Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OST, Zeqo: Bizneset të mos frikësohen nga liberalizimi tregut

Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Engjëll Zeqo, tha se bursa shqiptare e energjisë elektrike do të krijohet nga ministri i Industrisë dhe Energjetikës brenda datës 31 mars 2017 dhe do të jetë e hapur për pjesëmarrjen e OST-ve të tjera fqinjë në strukturën e pronësisë së bursës.

Në një intervistë për Monitor, ai garanton konsumatorët që dalin në tregun e lirë të energjisë të mos frikësohen nga procesi i hapjes së tregut të energjisë elektrike. “E kuptoj që fillimisht furnizimi i energjisë elektrike në tregun e lirë do të dojë njëfarë kohe dhe pak përvojë për ndryshimin e furnizuesit, por ju siguroj se ligji i sektorit aktualisht u ka dhënë këtyre konsumatorëve të gjitha mundësitë dhe mbrojtjet e nevojshme për të siguruar furnizimin e tyre të sigurt nga tregu i lirë i energjisë elektrike me çmime dhe më konkurruese sesa furnizimi nga një furnizues i vetëm i cili është monopol”, shpjegoi Zeqo.

Zoti Zeqo, me miratimin e ligjit të ri për Sektorin e Energjisë dhe modelit të ri të tregut si do të funksionojë OST dhe specifikisht Operatori i Tregut (OT)?

Duhet theksuar në radhë të parë se Ligji i ri i Sektorit të Energjisë Elektrike miratuar në prill të 2015-s është në përputhje të plotë me paketën e tretë legjislative të BE-së për Energjinë dhe ka marrë paraprakisht miratimin e Sekretariatit të Energjisë në Vjenë, një institucion partner dhe monitorues i ngritur në zbatim të Traktatit të Vendeve të Europës Juglindore, pjesë e së cilës është dhe Shqipëria. Në zbatim të parashikimeve të Ligjit dhe Modelit të ri të Tregut të Miratuar me VKM në korrik 2016, OST sh.a. i dalin një sërë detyrash të cilat lidhen me zhvillimin dhe fuqizimin e sistemit të transmetimit si dhe rritjen e cilësisë së furnizimit me energji elektrike.

Një aspekt mjaft i rëndësishëm i ligjit është dhe ndarja e plotë e pronësisë së OST sh.a. nga të licencuarit e tjerë të cilët kryejnë rolet e prodhuesit apo furnizuesit të energjisë elektrike. Ky parashikim mundëson rritjen e pavarësisë së OST sh.a. nga pjesëtarët e tjerë të licencuar siç janë KESH apo OSHEE, duke rritur gjithashtu transparencën dhe mosdiskriminimin e pjesëtarëve të tregut, qofshin këta publikë apo privatë.

Një ndër parashikimet e ligjit, është dhe hapja graduale e tregut të furnizimit me energji elektrike të klientëve, i cili fillon me 01/07/2016 me klientët e lidhur në 35 kV dhe përfundon në 1 janar 2018 datë në të cilën, të gjithë klientët e lidhur në tension të mesëm janë të detyruar të blejnë energji elektrike në tregun e parregulluar. Në këtë prizëm, OST sh.a. është duke ndërmarrë me financim të Bankës Botërore projektin për instalimin e sistemit të matjes të konsumatorëve të lidhur në tension të mesëm për të bërë të mundur zbatimin e këtij përcaktimi sipas afateve ligjore.

Sipas parashikimeve të Ligjit të ri të Sektorit të Energjisë Elektrike 43/2015, Operatori i Tregut do të jetë një kompani e ndarë ligjërisht dhe financiarisht nga Operatori i Sistemit të Transmetimit me VKM brenda 31 dhjetorit të vitit 2017. Aktualisht, rolin e operimit të tregut, e cila lidhet me menaxhimin e tregut të energjisë elektrike dhe përgatitjen e pasqyrave financiare për shlyerjen e detyrimeve të ndërsjella për disbalancat e shkaktuara nga pjesëmarrësit e tregut kryhet nga ana e OST sh.a. Në këtë prizëm, nga ana e OST sh.a. janë duke u marrë masat për ndarjen organizative të Operatorit të Tregut brenda OST sh.a. që do t’i paraprije ndarjes financiare dhe ligjore të saj nga OST sh.a.

