Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zbehen eksportet, rriten “lënda djegëse dhe energjia”

Eksportet shqiptare pësuan sërish rënie gjatë muajt qershor. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, eksportet ranë me 6.4%, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Për gjashtëmujorin e parë të vitit, bilanci i eksporteve rezultoi negativ, me 7.7% më pak krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2015. Rënia e eksporteve i detyrohet sidomos grupit “minerale, lëndë djegëse, energji”, ku për gjashtë muajt e këtij viti eksportet kanë rënë me afro 45% krahasuar me një vit më parë.

Sektori i industrisë nxjerrëse po e vuan ndjeshëm rënien e çmimeve të lëndëve të para, duke humbur njëkohësisht edhe pozicionin e rëndësishëm në strukturën e eksporteve shqiptare.

Nëse një vit më parë mineralet siguronin 29% të eksporteve, pesha e tyre tashmë ka rënë në 17%. Në rënie të dukshme është edhe grupi “materiale ndërtimi e metale”, me 26% më pak eksporte krahasuar me një vit më parë.

Në dy vitet e fundit kolona kryesore e eksporteve është rikthyer të jetë sektori i fasoneve. Për gjashtëmujorin, eksportet e tekstileve dhe këpucëve arritën në 53.7 miliardë lekë, në rritje vjetore me 23%.

Eksportet e këtij grupi përbëjnë tashmë afro 46% të totalit të eksporteve. Importet kanë vijuar rritjen me bazë vjetore edhe gjatë qershorit, me 14.4% më shumë kundrejt qershorit 2015. Për të gjithë gjashtëmujorin, vlera e importeve është 8.9% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja është e shpërndarë në shumicën e grupmallrave, por udhëhiqet sidomos nga grupet “minerale, lëndë djegëse, energji” dhe “material ndërtimi e metale”. Kjo tregon se rritja e importeve po vjen sidomos falë zgjerimit të investimeve në ekonomi.

Ecuria e kundërt e eksporteve dhe importeve ka rritur ndjeshëm deficitin tregtar të vendit. Për gjashtë muaj, deficiti i këmbimve tregtare ka arritur në 161 miliardë lekë, 25% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Scan TV,  29.06.2016