Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Italianët, frikë nga devijimi i TAP

Gazeta italiane “Il sole 24 ore”, e mirënjohur për lajmet dhe analizat e saj ekonomike dhe financiare, i ka kushtuar një shkrim të veçantë gazjellësit Transadriatik. Në analizën e tij, gazetari Federico Rendina, sjell shqetësimin e paaftësisë së autoriteteve italiane për të realizuar projektin që do t’i jepte vendit dhe më tej Europës një mundësi më shumë për t’u furnizuar nga gazi natyror që buron në fushat e Shah Deniz në Azerbajxhan.

Burokracia e institucioneve italiane ka ndalur, paqartësitë si projektuese, ashtu edhe të dhënies së autorizimeve po mbizotërojnë. Ndërkohë, përreth këtij projekti gjithçka po lëviz dhe projekti po merr formën e tij përfundimtare. Të gjithë, përveç Italisë, që sërish po tregon paaftësinë e saj projektuese, por mbi të gjitha administrative.

Më tej gazetari i “Il Sole 24 ore” shtron disa pyetje që marrin përgjigje të menjëhershme. Hyrja në Pulja e gazsjellësit dhe prej këtej kalimi në Itali e më tej në Europë? Diskutohet ende sot për dhënien e autorizimeve. Paaftësia italiane do të frenojë TAP-in? Aspak.

Dhe ja e vërteta se projekti po formëzohet. TAP do të ndërtohet, me apo pa Italinë, e cila në këtë rast do të humbiste këtë mundësi të artë dhe në të njëjtën kohë një kartë për të konkretizuar me të vërtetë projektin e saj për t’u bërë një qendër e re europiane e gazit natyror. E ndërkohë partnerët po nxitojnë, ku pak ditë më parë në Dubrovnik të Kroacisë u nënshkrua memorandumi i mirëkputimit për realizimin e IAP, një gazsjellës paralel me sistemin Italian.

Një projekt i lindur katër vite më parë si komplementar dhe sinergjik që duhet të zhvillohet falë TAP. Por, që katër vite më parë duhej menduar se gazsjellësi IAP do të ishte një alternativë e fuqishme e infrastrukturës italiane duke marrë udhën e rë për të transportuar gazin në Europë prej Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës dhe Kroacisë. E ndërkohë udha Puljeze e TAP po zvarritet përmes papërgjegjshmërive italiane.

IAP ndërkohë, po merr një formë konkrete operative, edhe falë pjesëmarrjes direkte dhe një roli kyç të kompanisë shtetërore azere Socar, garantuese e këtij projekti. Gëzohen natyrisht strategët e TAP-it, që e motivojnë entuziasmin e tyre me një dozë të mirë diplomacie: projekt komplementar, përsërisin.

Marrëveshja e Dubrovnikut përmirëson bashkëpunimin energjetik në Europën Juglindore dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt sigurisë dhe diversifikimit të burimeve energjetike të kësaj zone. TAP konfirmon pikërisht mbështetjen për të lehtësuar krijimin e lidhjeve për zhvillimin e infrastrukturës kyç të transportit të gazit në rajon, përfshirë gazsjellësin Joniano-Adriatik  dhe ndërlidhjen Greqi-Bullgari.

Rruga ballkanike në letër mbetet një prioritet, gazi nga Azerbajxhani mund të ketë dy rrugë, atë italiane dhe atë ballkanike, që mund të ndërtojnë në sinergji një sistem të integruar shkëmbimi rrjetesh.

Por po merr formë edhe një ide tjetër, që sipas analizës së gazetarit italian, është më pak e dëshirueshme: TAP do të ndërtohet patjetër, pavarësisht pengesave burokratike në Itali. Nëse linja italiane do të lindë, mirë! Përndryshe, TAP do të përqëndrohet në udhën ballkanike.

Greqia, e përfshirë më shumë se çdo vend nga kriza ekonomike, do të ketë gjithsesi një rol të re në autostradën energjetike për të lidhur Europën me Lindjen duke garantuar të ardhura të çmuara në buxhetin e saj falë tarifave të kalimit të gazit natyror dhe investimeve në infrastrukturën lokale të vlerësuara në rreth 1,5 miliardë euro vetëm për këtë vend.

Shqipëria mund të ketë një kartë të mirë për të luajtur në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, me integrimin “natyral në politikat energjetike europiane. Por i gjithë blloku ballkaniko-perëndimor mund të përfitojë nga kjo strukturë për modernizimin energjetik të rajonit. Italia mungon? Dhe sërish gazetari i “Il Sole 24ore” përgjigjet se kemi shkruar për një histori të keqe që po përsëritet në lidhje me politikën energjetike të Italisë.

Scan Tv,  14.09.2016