Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP: Përfitimet e reja që do negociojë Shqipëria

Dritan Spahiu: Rritja e të ardhurave fiskale për shtetin shqiptar dhe përmirësimi i parashikimeve ligjore në marrëveshje.Projekti TAP e kthen Shqipërinë në një nyje për furnizimin me gaz për rajonin, duke i dhënë rol gjeostrategjik vendit tonë. 

Bisedoi: Inva Hasanaliaj

Ndërtimi i gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme për zhvillimin e një tubacioni që do të transportojë gaz natyror nga rajoni Kaspik në drejtim të Evropës. Pjesë e këtij projekti është edhe vendi ynë gjatë të cilit do të vendosen në dispozicion të tij 125 km në pjesën tokësore dhe 37 km në pjesën detare në ujërat territoriale shqiptare të Detit Adriatik. Përfitimet që do të ketë Shqipëria nga ky bashkëpunim përllogariten të mëdha megjithatë krahasuar me vendet e tjera përfitimet duket se janë minimale.

Gjatë një interviste për gazetën Mapo, Dritan Spahiu, Drejtori i Drejtorisë së Politikave dhe Zhvillimit të Hidrokarbureve pohon se ekzistojnë disa kushte jo shumë të favorshme në marrëveshjen e TAP me qeverinë shqiptare, krahasuar me marrëveshjen e TAP me Greqinë megjithatë procesi i negocimit ende nuk ka përfunduar. Për sa i përket çështjes mbi taksën e tranzitimit ai është shprehur se: “Thelbi i të gjitha akteve të BE-së për sektorin e gazit natyror është krijimi i një tregu konkurrues në të gjitha vendet anëtare, i cila presupozon se pjesëmarrësit e tregut të një vendi të caktuar kanë të drejtën të përdorin pa asnjë diskriminim sistemet e transmetimit të vendeve të tjera të BE-së, pa qenë të detyruar të paguajnë ndonjë pagesë tranziti. Pra, mungesa e taksës se tranzimit është detyrim që rrjedh nga Direktivat e BE”

A ka mundur plotësisht vendi ynë të negociojë për kushte të cilat do ta favorizojnë atë në këtë projekt? Kush janë disa prej pikave më të rëndësishme?

Grupi negociator që drejtohet nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë në bashkëpunim me konsulentët ndërkombëtarë ka evidentuar se ekzistojnë disa kushte jo shumë të favorshme në marrëveshjen e TAP me qeverinë shqiptare, krahasuar me marrëveshjen e TAP me Greqinë. Procesi i negocimit po vazhdon intensivisht dhe është duke përfunduar, për të sjellë në një balancë të plotë përfitimet e Shqipërisë nga projekti TAP, në të njëjtin nivel siç i ka marrë edhe Greqia. Duke pasur parasysh se gazsjellësi TAP kalon në 3 vende: Shqipëri, Greqi dhe Itali, është shumë e rëndësishme që tri shtetet të kenë përfitime të njëjta, duke pasur parasysh edhe ndikimin në vetë qëndrueshmërinë e projektit gjatë gjithë kohëzgjatjes së tij. Lidhur me disa prej çështjeve të rëndësishme që lidhen me negocimin për ndryshimin e marrëveshjes me TAP, janë: – Rritja e të ardhurave fiskale për shtetin shqiptar, duke ndryshuar klauzolat e stabilitetit fiskal në përputhje me marrëveshjen e Greqisë. – Përmirësimi i parashikimeve ligjore në marrëveshjen, duke e bërë të njëjtë me marrëveshjen e Greqisë. – Përgatitja e një pakete të plotë investimesh të shoqërisë TAP për shtetin shqiptar, ku përfshihen investime për komunitetin si dhe asistencë për zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri, – Brenda vitit 2016 ne do të kemi një kompani tonën të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror, e cila do të ketë mbështetjen e shoqërisë TAP dhe madje edhe kontratat e para, të cilat do të jenë në shërbim të TAP. Kjo do të jetë një njohuri tjetër që transferohet te kompanitë shqiptare dhe do të shërbejë si shtylla kryesore për ndërtimin edhe të rrjetit të gazit në Shqipëri.

Të ardhurat të cilat parashikohen nga projekti kapin një vlerë prej 5-5.6 milionë dollarë, si e shikoni ju këtë shifër? A është e mjaftueshme ose më saktë a mund të quhet një përfitim maksimal për shtetin shqiptar?

Përfitimet që parashikohen të merren nga projekti TAP nuk përfshijnë vetëm të ardhurat fiskale, por edhe përfitimet indirekte që lidhen me përfshirjen e kompanive nënkontraktore, duke rritur të ardhurat finale që përfitohen na ky projekt.

