Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Karburantet, ndryshimi i masave të sigurisë, i pazbatueshëm

Pas propozimit të ministrit të Brendshëm për rritjen e masave të sigurisë së pikave të karburantit, që parashikon, ndër të tjera, vendosjen e pompave automatike dhe heqjen e shërbimit cash, kanë reaguar operatorët e tregut. Të kontaktuar nga ‘Monitor’, ata pohojnë se vendimi është i pazbatueshëm për shumë arsye.
-Së pari, periudha 6-mujore është shumë e vogël, sepse duhen porositur pajisjet që të paktën duhen përshtatur që të funksionojnë nga euro apo dollarë në lekë.
-Së dyti, për një pikë karburanti, investimi minimal i kërkuar është rreth 35-40 mijë euro, që për rreth 1200 pika karburanti përkthehet në kosto shtesë prej rreth 45 milionë eurosh, që pa asnjë dyshim do të transferohej direkt në çmimin final që paguan konsumatori (Edhe sot nga çmimi prej rreth 165 lekë, rreth 105 lekë, apo rreth 65% janë taksa).
-Së treti, nëse ky investim do të bëhej, ai do të linte automatikisht pa punë mijëra punonjës. Sot në një pikë karburanti punojnë mesatarisht 5 persona (pikat e vogla kanë të paktën tre, nga një për turn dhe të mëdhatë arrijnë deri në 10). Mesatarisht ky investim do nxirrte pa punë rreth 5-6 mijë punonjës.
-Së katërti, edhe në vendet e zhvilluara nuk funksionojnë tërësisht pikat e shitjes automatike dhe ka të paktën një pikë shitje me pompë manuale. Tjetër problem është dhe fakti që përdorimi i kartave të kreditit në Shqipëri është i ulët dhe sërish blerjet në pikat automatike do të ishin kryesisht me cash, duke u bërë objekt i grabitjes në momentin që do futen paratë në automat.
-Së pesti, operatorët e tregut pohojnë se vjedhjet në pikat e karburantit nuk janë aq shqetësuese, sa të justifikojnë një investim të tillë. Shuma maksimale e parave të vjedhura ka arritur deri në 200 mijë lekë, ndërsa mesatarisht janë vjedhur 20 apo 30 mijë lekë, aq sa mund t’i merren dhe një personi në rrugë, apo në një dyqan të vogël.

Por dy elementët më të rëndësishëm që ata veçojnë janë së pari që kostot shtesë do transferoheshin në çmimin e naftës si dhe pushimin nga puna të mijëra punonjësve që shërbejnë sot në tregtimin me pakicë të karburanteve.

Propozimi i Tahirit

Pak ditë më parë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u ka dërguar një shkresë drejtuesve të pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve në vend, ku u propozon të heqin shërbimin me para cash dhe të vendosin automatët elektronikë, duke shkuar kështu drejt vetëshërbimit.
Gjatë një takimi me përfaqësues të këtij sektori sot, Tahiri ka shpjeguar arsyet e kësaj kërkese.
“Unë ju jam adresuar me një letër që synoj bashkëbisedimin paraprak mbi të cilin duhet të shohim mënyrën sesi të marrim masa që këta faktorë nxitës t’i bëjmë zero, që të eliminojmë vjedhjen dhe grabitjen e karburanteve në të gjithë Shqipërinë: E para dhe më e domosdoshmja është eliminimi i parave cash gjatë natës në të gjitha pikat e karburanteve në Shqipëri dhe kjo të bëhet duke përdorur teknologjinë dhe duke përdorur mundësinë që paratë të mos i mbajë në xhep operatori shitës i karburantit, por të paktën gjatë natës, të jenë pjesë komunikimit që ka qytetari, konsumatori me një automat elektronik që garanton siguri maksimale. E dyta masë e domosdoshme është sistemi i kamerave. Thuajse të gjithë pa përjashtim sot keni bërë investimet tuaja personale, për të pasur një sistem kamerash, për të pasur në çdo pikë karburanti. Këtë e keni bërë si pasojë e vetëdijes stuaj se duhet ky investim për të qenë më të sigurt. Thuajse të gjithë e keni bërë këtë mbi bazën e njohurive personale apo profesionale pa një konsultim me policinë, sepse kjo çështje nuk ka qenë as në vëmendjen e policisë më parë”, tha ministri i Brendshëm.

Revista Monitor,  25.10.2016