Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Reshjet dhe mirëadministrimi rritën të ardhurat e KESH

Flet Drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Agron Hetoja

“Për vitin 2015, KESH realizoi 100% arkëtimet nga OSHEE për faturimet e vitit dhe nuk krijoi borxhe të reja dhe shpenzime për penalitete për vonesa në pagesa. Këto zhvillime, bashkë me uljen e shpenzimeve operacionale dhe ato për interesa, kanë ndikuar në performancën e kompanisë më 2015”, thotë Drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Agron Hetoja.

KESH radhitet ndër 5 kompanitë më të mëdha në vend për nga qarkullimi vjetor i vitit 2015. Cilat janë disa nga arsyet që kanë çuar në rritjen e performancës financiare?

Referuar mënyrës së organizimit dhe funksionimit të tregut të energjisë elektrike përpara hyrjes në fuqi të ligjit Nr. 43, datë 30.04.2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, nga ku KESH sh.a deri në 6-mujorin e parë të vitit 2016 ka ushtruar funksionin e prodhuesit dhe furnizuesit publik me shumicë, themi se rritja e performancës financiare ka qenë tregues i miradministrimit të kësaj shoqërie.

Parë në aspektin e veprimtarisë së prodhimit të energjisë elektrike, themi se shoqëria KESH sh.a e nisi vitin 2015 me rezervuarin e Fierzës në kuotën 286 mnd, nivel ky më se optimal për garantimin e përmbushjes së detyrimeve nga ana e shoqërisë KESH sh.a.

Kushtet hidrike rezultuan të favorshme për 6-mujorin e parë ku pati rritje të prodhimit të energjisë elektrike, ndërsa për 6-mujorin e dytë prurjet rezultuan ndjeshëm nën nivelin mesatar shumëvjeçar.

Ndonëse për periudhën janar-maj 2015, prurjet mesatare të regjistruara për vitin 2015 kanë qenë përafërsisht të barabarta me prurjet mesatare për të njëjtën periudhë të viteve 2001-2015, shoqëria KESH sh.a:

arriti të prodhonte 2,490 GWh apo 20% më shumë se prodhimi mesatar prej 2,078 GWh i realizuar për të njëjtën periudhë gjatë viteve 2001-2015 arriti të minimizojë shkarkimet e ujërave me 40% më pak se shkarkimet mesatare vjetore prej 1,42 miliardë m3 ujë për të njëjtën periudhë gjatë viteve 2001-2015, realizoi shfrytëzimin efektiv të kaskadës nga ku në datën 1 qershor 2015, niveli në rezervuarin e HEC Fierzës rezultoi të ishte 5 metra më i lartë se niveli mesatar i periudhës 2001-2015 për këtë datë.

Gjatë vitit 2015, prodhuam mbi 4.49 TWh, apo rreth 600,000 MWh më shumë se prodhimi mesatar shumëvjeçar.
Përpos aspekteve të mësipërme, miratimi dhe vënia në zbatim e planit të rimëkëmbjes financiare në vitin 2015, krijoi kushtet e nevojshme që marrëdhëniet tregtare të KESH me institucionet partnere (OSHEE, OST, Prodhuesit e Vegjël, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, furnitorët e mallrave dhe shërbimeve) të vijojnë normalisht dhe larg problematikave të së shkuarës.

Të ardhurat e krijuara nga KESH sh.a., për vitin 2015, janë rreth 19,2 miliardë lekë.

Ky vit që mund konsiderohet sa i vështirë aq dhe domethënës në raport me periudhën që korrespondon me nisjen e rrugëtimit të reformimit të thellë të sektorit energjetik, regjistron të dhëna të cilat vështirë të mendoheshin më parë. Për vitin 2015, KESH realizoi:

-100% arkëtime nga OSHEE për faturimet e vitit
-0 borxhe të reja dhe 0 shpenzime penalitetesh për vonesa në pagesa,
-10% më pak shpenzime operacionale dhe 15% më pak shpenzime për interesa huash afatshkurtra
-mbulim me të ardhurat e veta të shpenzimeve për importin e energjisë elektrike për konsumatorin tarifor

Gjithashtu, gjatë vitit 2015, nga ana e KESH sh.a, u arrit të:

shlyheshin plotësisht të gjitha faturat korrente të HEC-eve të vogla për vitin 2015 në vlerë 9.3 miliardë lekë (duke mos krijuar detyrime të reja ndaj tyre)

-përmbyllej procesi i shlyerjes së plotë të detyrimeve prej mbi 5 miliardë lekësh të akumuluara ndër vite ndaj HEC-eve të vogla si rrjedhojë e papërshtatshmërisë së strukturës tarifore të periudhës rregullatore 2012-2014
-të shlyheshin, përveçse detyrimeve korrente, në vlerën e 765 milionë lekë ndaj administratës fiskale dhe doganore, edhe detyrimet e prapambetura të akumuluara ndër vite në vlerën e 327 milionë lekë.