Operatori i tregut do të ketë një rol tejet të rëndësishëm në menaxhimin e tregut të lirë të energjisë elektrike në vend.

Sipas rregullores së ERE, Operatori i Tregut do të ketë funksionin e një “burse” energjie, pasi do të tregtojë energji, sipas modelit “Day Ahead” ose “Një ditë para”. Ju lutem na jepni një shpjegim se çfarë risie sjell kjo në tregtimin e energjisë?

Përcaktimi nuk është i saktë, pasi bursa e energjisë elektrike do të jetë një institucion i pavarur dhe jo Operatori i Tregut të Energjisë Elektrike sipas parashikimeve të ligjit 43/2015 dhe Modelit të ri të tregut, miratuar me VKM në korrik 2016. Sipas parashikimeve të po këtij modeli, një pjesë e tregtimit të energjisë elektrike do të bëhet nëpërmjet bursës së energjisë elektrike, e cila ka si objektiv përfundimtar integrimin e tregut energjetik shqiptar në bashkimin e tregut paneuropian.

Bursa shqiptare e energjisë elektrike do të krijohet nga ministri i Industrisë dhe Energjetikës, brenda datës 31 mars 2017 dhe do të jetë e hapur për pjesëmarrjen e OST-ve të tjera fqinjë në strukturën e pronësisë së bursës. Paraprakisht duhet thënë se janë zhvilluar bisedime me Kosovën, e cila ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për përfshirjen në strukturën e bursës shqiptare, fakt i cili do të mundësonte bashkimin e tregjeve të të dy vendeve duke optimizuar burimet e ndërsjella dhe duke shfrytëzuar maksimalisht linjën e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Kosovë, e cila u vu në punë rishtazi.

Duhet theksuar se tregtimi i energjisë elektrike është risi në vendin tonë dhe në rajon, por është një procedurë funksionale në të gjitha vendet e BE-së prej një kohe të gjatë. Duhet pasur parasysh se energjia elektrike nuk është mall, siç janë mallrat e tjerë, por është komoditet, siç është nafta apo kromi, dhe si e tillë, nuk ndryshon as në cilësi apo veti të tjera si e tillë, tregtimi në bursë do të përcaktojë një çmim për blerjen dhe shitjen e saj, çmim i cili do të përcaktohet nga kërkesa dhe nga oferta e tregut të lirë. Në këtë mënyrë, tregu do të përcaktojë saktësisht çmimin e shitjes dhe të blerjes së saj. Të gjithë pjesëmarrësit në bursë do të shesin dhe do të blejnë me të njëjtin çmim. Bursa do të jetë pala shitëse dhe blerëse e energjisë elektrike.

high tension poles shtylla tensioni te larteCilat janë përfitimet e tregtimit të energjisë në OST?

Siç u shpreha dhe më lart, çmimi i shitjes së energjisë elektrike do të jetë i njëjtë për të gjithë pjesëmarrësit e bursës dhe ky çmim do të përcaktohet nga kërkesa dhe oferta. Për më tepër, ofruesi i shërbimit të mbledhjes dhe kalkulimit të çmimeve do të jetë një kompani e huaj me reputacion ndërkombëtar, e cila ka një përvojë të gjatë në këtë fushë dhe menaxhon bursa energjetike në Europë. Një rol mjaft të rëndësishëm monitorues do të këtë dhe ERE dhe Sekretariati i energjisë në Vjenë.

Çfarë lehtësirash do të ketë tregu i energjisë në aspektin e sasive dhe çmimit?

Në aspektin e sasive, duhet thënë se volumet e detyrueshme, të cilat do të tregtohen në Bursë, do të jenë sipas përcaktimeve të Modelit të tregut. Me pak fjalë, volumet që do të tregtohen në të, do të rriten me kalimin e viteve. Kjo bëhet për të mundësuar hapjen graduale të tregut në tri faza (deri më 1 janar 2019) sipas parashikimeve të ligjit të sektorit të energjisë elektrike duke mos përfshirë në të vetëm volumet të cilat lidhen me klientët familjarë, të cilat do të mbeten në treg të rregulluar dhe do të furnizohen nga energjia e prodhuar nga ana e KESH-it.