A përbën realisht Shqipëria një nga arteriet kryesore të shtrirjes së këtij projekti? (Pozicioni i Shqipërisë nuk është unik dhe asaj i duhet që të konkurrojë me një rrugë tjetër tranzitimi përmes Bullgarisë dhe Rumanisë.)

Shqipëria është pjesa fundore e Korridorit Jugor të gazit që fillon nga fusha gazmbajtëse e Shah Deniz 2 në Azerbajxhan dhe përfundon në Itali. Pra, prezenca e Shqipërisë në këtë projekt është shumë e rëndësishme sepse bën të mundur të kompletohet ky korridor vital, në mënyrë që gazi i Azerbajxhanit të mund të furnizojë Europën. Korridori Jugor i gazit është tashmë një projekt i konsoliduar dhe kontribuon ndjeshëm në diversifikimin e burimeve të energjisë, duke pasur mbështetjen e Bashkimit Europian dhe SHBA. Gjithashtu, Shqipëria është kthyer tashmë në një nyje për furnizimin me gaz të rajonit, duke pasur parasysh se gazsjellësit IAP (Shqipëri – Mal i Zi – Kroaci) dhe ALKOGAP (Shqipëri – Kosovë) janë projekte që mbështeten te furnizimi nga projekti TAP. Në momentin që projekti TAP u shpall fitues nga Konsorciumi i Shah Deniz 2, ai konkurronte dhe me projekte të tjera si ITGI apo Nabuco por u zgjodh TAP jo vetëm për pozicionin e tij por edhe për shkak të kostove të ulëta ekonomike.

banner_pipes_arrival_in_albania_tap tubaVendet e punës do të reduktohen me përfundimin e fazës së ndërtimit, a mund të cilësohet punësimi si një përfitim në terma afatgjatë sikurse është konsideruar deri më sot?

Është normale që punësimi në fazën e ndërtimit është më i lartë në krahasim me fazën e operimit, por duhet pasur parasysh se gjatë fazës se operimit, nëpërmjet efekteve zinxhir, do të punësohen mjaft operatorë shqiptarë për shkak të industrive mbështetëse që kërkohen për funksionimin e këtij projekti. Gjithashtu, projekti TAP do të shërbejë si shtylla kryesore për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për gazifikimin e Shqipërisë dhe për ketë arsye do të ndikojë në punësimin e stafit të nevojshëm, duke rritur kështu punësimin në këtë sektor.

Shqipëria nuk do të marrë asnjë taksë tranzitimi, (gjë që nuk është në përputhje me direktivat e BE-së ) a është negociuar kjo gjë më parë me BE?

Kjo është një çështje mjaft e rëndësishme dhe do të zgjatem pak për ta analizuar. Është e vërtetë që Shqipëria nuk do të marrë taksë tranzitimi (transit fee) për kalimin e projektit TAP në Shqipëri. Për të sqaruar çështjen e taksës së tranzitimit, duhet të mbajmë parasysh faktin që Shqipëria është anëtare e Traktatit të Kartës së Energjisë, si dhe gjithashtu është palë kontraktuese e Traktatit të krijimit të Komunitetit te Energjisë, dhe si e tillë është angazhuar të transpozojë dhe respektojë “acquis” e BE-së në sektorin e gazit natyror. Thelbi i të gjitha akteve të BE-së për sektorin e gazit natyror është krijimi i një tregu konkurrues në të gjitha vendet anëtare, e cila presupozon se pjesëmarrësit e tregut të një vendi të caktuar kanë të drejtën të përdorin pa asnjë diskriminim sistemet e transmetimit të vendeve të tjera të BE-së, pa qenë të detyruar të paguajnë ndonjë pagesë tranziti. Pra, mungesa e taksës së tranzitimit është detyrim që rrjedh nga Direktivat e BE. Në këtë kontekst, nuk praktikohet më trajtimi i ndryshëm i tranzitit dhe transmetimit. Për më tepër, modele të ndryshme tarifore, aksesi dhe Rregullat e Tregut për transmetimin e gazit natyror tani janë subjekt i aspekteve rregullatore të parashikuara në Paketën e Dytë dhe të Tretë të Energjisë dhe janë duke u përcaktuar nga autoriteti i pavarur rregullator. Duke qenë se gjatë negocimit dhe miratimit të HGA për projektin TAP është pasur në konsideratë që edhe për Shqipërinë do të zbatohet në përgjithësi Paketa e Tretë e Energjisë (sikurse edhe për Greqinë dhe Italinë që janë vende anëtare të BE), si dhe kërkesat e Kartës së Energjisë, pavarësisht se në atë kohë në Shqipëri ishte në fuqi ligji nr. 9946, datë 30.6.2008, edhe për çështjen e tranzitimit (ashtu si edhe për mjaft çështje të tjera) është zbatuar i njëjti standard sipas Paketës së Tretë të Energjisë. Tashmë Paketa e Tretë të Energjisë është transpozuar pothuajse plotësisht nga Ligji 102/2015 për Sektorin e Gazit Natyror.