-të zvogëlohej niveli i huave afatshkurtra OD me 950 milionë lekë apo rreth 7 milionë euro.

Cila është perspektiva e zhvillimit në vijim dhe si parashikohet ecuria e të ardhurave dhe fitimit?

Perspektiva e zhvillimit të shoqërisë KESH sh.a në të ardhmen është komercializimi i aktivitetit të tij bazuar në parashikimet e ligjit 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”.

Ndonëse me miratimin e ligjit nr. 43, datë 30.04.2016 “Për sektorin e energjisë elektrike” KESH sh.a., parashikohet të operojë në tregun e energjisë elektrike në funksionin e tij natyral të prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike, vonesa në miratimin e akteve rregullatore bëri që deri më datë 1 korrik 2016, KESH sh.a., të operojë në tregun e energjisë elektrike bazuar në parashikimet e ligjit nr. 9072, datë 22.05.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike” (i shfuqizuar).

Sa më sipër, për 6-mujorin e dytë të vitit 2016 KESH sh.a., do të funksionojë në tregun e energjisë elektrike bazuar në parashikimet e Modelit të Përkohshëm të Tregut të Energjisë por duke trashëguar kostot e krijuara nga ushtrimi i funksionit të furnizuesit publik me shumicë për 6-mujorin e parë të vitit 2016, për shkak të lënies në fuqi të tarifës së prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike të KESH sh.a për këtë periudhë. Tarifa e lënë në fuqi nga ana e rregullatorit për 6-mujorin e dytë të vitit 2016 reflekton vetëm koston e mirëfilltë të prodhimit të energjisë elektrike gjë e cila e bën të vështirë shlyerjen në kohë të interesave të overdrafteve të trashëguara dhe realizimin e investimeve nga ana e KESH sh.a.

Duke filluar nga viti 2017, shoqëria KESH sh.a., parashikon të nisë një fazë të re të funksionimit të saj në tregun e energjisë elektrike, duke u orientuar drejt funksioneve të saj natyrale (prodhimi dhe tregtimi i energjisë elektrike).
Referuar sa më sipër, të ardhurat që do të krijohen nga shoqëria KESH sh.a., në ushtrimin e funksionit të prodhuesit dhe tregtuesit të energjisë elektrike, do t’i mundësojë shoqërisë mbulimin e të gjitha shpenzimeve, kryerjen e investimeve dhe shlyerjen e borxheve të krijuara.

Si do të ndikojë modeli i ri i tregut të energjisë në pozicionin financiar të KESH?

Miratimi i ligjit nr. 43, datë 30.04.2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” erdhi si nevojë e përafrimit të kuadrit ligjor dhe rregullator shqiptar me atë europian në fushën e energjisë elektrike, referuar kjo dhe detyrimeve që ka Shqipëria si anëtare në Traktatin e Komunitetit të Energjisë.

Ky ligj bën një përafrim të plotë me Direktivën 2009/72/ KE “Mbi rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm të energjisë elektrike” dhe ka për qëllim garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike të klientëve nëpërmjet krijimit të një tregu funksional dhe konkurrues të energjisë elektrike, duke marrë në konsideratë interesat e klientëve, sigurinë dhe cilësinë e shërbimit të furnizimit me energji elektrike, duke synuar, ndër të tjera, integrimin e tregut shqiptar në tregun rajonal dhe atë europian të energjisë elektrike.

Të gjitha nismat e deritanishme si dhe projektet që po diskutohen si në nivel kombëtar ashtu edhe europian, kanë për qëllim unifikimin e tregjeve të energjisë (market coupling), duke synuar rritjen e konkurrencës nëpërmjet ndarjes së qartë të segmentit të tregtimit me shumicë dhe atij me pakicë, si dhe pjesës së liberalizuar dhe asaj të rregulluar të tregut të energjisë.

