Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vendosja e sahateve, ja si do llogariten faturat

Sipas detyrimit ligjor përcaktuar nga ERE dhe angazhimit të Ministrisë së Energjisë, OSHEE ndërmori fushatën e instalimit të matësve te të gjithë abonentët për periudhën janar-qershor 2016, të cilët ishin rreth 37 mijë. Janë të shumtë abonentë që u janë vendosur matësit në qershor, muaji i fundit sa u takon afateve, ku instalimi i pajisjes është bërë në mes të periudhës së leximit të sahatit.

Drejtoresha e Divizionit Tregtar në OSHEE, Albana Ferraj, shpjegon për gazetën se si do të përllogariten faturat e reja kur abonenti do të faturohet sipas leximit të sahatit dhe bazuar mbi konsumin real. Ferraj shpjegon se abonentët që janë pajisur me matës para 1 korrikut do të kenë dy fatura, njëra për periudhën pa matës dhe tjetra për periudhën e leximit me matës.

LLOGARITJA

Për të sqaruar këtë fazë të kalimit, nga faturë aforfe në faturë me lexim, Albana Ferraj, drejtore e Divizionit Tregtar pranë OSHEE-së, e ilustron me dy raste ose shembuj. “Kemi një konsumator, të cilit i lexohet fatura nga data 22 maj deri më 22 qershor dhe matësi i është vendosur në datën 28 maj, që do të thotë se është 6 ditë pa matës dhe 24 ditë me matës. Në këtë rast, kemi dy komponentë, 6 ditë aforfe, të llogaritura sipas formulës së ERE dhe pjesën çfarë ka pasur të lexuar në matës deri në datën 22 qershor, që u takon 24 ditëve të konsumit të matësit.

Pra, këtij abonenti do t’i vijnë në shtëpi dy fatura, njëra për periudhën pa matës dhe tjetra për periudhën e leximit me matës. Abonentët kanë qenë prezentë gjatë procesit të instalimit të matësit dhe është e lehtë të kuptojnë se në cilën periudhë kanë qenë pa matës dhe kur ka nisur leximi”, tha Ferraj. Drejtoresha e Divizionit Tregtar flet edhe për rastet kur sahati është instaluar në ditët e fundit të muajit qershor.

“Kemi një tjetër kategori abonentësh që lexohen nga data 25 maj-25 qershor dhe rastësia është që matësi është vendosur në datën 25 qershor 2016. Kjo do të thotë se e gjithë periudha e leximit mujor ka qenë pa matës dhe do të faturohet aforfe për periudhën maj–qershor. Për periudhën nga 25 qershor 2016, ky abonent deri më 25 korrik do të jetë me lexim. Ky është ndryshimi dhe kjo do të thotë se çfarë do të gjejë abonenti në faturën e muajit qershor”.

Ferraj nënvizon se duke filluar për të gjithë matësit e instaluar gjatë muajit qershor, konsumi për periudhën qershor deri në korrik që paguhet gjatë muajit gusht, nuk do të ketë elementë të aforfesë. Në total, duke filluar nga viti 2015 kur nisi dhe zbatimi i reformës në sektorin energjetik, deri në vitin 2016 janë instaluar rreth 71 mijë matës.

Panorama,  28.06.2016