Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE, energji me tension 150 volt në disa zona

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka pranuar zyrtarisht një fakt, të cilën shumica e qytetarëve në banesat e tyre e ndjejnë vazhdimisht. Në një shkresë dërguar Entit Rregullator të Energjisë (ERE) ditët e fundit, OSHEE deklaron se e ka të pamundur të eliminojë faturimin aforfe të mijëra abonentëve, duke qenë se matësit e instaluar së fundmi pranë tyre nuk janë në gjendje të funksionojnë.

Arsya? Tensioni, që duhet të jetë, sipas kontratës që lidh kompania me abonentin për furnizimin me energji elektrike, në masën 220 volt, praktikisht në zona të caktuar është … 150 volt. Pra, gati sa 2/3 e voltazhit që kërkohet. Në këto kushte, “sahatët” e elektrikut nuk punojnë. Natyrisht, kur korrenti në këto zona nuk ka fuqi të lëvizë as diskun e kontatorit, nuk mund të vejë në lëvizje asnjë pajisje elektroshtëpijake.

OSHEE kërkon leje nga ERE që të lejohet, për shkaqe teknike, të vijojë të faturojë aforfe këta abonentë. Por, logjika e gjërave të çon në një pyetje tjetër: a e ka zbatuar kontratën vetë OSHEE për këta abonentë, të cilëve u kërkon paratë?

Dokumenti

Sipas letrës zyrtare të OSHEE, janë evidentuar 4.686 abonentë në disa qytete në vend që nuk mund të shmangen dot nga faturimi aforfe, kjo, të paktën deri në fund të këtij viti. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike deklaron se ka përfunduar plotësimin me matësa në shkallë vendi, por tensioni 150 volt e bën të pamundur matjen dhe faturimin.

Sipas OSHEE-së, ERE duhet të japë OK që të gjithë abonentët, në banesat e të cilëve tensioni vjen 150 volt të faturohen në bazë të konsumit mesatar që kanë pasur për tre muaj të ngjashëm të një viti më parë. Sipas kësaj kërkesë, fatura e muajit gusht e këtij viti do t’i referohej konsumit të tre muajve të verës të një viti më pare, duke marrë mesataren e tyre.

Sipas OSHEE, janë 1.232 abonentë të cilëve nuk mund t’u shmanget faturimi aforfe në zonën e Durrësit, rreth 40 në Elbasan dhe 3.414 për zonën e Shkodrës.
Por askush – as OSHEE dhe as ndonjë institucion tjetër – nuk ka llogaritur ndonjëherë në Shqipëri se sa qindra mijëra abonentë të tjerë nuk e marrin tensionin e kontraktuar.

ERE

Problemi i ekzistencës së faturimeve aforfe ka qenë një çështje e koklavitur për t’u zgjidhur, por më parë ai lidhej me refuzimin e një numri zonash, kryesisht informale, apo të thella rurale, për të paguar konsumin e energjisë elektrike. Pas aksionit, ku u angazhua Policia e Shtetit, si dhe me angazhimin e organeve gjyqësore për të trajtuar ligjërisht si vjedhje – siç është në fakt – mospagimin e faturave të energjisë, situata ndryshoi rrënjësisht, duke krijuar kushtet që për herë të parë të pajisen me sahatë matës të gjithë abonentët.

Nisur nga kjo situatë, Enti Rregullator ka nxjerrë edhe një vendim për fazën tranzitore, duke lejuar tre muaj kohë deri në eliminimin e aforfesë si fenomen, ndërkohë që OSHEE kishte kërkuar një afat të paktën 6 muaj. Por tani del se problem i ri, i një tensioni kaq të ulët, saqë nuk punon as matësi.
Nuk dihet nëse do ta pranojë një afat të ri, qoftë edhe të pjesshëm, ERE, në përgjigje të kësaj kërkese, apo do të kërkojë nga kompania që ajo të paguajë një gjobë për moszbatimin e vendimit të saj.

Aforfetë

Problemi i voltazhit të ulët nuk është diçka që s’dihet. Shumë konsumatorë ankohen kur shohin se nuk furnizohen me energji të mjaftueshme për të vënë në lëvizje makinat larëse apo pajisje të tjera elektroshtëpijake. Dikush e ka zgjidhur problemin duke blerë në treg stabilizatorë, por këto nuk janë pajisje të lira. Veç kësaj, voltazhi është një parametër që përfshihet në kontratë, kështu që është një problem, të cilin i takon OSHEE-së ta zgjidhë dhe jo klientit. Zgjidhja për këtë është rinovimi i linjave të tensionit të ulët nëpërmjet investimeve. Të cilat po bëhen, por megjithatë edhe këtë vit në verë në zonat turistike u vunë re jo pak raste të ndërprerjes së furnizimit me energji, që sollën humbje për biznesin dhe familjarët e zonave të tëra. Të shoqëruara shpesh edhe me djegie elektroshtëpiakesh kur rikthehet energjia e ndërprerë me fuqi më të lartë se normalja.

Në fillim të korrikut të këtij viti, drejtorja e Divizionit Tregtar pranë OSHEE, Albana Ferraj, deklaroi se OSHEE ka përfunduar instalimin e 71.000 matësave të energjisë elektrike për konsumatorët që deri më tani paguanin përmes faturimit aforfe. “Kjo do të thotë që, nga leximet e konsumeve për korrikun, për të gjithë abonentët nuk do të aplikohet më koncepti i aforfesë”, u shpreh ajo publikisht.

Kjo duket se nuk është bërë e mundur, ndaj kompania kërkon kohë deri në fund të vitit.
Por, si mendon ta zgjidhe kompania këtë çështje? “Për zonat rurale të thella, OSHEE ka nisur porosinë speciale, për prodhimin e matësave që do të plotësojnë parametrat e nivelit të tensionit që është aktualisht”, deklaroi nga e tij për mediat Petraq Lika, drejtor i Divizionit të Shpërndarjes. Pra, problem mendohet të zgjidhet jo duke normalizuar tensionin, por duke gjetur matës që i përgjigjen atij tensioni. Dmth që konsumatorët do të vijojnë të furnizohen me tension 33% më të ulët se ai i kontraktuar, për të cilin atyre u kërkohet të paguajnë.

Shqiptarja.com  22.08.2016