Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

BE në rrugën e duhur për objektivat klimatike

BE-ja është e vendosur për të arritur objektivin e 2020-ës, pavarësisht rritjes së lehtë të emetimeve të gazit serrë në vitin 2015. Sipas disa raporteve të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), emetimet e Bashkimit Evropian në vitin 2015, ishin 22% më të ulëta se nivelet e vitit 1990. Raportet konfirmojnë se BE-ja është në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin e saj të emetimeve të gazit serrë të vendosur për vitin 2020.

Dy raportet e Agjencisë Europiane të Mjedisit (EEA), “Tendencat dhe projeksionet në Evropë 2016: Progres në targetet Evropiane të klimës dhe energjisë” dhe “Inventari i gazit serrë të BE-së, i përafruar: Llogaritja e emetimeve të gazit serrë për vitin 2015 ” ofrojnë të dhëna të përditësuara të progresit të Bashkimit Evropian dhe vendeve evropiane në lidhje me masat zbutëse të ndryshimeve klimatike. Raporti Tendencat dhe Projeksionet do të zhvillohet më tej me një vlerësim të progresit të bërë në objektivat e energjisë.

Emetimet nga industritë në sistemin e tregut të emetimeve (ETS) janë ulur vazhdimisht deri në në vitin 2015. Nga ana tjetër, emetimet që nuk janë përfshirë në ETS janë rritur, në veçanti emetimet që vijnë nga transporti.

“Raporti i këtij viti tregon se pavarësisht nga rritja e vogël e emetimeve në vitin 2015, BE-ja mbetet në rrugën e duhur drejt objektivave të saj klimatike të 2020-ës. Ky progres formon një bazë të fortë për zbatimin e Marrëveshjes së Parisit, e cila ka hyrë në fuqi. Megjithatë, në arritjen e qëllimeve ambicioze afatgjata për vitin 2030 dhe 2050 nevojiten më shumë ndryshime të thella dhe një tranzicion në një ekonomi të ulët të karbonit “, u shpreh Hans Bruyninckx, Drejtor Ekzekutiv i EEA (Agjencia Europiane e Mjedisit).

Progresi i shteteve anëtare në lidhje me objektivat klimatike të 2020-ës

Projeksionet kombëtare që janë vënë në dispozicion nga shtetet anëtare të BE-së tregojnë se deri në vitin 2020, emetimet e gazit serrë të BE-së do të mbeten edhe më poshtë objektivit të 2020-ës. Në vitin 2014, të gjitha vendet anëtare, me përjashtim të Maltës, i arritën objektivat e tyre vjetore. Një situatë e ngjashme ka qenë edhe në vitin 2015.
Njëzetë e tre shtete që janë anëtare të BE-së, do t’i arrijnë objektivat e tyre kombëtare në vitin 2020, nisur nga projeksionet e tyre lidhur me politikat dhe masat që do të ndërmarin për reduktimin e emetimeve. Pesë shtete të tjera anëtare të BE-së: Austria, Belgjika, Danimarka, Irlanda dhe Luksemburgu do të duhet të zbatojnë masa shtesë për të arritur objektivat e tyre. Shtetet anëtare mund të përdorin mekanizma fleksibël që i lejojnë ata për të transferuar kreditet e emetimeve nga njëri vit në tjetrin, ose midis shteteve anëtare.

Ekolëvizja,  13.11.2016