Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Varrmihësi i energjitikës s’mund ta pengojë reformën

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri ju përgjigj përmes një reagimi publik pretendimeve dhe akuzave të lëshuara sot prej deputetit të Partisë Demokratike Sali Berisha.

Reagim ndaj deklaratave të deputetit të Partisë Demokratike Sali Berisha:

Është krejt e natyrshme. Humbja e zgjedhjeve të pjesshme lokale nga Partia Demokratike në Dibër e ka lënë me pasoja dhe irrituar shpifësin dixhital. Jo rastësisht sot, në ditën e inaugurimit dhe vënies në punë të hidrocentralit të Banjës, një ndër investimeve më serioze në vend, Sali Berisha doli para medias për të lëshuar një valë të re shpifjesh ndaj personit tim dhe sektorit energjitik në tërësi. Lëshon sot shpifje, ditën kur u kurorëzua produkti i një bashkëpunimi të ngushtë e për tu marrë shembull mes qeverisë dhe investitorit privat Statkraft, që i dha zgjidhje problematikave të lëna jetime në kontratën fillestare koncesionare.

Ndryshe nga zakonisht, kur fshihet pas tastierës së kompiuterit, këtë herë mori guximin të shpifë me zë dhe figurë. Asnjë shqiptar sot nuk e beson këtë varrmihës të sektorit energjitik që vjell vrer ndaj çdo sektori e reforme që ecën përpara në këtë vend dhe ndaj çdo drejtuesi politik që drejton këto reforma.

Sali Berisha gjithçka e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë për interesa krejtësisht të ngushta politike e financiare të tijat. Mjafton të kujtojmë se si i favorizoi në 8 vjet kompanitë e huaja të tregtimit të energjisë duke i shkaktuar së paku 150 milion euro në vit humbje Buxhetit të Shtetit dhe taksave të shqiptarëve nga toleranca e vjedhjes dhe abuzimi me energjinë elektrike, të cilën e blinte nga këta tregtarë prej importit. Mjafton të kujtojmë se si e urdhëronte me telefon dhe shkresa zyrtare Entin Rregullator për çdo vendimmarrje.

Është ky varrmihës që bllokoi ndërtimin e linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë e Kosovës pikërisht për të favorizuar lidhjet e tija klienteliste financiare me tregtarët e energjisë, duke izoluar e vënë në varësi të Serbisë jo vetëm Kosovën por edhe Shqipërinë. Përfundimi i linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë është një vepër që e ka lënduar shumë varrmihësin e sektorit energjitik por shqiptarët nuk i kanë harruar bëmat e tij.

Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, gjej rastin të sqaroj se Kontrata për Depozitimin e Energjisë në Kushtet e Prurjeve të Mëdha, nënshkruar ndërmjet KESH sh.a dhe Shoqërisë EFT, të cilës i referohet me dashakeqësi të qëllimshme Berisha, nuk i jep të drejta Shoqërisë EFT për të realizuar menaxhimin e Kaskadës së Drinit.

Kontrata e depozitimit,  synon të ofrojë një zgjidhje të problematikës që në vazhdimësi ka rezultuar si pasojë e situatave emergjente dhe të paparashikuara të shkaktuara nga prurjet e mëdha në basenet e HEC-eve të kaskadës mbi lumin Drin, periudha në të cilat shoqëria KESH sh.a. ka qenë e detyruar të kryejë shkarkime uji pa prodhim energjie. Nëpërmjet kësaj kontrate synohet të maksimizohet prodhimi i energjisë elektrike nga Kaskada dhe optimizohet përdorimi i prurjeve për prodhim energjie duke evituar shkarkimet e ujit pa prodhuar energji, duke dhënë vlerë të shtuar ekonomike në interes të shtetit shqiptar nga ajo sasi uji e cila sot derdhet pa patur mundësinë të tregtohet si energji e prodhuar.

Përkundër sa pretendon shpifësi dixhital, kjo kontratë nuk cënon aspak as menaxhimin e Kaskadës së Drinit, as detyrimin për shërbimin publik karshi konsumatorëve shqiptarë dhe as sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Ajo është një ndër masat që i shërbejnë mirëmenaxhimit të sektorit elektroenergjitik dhe maksimalizimit të përfitimeve të shtetit.

Çdo person i interesuar, përfshirë edhe mediat janë të ftuar të marrin të gjitha informacionet e nevojshme në Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare për procedurat e ndjekura prej saj në këtë rast.

Vazhdimi dhe konsolidimi i reformës në sektorin elektroenergjitik natyrisht do ta shtojë edhe dozën e irritimit të atij që ishte arkitekti i falimentimit të këtij sektori. Shqiptarët po e shohin çdo ditë se pavarësisht baltës dhe sulmeve të vazhdueshme, sektori elektroenergjitik po rimëkëmbet.

energjia.al  24.09.2016