt”, u shpreh z.Gjiknuri.

Nga ana tjetër, vijoi ai, kontributi direkt në Buxhet nga 3 kompanitë e sektorit elektroenergjitik ka ardhur në rritje dhe gjatë vitit 2015 KESH, OSHEE dhe OST kanë kontribuar me shumën prej rreth 8.4 miliard lekësh.

“Përtej asaj çka parashikon Buxheti i Shtetit, kompanitë me fondet e tyre janë duke kryer investime intensive në prodhim, transmetim dhe shpërndarje. Kështu, nëse në vitin 2013 investoheshin vetëm 4.6 miliard lekë, plani i investimeve të vitit 2016 arriti në 24.1 miliard lekë”, theksoi ministri.

Sipas tij, kostoja financiare e mbulimit të humbjeve nga Operatori i Shpërndarjes për periudhën 10 Mujore (Janar-Tetor 2016) arrin në 47.1 milion euro. Për të njëjtën periudhë të vitit 2013, kostoja e mbulimit të humbjeve ishte jo pak por 116.2 milion euro.

“Niveli i humbjeve në rrjet gjatë periudhës Janar-Shtator ka zbritur në 27.6%. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues ishte 31.1%. Për vitin 2013 ky tregues ishte 43.3%. E njëjta ecuri pozitive paraqitet edhe sa i takon treguesve të nivelit të arkëtimit të faturave korente të energjisë elektrike. Gjatë periudhës Janar-Shtator 2016 janë arkëtuar nga faturat korente (pa llogaritur arkëtimet nga aktmarrëveshjet) 42,9 miliard lek. Për të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin arkëtuar 41,5 miliard lek. Ndërsa në vitin 2013 ishin arkëtuar vetëm 28.8 miliard lek”, nënvizoi Gjiknuri.

Për vitin 2017 është parashikuar financim buxhetor në masën 3.309 milion lekë (10 % më shumë krahasuar 2016, i cili ishte në masën 2.984 milion lekë). 695 milion lekë, shpenzime korrente paga, sig.shoq, shp. operative të institucioneve buxhetore ndërsa 2.772 milion lekë, shpenzime kapitale të brendshme dhe të huaja.

Në Projektbuxhetin e 2017, pjesën më të madhe në shpenzimet kapitale të brendshme e zë rimbursimi i kostos së infrastrukturës zëvendësuese të Devoll Hidropower ( 10 milion Euro ), shpenzim i cili është në zbatim të Kontratës së Konçesionit miratuar me ligjin nr.10083  dt.23.02.2009 “Për miratimin Marrëveshjes së Konçesionit ndërmjet  Ministrisë  së Ekonomisë,  Tregtisë dhe Energjetikës,  si autoritet kontraktues dhe AVN AG, Statkraft AS dhe Devoll Hydropower sh.a si bashkëkonçesionarë, për projektimin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi,  shfrytëzimin,  mirëmbajtjen  dhe  transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll në Republikën e Shqipërisë”; ndërkohë janë miratuar kostot e rritura në masën 985 mijë Euro për vitin 2014 dhe 2.5 mln Euro për vitin 2015, të cilat duhet të parashikohen për tu rimbursuar brenda  programit afatmesëm pasi Qeveria Shqiptare nëpërmjet MEI-it si Autoritet Kontraktor është angazhuar në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm energjetik mbi lumin Devoll.

Z.Gjiknuri ju përgjigj edhe pyetjeve të deputetëve lidhur me vendosjen e akcizës ndaj gazit për automjetet duke sqaruar se nisma synon disiplinimin e tregut dhe forcon sigurinë për qytetarët familjarë të cilët nuk duhet të mbushin bombolat në autogaze. Sipas tij, akciza do të ndikojë në rritjen e çmimit vetëm për autogazet dhe jo për konsumatorët e tjerë familjarë apo industrialë.

Ministri Gjiknuri hodhi poshtë edhe aludimet e deputetëve të opozitës për vendosjen e një kostoje shtesë mbi qytetarët për kolaudimin e matësave.

“Baza ligjore për kolaudimin e matësave është e hershme, që në qeverinë Berisha. Ne udhëzimin të cilit ju i referoheni, përkundrazi sanksionohet ulje e kostos së kolaudimit. Ndërkaq, koston e kolaudimit nuk e paguan konsumatori por e paguan kompania e shpërndarjes. Kolaudimi bëhet në respekt të Kodit të Matjes, me përjashtim të rasteve kur ka ankesë nga qytetari ose dyshim nga kompania”, sqaroi z.Gjiknuri.

energjia.al  17.11.2016