Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Reduktim kamatash abonentëve korrekt

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri shoqëruar nga administratori i Operatorit të Shpërndarjes Adrian Çela ishin sot në një prej Qendrave të Kujdesit ndaj Klientit në Tiranë ku bashkëbiseduam me familjarë përfitues nga skemat lehtësuese të shlyerjes së borxheve të prapambetura të energjisë.

Për periudhën 2014-2016 rezulton të jenë nënshkruar në total 424,405 aktmarrëveshje mes abonentëve familjarë dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Rreth 65 mijë prej tyre janë lidhur prej abonentëve me ndihmë ekonomike, pensionistë kryefamiljarë dhe me status të veçantë. Deri më tani, nga të gjitha aktmarrëveshjet për familjarë, kanë përfituar reduktim kamatash 225,312 abonentë në vlerën totale prej 4,6 miliard lek.

Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësues të familjeve në nevojë, ministri Gjiknuri tha se ata kanë qenë vazhdimisht në vëmendjen e qeverisë ndërsa vlerësoi faktin se këta abonentë pavarësisht vështirësive ekonomike i janë përgjigjur pozitivisht kësaj nisme.

“Janë 424 mijë konsumatorë familjarë të cilët i janë përgjigjur pozitivisht të gjithë këtij aksioni në dy vjet. Po diskutojmë tanimë dhe shqyrtojmë mundësinë që në fund të vitit, të mund të ndihmojmë edhe më tej familjet në nevojë. Pra të fillohet të eliminohet edhe një pjesë e borxheve të vjetra për qytetarët. Kuptohet për ata njerëz që kanë qenë të rregullt, siç keni qenë ju”, u shpreh z.Gjiknuri.

Ju garantoj, vijoi ai, se në fund të vitit do të keni lajme shumë të mira në këtë drejtim. “Të gjithë qytetarët e rregullt që iu bashkuan kësaj reforme kontribuan e ne ju kemi një borxh. Do t’jua kthejmë këtë borxh duke iu bërë lehtësira të tjera financiare. Pse? Kush është i rregullt shteti e shikon. Kontribuon në shtet dhe do të marrësh diçka mbrapsht”, nënvizoi ministri Gjiknuri.

Administratori i OSHEE-së Çela tha se kompania po investon në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes por edhe në përmirësimin e shërbimit ndaj klientit.

“Sot jemi këtu në një qendër e cila është e re. Është investuar në këtë qendër jo vetëm pllaka e dritare, uniformat e personelit, por është implementuar një sistem ku që nga momenti që hyn, secili nga ju merr një numër sipas procedurës që do të kryejë pagesë, ankesë, kërkesë, aplikim dhe ulet në sportelit përkatës. Gjithë këtë procedurë ne e monitorojmë online me kamera nga qendra. Për të parë edhe sjelljen e secilit punonjës”, u shpreh Çela.

Duke u ndalur tek angazhimi për mbështetjen e familjeve në nevojë, Çela sqaroi se po parashikohet që në fund të vitit, specifikisht për kategorinë e familjeve me ndihmë ekonomike, invaliditetit dhe pensionistët kryefamiljarë, të cilët kanë qenë të rregullt me pagesën e energjisë elektrike e të kamatëvonesave në aktmarrëveshje, të ketë një reduktime dhe të mëtejshme.

“Ndoshta edhe një pagesë simbolike dhe zerim të kamatëvonesës. Këshilli Mbikëqyrës dhe Asambleja janë duke i parë, duke bërë llogaritë përkatëse dhe brenda Dhjetorit do të dilet me një propozim të ri që besoj do të jetë një ndihmë për familjet tuaja”, theksoi Çela.

energjia.al  26.10.2016