Shqipëria do të përfitojë gaz me çmimet e tregut, çka do të thotë se do të paguajë një tarifë të njëjtë si çdo konsumator tjetër, a ka pasur ndonjë përpjekje për të negociuar mbi këtë pjesë?

Dëshiroj të theksoj se shoqëria TAP është përgjegjëse dhe e licencuar për transmetimin e gazit natyror dhe ndalohet që të ketë aktivitete të prodhimit apo furnizimit me gaz natyror.

Sidoqoftë, Ministria e Energjisë dhe Industrisë është në kontakt të vazhdueshëm me operatoret kryesore ndërkombëtarë për të siguruar sasitë e nevojshme të gazit natyror për gazifikimin e Shqipërisë. Lidhur me çmimet e furnizimit me gaz natyror, kjo është një çështje që po ndiqet me kujdes nga MEI por ky është proces kompleks që lidhet dhe me bursat ndërkombëtare.

Cilat janë kostot që Shqipëria mund të ketë si një vend tranzit?

Kostot që lidhen me kalimin tranzit të projektit TAP në Shqipëri lidhen kryesisht me çështjet e shpronësimit dhe mjedisit. Të dyja këto çështje janë ndjekur me kujdes të veçantë nga strukturat përkatëse të Ministrisë se Energjisë dhe Industrisë. Konkretisht, lidhur me shpronësimet/kompensimet për marrjen e tokës ku kalon ky projekt, është aplikuar Plani i Rehabilitimit të Jetesës, në bazë të standardeve më të forta të BERZH. Ky plan parashikon që dëmet e mundshme nga ndërtimi i projektit TAP të kompensohen në bazë të parimit të kostos së zëvendësimit, në mënyrë që pronarët e tokës jo vetëm të kompensohen në mënyrë të drejtë por edhe të kenë mundësi që të vazhdojnë jetesën e tyre në të njëjtën mënyrë si përpara ndërtimit të projektit TAP. Lidhur me çështjen e Mjedisit, përveç faktit që projekti është pajisur me leje mjedisi në përputhje me legjislacionin në fuqi, përsëri nga shoqëria TAP aplikohen standarde të larta për rehabilitimin e mjedisit. Në çdo rast, gjatë fazës së ndërtimit dhe operimit të gazsjellësit TAP do të ketë monitorime të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse për mjedisin, në mënyrë që të sigurohet që ndikimet negative të jenë minimale dhe jo me rrezik për popullatën.

TAP_route_Albania_harta gjurmaA mund të themi se përfitimet i kalojnë kostot në përfundim të këtij projekti?

Përfitimet e projektit TAP janë disa herë më të larta se kostot e tij, duke pasur parasysh se do të përbëjë bazën kryesore për krijimin e infrastrukturës së gazit natyror në vend, nëpërmjet ndërtimit të rrjetit të transmetimit por edhe të shpërndarjes. Gjithashtu projekti TAP e kthen Shqipërinë në një nyje për furnizimin me gaz për rajonin duke i dhënë rol gjeostrategjik vendit tonë.

Çfarë ndodh nëse përfitimet nuk përmbushen? Cilat janë disa prej penaliteteve të parashikuara? A ka një dispozitë të caktuar me ligj në këtë rast?

Marrëveshja e nënshkruar midis qeverisë shqiptare dhe shoqërisë TAP është miratuar me Ligjin 116/2013 dhe është e publikuar në Fletoren Zyrtare dhe është e aksesueshme për të gjithë publikun. Ndërkohë përfitimet kryesore po negociohen aktualisht dhe do jenë pjesë e marrëveshjes finale, ku do të përfshihen dhe penalitete në rast të mospërmbushjes së detyrimeve të TAP.

Në rast se ata që kanë vendosur tokën në përdorim nuk kompensohen si do të procedohet?

Kompensimi i personave që kanë vendosur tokën në dispozicion të projektit TAP realizohet me procedura transparente si dhe të gjitha kërkesat për shpronësim publikohen në Fletoren Zyrtare dhe/ose median e shkruar. Të gjithë personat e prekur nga ndërtimi i projektit TAP që kanë dokumentacion të rregullt për pronësinë e tokës do të kompensohen në bazë të Planit për Rehabilitimin e Jetesës. Ndërkohë personat që nuk posedojnë dokumentacion të rregullt po bashkëpunojnë aktualisht me shoqërinë TAP për finalizimin e dokumentacionit dhe do të kompensohen në mënyrë të plotë. Me gjithë kompleksitetin e këtij procesi, duke pasur parasysh se janë me mijëra parcela që preken, vlerësojmë se kompensimi po ecën në rrugë të mbarë.

Revista Mapo,  20.10.2016