Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE: Skema e re, më lehtësuese

Mbi 20 mijë biznese kanë lidhur aktmarrëveshje me OSHEE për t’i paguar detyrimet me këste lehtësuese, nga e cila rreth 25% prej tyre e kanë paguar menjëherë borxhin ndaj kompanisë, duke përfituar reduktim të kamatës me 50%.

Gjithashtu, kompania OSHEE është duke investuar si në rrjetin shpërndarës, ashtu dhe në atë të shërbimeve, duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesave të vazhdueshme të abonentëve për rritje të cilësisë së furnizimit dhe ofrimit të produkteve/paketave që lehtësojnë bashkëpunimin dhe shlyerjen në kohë dhe sa më lehtë të detyrimeve.

Administratori i OSHEE-së, z.Adrian Çela zgjidhi qytetin e Elbasanit për të zhvilluar një bashkëbisedim në formë pyetje-përgjigje me abonentët jo familjarë, pra me biznesin.

“Takimin po e zhvillojmë enkas këtu, në ambientet e reja dhe moderne të qendrës së Kujdesit ndaj Klientit në Elbasan, investim ky i OSHEE që synon zbatimin e një sistemi të ri menaxhimi të trajtimit të pagesave dhe kërkesë/ankesave të abonentëve. Janë ndërtuar gjithsej 14 qendra të reja moderne në të gjitha rajonet kryesore të vendit, dhe po punohet për futjen e sistemit të ri menaxhues edhe në 20 qendra të tjera.
OSHEE i ka kushtuar dhe vijon ta ketë në fokus përmirësimin e shërbimit ndaj abonentit”, deklaroi kreu i OSHEE-së.

KNK-të “moderne”
Me anë të këtij sistemi modern elektronik, kompania monitoron me kamera dhe asiston në çdo hap/procedure trajtimin e klienteve, që nga momenti i paraqitjes në sportel, deri në mbyllje të ciklit. Në momentin që paraqitet ne KNK, klienti pajiset me një numër nga kioska e informacionit, me ndihmën e specialistit për përdorimin e pajisjes.

Kioska elektronike ka dy opsione zgjedhjeje për të shtypur butonin e marrjes se shërbimit. Numri që klienti zgjedh përkon me numrin e tavolinës/sportelit ku do të shërbehet. Përmes këtij sistemi bëhet e mundur menaxhimi i radhës së klientëve, shkurtohet koha e pritjes së tyre pasi krijohet një standard kohor për çdo kërkesë/ankesë.

AKM-të, këstet
Duke u ndalur te skemat aktuale, Administratori tha se, aktmarrëveshjet e reja, miratuar në maj për bizneset, kanë trefishuar afatet e shlyerjes se kësteve, dhe kjo ka ndikuar në reduktimin e shumës së këstit.

Mbi 20 mijë kontrata të privatit kanë AKM me OSHEE, deri në gusht 2016, rreth 25% prej tyre e kanë paguar menjëherë detyrimin, duke përfituar 50% reduktim kamate ose 3.2 milionë euro.

KËSTET e rishikuara
Deri në 100 mijë lekë 24 këste (2 vjet)
100,001 – 500,000 lekë 84 këste (7 vjet)
500,001 – 1,000,000 lekë 120 këste (10 vjet)
Mbi 1 milion lekë 144 këste (12 vjet)

*Biznesi që paguan të gjithë detyrimin me një këst, i reduktohet kamata me 50%

Një pjesë e bizneseve të pranishme në takim kishin aktmarrëveshje me OSHEE dhe kryesisht u shprehën të kënaqur për mundësinë e zbatimit të skemës së re, në raport me të parën, pasi shpreheshin ata “kishte afate të shkurtra dhe këste të larta”.

Investimet
Administratori foli pak edhe për investimet në qytetin dhe rajonin e Elbasanit.
“Ka përfunduar në prill 2016 investimi i rikonstruksionit të rrjetit TU të 44 kabinave te tjera të qytetit Elbasan. Vlera investimit rreth 90 milionë lekë. Gjithashtu, kanë nisur në qershor 2016 dy investime të reja, me vlerë 180 milionë lekë në qytetin e Elbasanit”, tha Çela. Sipas tij, në total, investimet për Elbasanin deri në 2016-n arrijnë në 4.7 milionë Euro.

Shqetësim për bizneset ishte trajtimi i çështjes së kabinave private, ku një pjesë e mirë nuk mirëmbahen, duke sjellë pasoja negative në furnizimin me drita për popullatën. Ata kërkuan nga administratori që t’i gjendet një zgjidhje juridike fatit të mbi 12 mijë kabinave në rang vendi, që janë private, për të cilat OSHEE nuk ka asnjë detyrim për t’i menaxhuar.

“Është problem edhe për ne si OSHEE, jo vetëm për ju si biznese. Kemi paraqitur në ERE disa zgjidhje të këtij ngërçi. Megjithatë, shumë biznese kanë pranuar të bashkëpunojnë me OSHEE-në për kabinat private dhe kanë gjetur zgjidhje.

Aplikacioni – OSHEE Mobile
Në fund të takimit, administratori tregoi përmes telefonit të tij, shërbimin më të ri të kompanisë ndaj abonentëve: OSHEE Mobile. Ky aplikacion është i disponueshëm për çdo abonent që ka telefon smart.

energjia.al  21.10.2016