Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

AKBN dërgon Bankers në arbitrazh

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN ) ankimoi raportin e ekspertëve të pavarur “Price Water House Cooper”, i cili i njohu kompanisë Bankers Petroleum nivelin e atyre që njihen si shpenzime të rikuperueshme prej 57 milionë dollarë të kundërshtuar nga qeveria shqiptare.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar në web-site  e AKBN-së, bëhet e ditur se “pas një konsultimi të gjatë me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Avokaturën e Shtetit vendosi që të ankimojë vendimin e  ekspertëve  ndërkombëtarë në Gjykatën e Arbitrazhit lidhur me çështjen “Bankers”. AKBN beson se kjo çështje me një sensibilitet të lartë publik, ka patur vëmendjen e të gjithë aktorëve në këtë proces dhe si e tillë, do të ketë një gjykim të drejtë në Gjykatën e Arbitrazhit, pasi jemi të bindur se elementët e gjetur në raportin auditit, të hedhur poshtë nga ekspertët janë të mjaftueshëm për këtë Gjykatë që t’i  japë të drejtë shtetit shqiptar”.

Konflikti mes qeverisë dhe kompanisë Bankers e ka zanafillën në vitin 2011, kur AKBN pretendon se kompania ka deklaruar 299 milionë dollarë shpenzime të pajustifikuara, duke fshehur kështu rreth 57 milionë dollarë taksa.

Pas vendimit, tatimet bllokuan llogaritë e kompanisë dhe mblodhën me forcë detyrimin. “Bankers” kërcënoi me arbitrazh, por më vonë palët ranë dakord të pajtonin një ekspert të pavarur për ta shqyrtuar çështjen.

Një muaj më parë paneli i ekspertëve, i përbërë nga “Price Water House and Coopers” i dha të drejtë kompanisë kanadeze, një vendim ky që detyron qeverinë t’i kthejë asaj 37 milionë dollarë taksa mbrapsht dhe të heqë dorë nga arkëtimi i 20 milionë të tjerëve.

Sipas raportit të ekspertëve, nga 299 milionë dollarë shpenzime të pajustifikuara që pretendon AKBN se ka deklaruar “Bankers”, vetëm 22 milionë janë të tilla, ndërsa pjesa tjetër janë kosto të drejta.

Scan Tv,  22.10.2016