Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Masterplani i gazit, gati drafti i vlerësimit mjedisor

Qeveria ka gati draftin paraprak për Vlerësimin Mjedisor të gazifikimit të vendit. Një dokument i rëndësishëm që ka të bëjë me ndikimin në mjedis të gazifikimit e pa të cilin nuk mund të miratohet Masterplani, sepse është kusht.
Tri janë dokumentet kryesore: Masterplani i gazit, Vlerësimi Strategjik Mjedisor dhe lista me projektet prioritare që hartohen brenda fondit 1.1 milionë euro të dhënë nga insitucionet europiane.
Mësohet se gjatë periudhës tetor – nëntor 2016, ky draft do t’i nënshtrohet konsultimit të detyrueshëm me grupet e interesit, rezultatet e së cilës do t’i shërbejnë Ministrisë së Mjedisit për raportin përfundimtar dhe lëshimin e lejes mjedisore.
Përmes këtij dokumenti, Ministria e Mjedisit do të japë qëndrimin e saj në lidhje me pasojat që mund të sjellë zbatimi i masterplanit të gazit. Ky është kusht për marrjen në shqyrtim dhe miratimin nga ana e KKRRT-së.

Disa nga gjetjet e raportit paraprak të Vlerësimit Mjedisor lidhen kryesisht me përzgjedhjen e korridorit të gazsjellësit dhe kërkohet që gjatë projektit të detajuar të merren në konsideratë këto propozime:

-Nga TAP në Levan të ndiqet autostrada e re Fier – Vlorë, në mënyrë për të minimizuar kufizimet në përdorimin e tokës.
– Nga Levani në Vjosë të vlerësohen dy mundësi: njëra përgjatë rrugës së re Fier – Vlorë; tjetra përgjatë hekurudhës. Vlerësimi i këtij segmenti duhet të bazohet në pronësinë mbi tokën (shtetërore ose private).
-Nga Skrofotina në Vlorë të përzgjidhet korridori që kalon nëpër tokat shterpe (toka të kripura) përgjatë anës perëndimore të autostradës së re Fier-Vlorë, për të minimizuar ndikimet negative në përdorimin e tokës, dhe për të shmangur kufizimet e tokës dhe ndikimet e mundshme sociale
-Nga lumi Vjosa në Skrofotinë e deri në Vlorë të analizohen qartë ndikimet në mjedis
-Nga Vlora për në TEC duhet të minimizohet ndikimi negativ mbi pyllin halor të Sodës duke zgjedhur rrugën më të shkurtër, e cila prek sa më pak sipërfaqe pyjore.

Gjithashtu u vlerësua se ndërtimi i gazsjellësit Gjirokastër-Sarandë-Delvinë do të ishte joekonomik. Ndërsa dega e gazsjellësit Fieri-Marinëz është e nevojshme për furnizimin me gaz të Bankers Petroleum.
Konsorciumi COwI-IPF është kontraktuar nga Ministria e Energjetikës dhe Industrisë (MEI) për të përgatitur Master Planin e Gazit për Shqipërinë (MPG) dhe Planin e Identifikimit të Projekteve prioritare (PIP) që synojnë zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm të gazit natyror që do kontribuojë në përmirësimin e sistemit të energjisë, sigurisë së furnizimit me gaz, konkurrencës në fushën e energjisë, dhe në mbrojtjen e mjedisit. Në korrik 2015, MEI kërkoi që konsulenti të kryente edhe studimin mbi Vlerësimin Strategjik Mjedisor (VSM) në të njëjtën kohë me hartimin e Masterplanit të Gazit.
Në fund të këtij viti, parashikohet të përfundojë edhe hartimi i listës së projekteve prioritare.
Para viteve ‘90, Shqipëria ka pasur një sektor të rëndësishëm gazi natyror, i cili tashmë është pothuajse inekzistent. Prodhimi i gazit ka rënë nga 1 mmk në vitin 1982 në 0.01 mmk në vitet e fundit. Një sistem tërësisht i ri transmetimi dhe shpërndarjeje gazi është i domosdoshëm për të ringritur këtë sektor.
Vetëm Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, nuk janë lidhur me linjat ndërkombëtare të transmetimit të gazit. Ajo ka vetëm një sistem krejtësisht të izoluar të sistemit të shpërndarjes së gazit, aktiviteti i të cilit është mjaft i reduktuar dhe i përqendruar në pjesën jugore të vendit, ku mbulon furnizimin e rafinerive të naftës në Ballsh dhe Fier nga vendburimet e Divjakës dhe Frakullës, si dhe nga gazi shoqërues në vendburimet e naftës afër Ballshit. Aktualisht Shqipëria ka dy rafineri nafte, një në Ballsh dhe një në Fier me kapacitet të kombinuar 1 Mt/vit, por të dyja punojnë me 40-50% të kapacitetit. Industri të tjera të tilla si uzina e plehrave kimike në Fier, që ishte një konsumatore e madhe e gazit natyror në vitet ’70, është mbyllur. Gazifikimi i Shqipërisë dhe lidhja me rrjetin rajonal të gazit filloi me projektin TAP, i cili përbën edhe infrastrukturën kryesore furnizuese të gazit. Projekti IAP, i cili duhet të furnizohet me gaz nga TAP, përbën objektin e dytë të rëndësishëm të gazifikimit dhe furnizimit me gaz të Shqipërisë. Bazuar në kapacitetin transportues dhe vendndodhjen gjeografike, IAP përbën shtyllën kryesore të rrjetit të transmetimit të gazit në Shqipëri.
Si pjesë e zhvillimit fillestar të një masterplani të gazit, rrjeti i transmetimit të gazit në të gjithë Shqipërinë duhet zhvilluar me qëllim për të arritur të gjitha qendrat kryesore urbane, konsumatorët kryesorë industrialë, si dhe vendet fqinje, në një mënyrë sa më ekonomike të mundshme, dhe me një ndikim minimal në mjedis.

Revista Monitor,  25.10.2016

gazifikimi i shqiperise harte