Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë, deputetët përkrahin KOSTT-in

Anëtarë të Komisionit për zhvillim ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të prirë nga kryetari Muhamet Mustafa,  vizituan  sot ndërmarrjen publike “Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut” ( KOSTT).

Me këtë rast, ata u pritën nga nga znj. Drita Kongjeli, kryesuese  e Bordit, si dhe  Mustafë Hasani, kryesues i Bordit ekzekutiv me  bashkëpunëtorët e tij.

Kongjeli i  falënderoi anëtarët e Komisionit për vizitën dhe i njoftoi ata  se  kjo ndërmarrje është ndër më të suksesshmet në vend.

Më pas, kryesuesi i Bordit ekzekutiv Hasani, prezantoi aktivitet dhe gjendjes në të cilën gjendet kjo ndërmarrje.

“Funksioni kryesor i ndërmarrjes është operimi, mirëmbajtja dhe zhvillimi i sistemit të transmisionit” tha Hasani.

Ndër zhvillimet dhe aktivitetet me rëndësi ai përmendi ndërtimin e linjës interkonektive me Shqipërinë, ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve transmetuese dhe investimet në rrjetin e transmisionit, bashkëpunimin e ngushtë rajonal edhe me vendet  e tjera eurokontinentale.

Ai i njoftoi anëtarët e Komisionit edhe me  Planin e investimeve për pesë vitet e ardhshme.  Lidhur me këtë, Hasani vuri në dukje se nga janari i këtij viti kanë  filluar të inkasojmë të hyra edhe nga transiti i energjisë elektrike.

Si sfidë, ndërkaq,  ai përmendi anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtar të operatorëve të sistemit të transmisionit  dhe funksionimin si transmetues i pavarur.

Nga ana, tjetër kryetari i Komisionit Muhamet Mustafa, falënderoi përfaqësuesit e KOSTT-it për pritjen,  duke shtuar se kjo ndërmarrje është mjaft e rëndësishme, duke nënvizuar se nga efikasiteti i saj varet edhe stabiliteti energjetik në vend dhe kostoja e energjisë elektrike.

Ai po ashtu i inkurajoi ata për  fuqizimin e qeverisjes korporatave të ndërmarrjes, realizimin e projekteve mbi bazën e studimeve,  angazhimet për  anëtarësim në mekanizmat rajonal e ndërkombëtar.

Në këtë takim pyetje dhe komente bënë edhe deputetët e pranishëm Sala Berisha-Shala dhe Blerim Grainca.

Në fund të takimit deputetët i dhanë përkrahje përfaqësuesve të KOSTT-it në angazhimet e tyre për zhvillimin e ndërmarrjes, për pavarësinë e KOSTT-it dhe për anëtarësimin në mekanizma rajonal dhe ndërkombëtar.”

Agjensia e lajmeve ekonomia,  21.09.2016