Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ISHTI, informacion paraprak për ngjarjen në rafineri

Informacion paraprak nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial(ISHTI) në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Repartin e Hidropastrimit të KPTHN Ballsh

Impianti i hidropastrimit është një nga repartet kryesore të rafinerisë së naftës në Ballsh, i cili ka si qëllim  pastrimin  e squfurit nga nënproduktet e naftës. Në datën 10.11.2016, rreth orës 2242, në separatorin e presionit të ulët të impiantit të Hidropastrimit në rafinerinë e naftës – Ballsh,  ndodhi një shpërthim i fuqishëm dhe u shfaq një vatër zjarri me përmasa të konsiderueshme që si rezultat solli ndërprerjen e veprimtarisë të këtij sektori.

Rrethanat

Reparti i Hidropastrimit në rafinerinë e naftës – Ballsh ishte në procesin e lëshimit për vënien në punë. Rreth orës 22.42 të datës 10.11.201, në seperatorin e presionit të ulet si rezultat i tejkalimit të menjëhershëm të presionit të punës të pajisjes, ndodhi një shpërthim i fuqishëm në seperatorin R-201, duke krijuar një vatër zjarri të konsiderueshme. Presioni  i llogaritur i pajisjes që shpërtheu sipas projektit është 15 atm, ndërsa presioni në punë normale 6- 9 atm. Mbajtja e presionit të pajisjes sipas projektit rregullohet nga një valvol pneumatike automatike e cila për shkak defekti ishte jashtë funksioni.

Përdorimi i linjave direkte midis seperatorit të presionit të lartë dhe seperatorit të ulët bëri që presioni të tejkaloje vlerat e lejuara rreth 3 herë. Nga verifikimi paraprak i dokumentacionit teknik të pajisjes rezulton se seperatori i presionit të ulët R-202 është inspektuar nga shoqëria e licencuar “ALBA ENERG” sh.p.k, e cila me raport inspektimi 00197 A, datë 22.11.2015 ka siguruar se pajisja garanton sigurinë e punës.

Në  legjislacionin në fuqi:

  •  ligjin nr.10489, datë 15.12.2011 “Per sigurinë e produkteve jo ushqimore “,
  •  ligjit nr.10433, datë 16.06.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”,
  •  ligjit 32/2016 “Për sigurinë e punës të pajisjeve nën presion”,
  • “Rregullores për projektimin, prodhimin, vendosjen, shfrytëzimin dhe riparimin e pajisjeve nën presion”.

Është përcaktuar se kontrolli teknik i pajisjeve nën presion kryhet nga trupa të treta të licencuara dhe akredituara. Kontrolli teknik i planifikuar nga shoqëria e licencuar do të kryhej brenda datës 22.11.2016.

Shkaqet

Nga sa më sipër, shkaku i shpërthimit dhe  i shfaqjes të kësaj vatre të madhe zjarri ishte mos funksionimi i valvolës të sigurimit të pajisjes dhe mosrespektimi i rregulloreve të shfrytëzimit duke përdorur linjat direkte.

Pasojat

Nga ky shpërthim dhe zjarr:

  1. Humbi jetën një punonjës i repartit të hidropastrimit dhe u plagosen disa të tjerë.
  2. Impianti u ndal plotësisht.
  3. Pati dëmtime të pariparueshme të seperatorit të presionit të ulët, tubacioneve teknologjike, linjave përcjellëse të ajrit dhe të energjisë të aparateve matëse dhe sinjalizuese në zonën rreth rezervuarit

Masat

Nga ana e personelit drejtues të kësaj rafinerie dhe repartet zjarrfikëse u morën masat për fikjen e zjarrit dhe normalizimin e gjendjes. Në vijim do të analizohet avaria e ndodhur, dhe njëkohësisht kanë filluar përgatitjet e nevojshme teknologjike për kalimin në remont dhe rikuperimin e tubacionit të dëmtuar. Konkluzionet përfundimtare do të dalin pas hetimit të plotë të avarisë nga Prokuroria.

energjia.al  12.11.2016