Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shtyhet marrëveshja hidrokarbure në Panaja dhe Bllokun 5

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore shtyu për të disatën herë datën e pranimit të ofertave për dhënien në shfrytëzim ndaj kompanive private për nxjerrjen e naftës në Panaja dhe në Bllokun 5 nëpërmjet një marrëveshje hidrokarbure.

Në një njoftim zyrtar, AKBN bëri me dije se, afati për dorëzimin e ofertave shtyhet më 30 tetor. Burimet nga institucioni bëjnë me dije se shtyrja e afatit është bërë për shkak se nuk ka pasur të interesuar për shfrytëzimin e fushës. Më tej, ekspertë nga sektori i hidrokarbureve bëjnë me dije se, ky nuk është një moment i përshtatshëm për investime në nxjerrjen e naftës.

Çmimi i ulët në tregjet ndërkombëtare dhe cilësia e dobët e naftës nga nëntoka shqiptare nuk favorizojnë investime serioze momentalisht.

AKBN e kishte hapur garën për dhënien e kësaj fushe që në fillim të vjeshtës , por kanë munguar ofertat. Fusha naftëmbajtëse shtrihet nga Gadishulli i Karaburunit deri në Sarandë, ku përfshihet edhe kërkimi në detin Jon

Të gjitha depozitat e naftës që ekzistojnë në gjendjen e tyre natyrore në shtresat tokësore brenda juridiksionit të Republiksë së Shqipërisë janë pronë ekskluzive e shtetit shqiptar. Me ligj, qeverisë i lejohet të negociojë me privatë për shfrytëzimin e pasurive të nëntokës.

Sipas kushteve të kontratës, kohëzgjatja e periudhës së eksplorimit është deri në 5 vjet dhe mund të zgjatet deri në 7 vjet, në përputhje me “Ligjin e Hidrokarbureve”.

Kontraktuesi nuk mund të kalojë te faza pasuese pa plotësimin e detyrimeve dhe angazhimeve financiare. Kohëzgjatja e secilës fazë të periudhës së hulumtimit është subjekt i negociatave.

Në rast zbulimi, periudha për zhvillimin dhe prodhimin është njëzetepesë vjet dhe mund të zgjatet më tej siç parashikohet në ligji.

Revista Monitor,  21.09.2016