Reformimi i thellë i sektorit elektroenergjetik si dhe përafrimi i legjislacionit shqiptar për energjinë elektrike me atë të Bashkimit Europian (Paketa e 3-të e Energjisë e Bashkimit Europian) kalon nëpërmjet një faze transitore, e cila i referohet periudhës nga momenti i miratimit të ligjit Nr.43/2015 dhe deri në momentin që do të finalizohet krijimi i Bursës Shqiptare të Energjisë (Albanian Power Exchange).

Miratimi i VKM-së Nr.244, datë 30.03.2016 “Për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik, që do të zbatohen ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike, të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike” i cili shërben dhe si model i përkohshëm i tregut, është një hap tjetër përpara në zbatimin e parashikimeve të ligjit Nr. 43, datë 30.04.2015 ‘Për sektorin e energjisë elektrike’”.
Referuar parashikimeve të bëra në Modelin e Përkohshëm të Tregut të Energjisë Elektrike, shoqëria KESH sh.a ka detyrimin të ofrojë përkundrejt Furnizuesit të Shërbimit Universal (OSHEE sh.a.) sasinë e energjisë elektrike, që përcaktohet bazuar në regjimin racional shumëvjeçar të shfrytëzimit të kapaciteteve gjeneruese, e cila shkon për plotësimin e kërkesës për energji elektrike të klientëve fundorë që përfitojnë nga Shërbimi Universal i Furnizimit. Gjithashtu ky Model i Përkohshëm Tregu i jep mundësi shoqërisë KESH sh.a., të operojë në tregun e energjisë elektrike dhe të krijojë të ardhura nëpërmjet shitjes me çmime tregu të sasisë së energjisë elektrike që do të rezultojë pas përmbushjes së detyrimit për shërbim publik.

Në këto kushte, KESH sh.a përveçse do të operojë në tregun e energjisë elektrike si një kompani prodhimi ndaj së cilës është vendosur detyrimi për shërbim publik, detyrim i cili duhet të justifikohet si i domosdoshëm, jo diskriminues dhe proporcional ndaj të gjithë pjesëmarrësve të tregut të energjisë elektrike, do të ketë mundësi të ushtrojë funksionin e saj natyral të prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike në tregun e parregulluar (liberalizuar).

Kjo mënyrë e re e organizimit dhe funksionimit të tregut shqiptar të energjisë elektrike do t’i krijojë mundësi shoqërisë KESH sh.a të bëjë një shfrytëzim më efektiv të burimeve hidrike ekzistuese, duke hedhur vështrimin drejt mundësisë për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nëpërmjet zbatimit të teknologjive të reja që garantojnë efektivitet, siguri dhe çmime konkurruese.

Cilat janë disa nga sfidat që ju pengojnë për një rritje edhe më të shpejtë?

Ndonëse ligji 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” parashikon jetësimin e politikave zhvillimore të qeverisë shqiptare për reformimin strukturor, financiar dhe komercial të sektorit, i cili njëkohësisht me arritjen e qëndrueshmërisë financiare dhe pavarësisë nga buxheti i shtetit duhet të garantojë sigurinë e furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve me çmime të pranueshme të vendosura në një treg të liberalizuar gradualisht, konkurrues dhe transparent, vonesat e krijuara në miratimin e akteve rregullatore në zbatim të tij zgjasin periudhën tranzitore deri në liberalizimin e plotë të tregut të energjisë elektrike.

Një situatë e tillë nuk mundëson ushtrimin nga shoqëria KESH sh.a., të funksionit të saj natyral të prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike në një treg të organizuar bazuar në parimet e konkurrencës, transparencës dhe barazisë.
Shoqëria KESH sh.a., ndjek në vijimësi zhvillimet në tregun shqiptar të energjisë elektrike dhe është e gatshme të ushtrojë funksionet e saj, duke qenë e përgjegjshme dhe kërkuese ndaj vetes, në mënyrë që si prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në Shqipëri, të japë e para shembullin e qasjes ndaj praktikave më të mira të vendeve europiane të cilat kanë përjetuar një përvojë më të hershme të kalimit nga një treg plotësisht i rregulluar (monopolist) në një treg të liberalizuar të energjisë elektrike.