Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE blen 5.5 mln euro energji për tetorin

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njoftoi se ka finalizuar garën për blerjen e energjisë për muajin tetor, ku u blenë 133,920 MW, të cilat kushtuan më shumë se 5.5 milionë euro.

Te katër kompanitë që janë përzgjedhur për të negociuar sasitë shihet se tre pjesëmarrësit e mëdhenj në garë EFT, GSA dhe NOA që ofruan 98 për qind të energjisë që kërkoi OSHEE ofruan çmime të njëjtë me 41.6 euro për MW.

Ky është tenderi i dytë që OSHEE shuan gati plotësisht hendekun e çmimeve me bursën e Hungarisë e cila merret si referencë.  Çmimet në fashat bazë në bursën e Hungarisë janë aktualisht mbi 39 euro për MW.

Siç shihet nga të dhënat e garës, pjesëmarrëse në tender është edhe shoqëria Devoll Hydropower, e cila pak ditë më parë ka zyrtarizuar prodhimin në HEC-in e Banjës.

OSHEE sqaron se Shoqërisë Devoll Hydropower nuk iu pranua sasia prej 15 MW ne profilin band për shkak të plotësimit të sasisë së kërkuar.

Kompania publike e shpërndarjes së energjisë, OSHEE pritet që shumë shpejt të çlirohet nga detyrimi për të furnizuar konsumatorët e mëdhenj me energji elektrike. Pasi deri në fillim të vitit që vjen duhet të furnizohen në tregun e lirë të energjisë mbi 6200 biznese konsumatorë nga rrjeti 35 dhe 20 kilovolt i energjisë.

Operatori i Shpërndarjes shpenzoi për importet e energjisë 88 milionë euro gjatë 2015.

Vlera mujore e importit ishte 7 milionë euro. Shpenzimet më të larta për importe u shënuan në muajt janar dhe shkurt përkatësisht me 11.6 dhe 10.1 milionë euro, ndërsa vlerat më të ulëta në muajt maj dhe qershor respektivisht, me 3.8 dhe 4.7 milionë euro.

Modeli aktual i tregut të energjisë e detyron OSHEE të importojë nga jashtë energji për të mbuluar humbjet e energjisë në rrjet. Por duke qenë se niveli i tyre është reduktuar ndjeshëm, kjo ka sjellë edhe uljen e shpenzimeve të OSHEE për import.

Revista Monitor,  30.09.2016