Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KESH 2015, 105 mln euro për HEC-et me konçesion

Pavarësisht një konflikti në sfond ndërmjet koncesionarëve të vegjël të energjisë dhe qeverisë për respektimin e kontratave, vitin e kaluar, biznesi i këtij sektori mori norma të larta likuiditeti nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.

Sipas të dhënave zyrtare nga KESH, gjatë vitit të kaluar u shlyen në formën e faturave korrente 9.3 miliardë lekë ndaj HEC–eve koncesionare, ndërsa 5 miliardë lekë të tjera u shlyen si borxhe të prapambetura që Kooporata kishte akumuluar nga vitet e kaluar.

Kontratat koncensionare të këtyre HEC-eve detyronin KESH të blinte energjinë e prodhuar nga HEC-et me çmim fiks 9 lekë për kiolavatorë. Por me një vendim të 2014 të Entit Rregullator çmimi u ul me 25%, pasi KESH po haste vështirësi për të shlyer faturat. HEC–et e vogla po prodhonin energji më shumë se program i KESH dhe faturat nuk po shlyheshin në kohë.

Me modelin e ri të tregut të energjisë, tani HEC-et e vogla deri në 15 MW do të shesin energjinë tek OSHEE dhe jo më tek KESH.

Ndërtimi dhe operimi e HEC-eve të vogla është realizuar në bazë të një strategjie të qeverisë shqiptare me qëllime kryesore, si rritjen e prodhimit vendas, rritjen e prodhimit dhe përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme dhe thithjen e investimeve vendase dhe të huaja në këtë sektor vital të industrisë në Shqipëri.

Mjeti për të realizuar këto u gjet në kontratat e koncesionit, si një mënyrë partneriteti e qeverisë me privatët, ku pasi këto vepra do të projektoheshin, ndërtoheshin dhe operoheshin nga privatët për 30-35 vjet, ato do të kalonin në pronësi të shtetit. Për ta bërë këtë të mundur, shteti garantoi se energjia e prodhuar në 15 vitet e para do të blihej e tërë nga shteti nëpërmjet Furnizuesit Publik me Shumicë, KESH. Ky detyrim do të ishte të paktën 15 vjet dhe do të implementohej me anë të një kontrate shitblerje me KESH sh.a. Por qeveria aktuale i ka ndryshuar tërësisht këto rregulla.

Revista Monitor,  22.09.2016