Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria fiton një muaj për apelimin ndaj Bankers

Qeveria do të apelojë brenda një muaji vendimin e auditorit të pavarur që detyron qeverinë shqiptare t’i kthejë  37 milionë USD kompanisë Bankers Petroleum dhe të arkëtojë pjesën tjetër prej 20 milionë dollarësh, që tatimet kërkonin të mblidhnin. Burimet nga Ministria e Energjetikës bëjnë me dije se ky afat është në një marrëveshje me palën tjetër.

Apelimi i vonuar është kërkuar nga Ministria e Energjetikës për t’i lënë kohë grupit të ekspertëve të shqyrtojnë thellë çështjen dhe të mbledhin prova të reja, pohuan të njëjtat burime.

Shtyrja e afatit është arritur në dakordësi me Avokatin e Shtetit, AKBN, Ministrisë së Industrisë dhe Bankers, pasi duhet një volum i madh pune për të argumentuar apelimin në një gjykatë arbitrazhi.

Ndërkohë AKBN dhe Ministria e Energjetikës kishin vetëm 5 ditë kohë të apelonin vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit dhe ky afat ka mbaruar sot.

Pak ditë më parë, studio ligjore “Curti” i ka kërkuar Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) të ankimojë raportin e ekspertit të pavarur Price Waterhouse Cooper, i cili i dha të drejtë Bankers Petroleum, ndryshe qeveria shqiptare do të paguajë ndaj  Bankers shumën prej 65 milionë eurosh, në të cilën përfshihet refuzimi i Bankers për t’i paguar qeverisë 57 milionë dollarë taksa dhe 8 milionë të tjera penalitete.

Studio ligjore e ka argumetuar kërkesën e saj për ankim me faktin se, të mos ankimosh është gjest i papjekur thjesht të ndalesh dhe të mos ndjekësh mekanizmat ligjorë që ke në dispozicion, kur praktikat kanë treguar se mund të dalësh fitimtar.

Sipas studios ligjore, mundësitë e palës shqiptare për të fituar nëse apelon janë shumë më të mëdha nëse kemi parasysh faktin se raporti i ekspertit të pavarur ka gabime të dukshme.

Pak kohë më parë, Bankers Petroleum Ltd., ka njoftuar se raporti auditues i palës së tretë mbi mosmarrëveshjen e taksave për vitin 2011 është lëshuar, duke vendosur se Bankers i ka deklaruar të sakta shpenzimet e tij si kosto të rimbursueshme në vitin 2011, bazuar në licencë-marrëveshjen hidrokarbure.

Siç është rënë dakord më parë me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Bankers, vendimi është një zgjidhje përfundimtare dhe si e tillë autoritetet e taksave në Shqipëri do të rillogarisin detyrimet e taksave për vitin 2011 dhe do të përcaktojnë mekanizmin e duhur për të zgjidhur ose për të rimbursuar Bankers-in për pagesat e bëra deri më tani. Kompania i ka paguar në total 37 milionë dollarë deri më 30 qershor 2016 zyrës së taksave si derdhje për tatiminfitimin e vlerësuar për vitin 2011.

Pala e tretë audituese është përbërë nga një panel i përbashkët me ekspertë të Pricewaterhouse Coopers dhe kompanisë konsultuese Navigant, bazuar në termat e referencës të firmosura dhe deklaruara më 24 shkurt 2016. Të gjitha palët janë angazhuar për të përdorur këto rezultate të palës së tretë audituese si bazat për përcaktimin e kostove të rimbursueshme hidrokarbure për vitet në vijim.

Konflikti mes Bankers Petroleum dhe tatimeve ka lindur në mesin e vitit të kaluar, pasi Albpetrol nuk i ka njohur Bankers Petroleum 220 milionë dollarë shpenzime të vitit 2011. Në bazë të raportit të Albpetrol, Tatimet iniciuan një pagesë prej 57 milionë dollarësh, që Bankers u detyrohej tatimeve, shumë që ka arritur në 75 milionë dollarë së bashku me gjobat dhe kamatat.

Ky është një detytrim që shteti shqiptar pretendon se kompania e ka shmangur, duke raportuar shpenzime më të larta se ato reale, për të ulur normën e fitimit dhe rrjedhimsiht duke shmangur pagesën e taksasve, sikundër parashikohet në marrëveshjen koncesionare. Sipas marrëveshjes në fjalë, kompania, në momentin që rikuperon shpenzimet kapitale, duhet të paguajë 50% tatimfitimi.

Revista Monitor,  24.09.2016