Ndër lehtësirat mund të përmendet se energjia, duke u blerë në tregun e një dite më parë ose brenda ditës (intraday) çmimi do të jetë më afër realitetit si për sa i takon profilit (energjia ka çmime të ndryshme në orare të ndryshme dhe ditë të ndryshme p.sh., ditët e pushimeve ose në fundjave, çmimi i energjisë është më i lirë pasi dhe kërkesa është më e ulët) ashtu dhe sasive që do të tregtohen dhe shkëmbehen. Ofertat për shitje dhe për blerje do të bëhen në mënyrë elektronike nga platforma që do të ofrohet nga ofruesi i shërbimit me eksperiencë ndërkombëtare në menaxhimin e Bursave në Europë.

Si e shihni ju interesin e kompanive (konsumatorëve të mëdhenj, tregtarëve dhe prodhuesve) për t’u anëtarësuar në OT?

Mendoj se me kalimin e kohës dhe fillimin e stabilizimit të funksionimit të Bursës, pjesëtarët e tregut do të shikojnë me interes pjesëmarrjen në bursën energjetike dhe tregtimin e energjisë në të. Eksperiencat e gjera europiane në këtë drejtim tregojnë më së miri për suksesin e këtij modeli. Gjithashtu duhet thënë se bashkimi i tregjeve të rajonit me tregjet paneuropiane është tashmë një plan i cili do të realizohet në një të ardhme mjaft të afërt dhe për të cilën, nga ana e TSO-ve të rajonit është duke u punuar në zhvillimin e infrastrukturës së interkonjeksionit midis vendeve.

Biznesi, ekonomia dhe konsumatorët, çfarë përfitojnë?

Siç u shpreha dhe më lart, të gjithë klientët, qofshin këta biznese apo individë, do ta blejnë energjinë elektrike me të njëjtin çmim i cili do të përcaktohet nga tregu tashmë në të cilin do të ofrojnë energji elektrike, si burimet gjeneruese të vendit, ashtu dhe importuesit dhe çmimi do të përcaktohet nga kërkesa dhe oferta jo nga faktorë të tjerë.

Bizneset që konsumojnë nga rrjeti 35 kilovolot në janar 2017 do të dalin nga rrjeti i OSHEE, por ndërkohë shumica e tyre nuk janë të informuar për procesin. Si ekspert i fushës, a keni një mesazh për këtë kategori konsumatorësh?

Ligjërisht, këta klientë kanë dalë në treg të lirë, duke filluar nga data 1 korrik 2016.

Në vitin 2011, kohë në të cilën kam qenë drejtor i përgjithshëm i sh.a. KESH, me iniciativën dhe këmbënguljen tonë dhe me mbështetje të Ministrisë u bë një amendim në Ligjin për sektorin e energjisë elektrike, në të cilën parashikohej detyrimi i klientëve të lidhur në Rrjetin 110 kV e lart apo që kishin një nivel konsumi mbi 50 milionë KWh në vit.

Fillimisht hasëm në një kundërshtim nga konsumatorët në fjalë, bëhej fjalë për një grup prej 7 konsumatorësh të mëdhenj, për shkak të moseksperiencës në dalje në treg për furnizimin me energji elektrike, gjithsesi brenda shumë pak kohe, gjërat u stabilizuan dhe furnizimi me energji elektrike i këtyre konsumatorëve në tregun e lirë të energjisë elektrike vazhdon dhe sot pa asnjë problem.

Këshilla për këta konsumatorë nga ana ime është të mos frikësohen nga procesi i hapjes së tregut të energjisë elektrike, siç ndodh me çdo lloj tregu tjetër. Mund ta kuptoj që fillimisht, furnizimi i energjisë elektrike në tregun e lirë do të dojë njëfarë kohe dhe pak përvojë në ndryshimin e furnizuesit nga OSHEE, gjithsesi mund t’ju siguroj se ligji i sektorit aktualisht u ka dhënë këtyre konsumatorëve të gjitha mundësitë dhe mbrojtjet e nevojshme për të siguruar furnizimin e tyre të sigurt nga tregu i lirë i energjisë elektrike me çmime dhe më konkurruese sesa furnizimi nga një furnizues i vetëm i cili është monopol.

Revista Monitor,  23.09.2016