Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Përmbarimi sekuestron pronat e Taçit

Përmbaruesit kanë sekuestruar aktivet e ish televizionit Alsat (Albanian Screen) dhe të kompanisë së tregtimit me pakicë të karburanteve Kuarta, si rrjedhojë e një kredie të pashlyer të Kuarta, për të cilën ishin vënë në hipotekë pasuritë e paluajtshme të Alsat. Sipas urdhërit të depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, shoqëria përmbaruese TDR group ka kërkuar në fillim të korrikut sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të kompanisë Kuarta.

Sekuestrimi ka ardhur me kërkesë të bankës, në lidhje me titullin ekzekutiv të një kontrate kredie të qershorit 2014. Përmbaruesi ka vendosur sekuestron konservative për një pronë në Fshatin Rinia të Durrësit.

Kuarta (tregtuesi me pakicë i IT Oil-Ish Taçi Oil) ka qenë një nga kompanitë më të mëdha të tregtimit me pakicë të karburanteve në vend. Në qershor 2016 kompania ka kaluar me status të pezulluar.

Ndërsa në korrik mbi të kanë vërshuar një sërë urdhërash për sekuestro konservative. Po në fillim të korrikut, TDR Group ka urdhëruar vendosjen e sekuestros konservative dhe të hipotekuesit shoqërisë Alsat, po për të njëjtën kredi të marrë pranë Veneto bank. Si rrjedhojë është vendosur të vihen në sekuestro dy prona që ndodhen në rrugën Siri Kodra, aty i ka pasur ambientet televizioni Albanian Screen (ish Alsat), që u mbyll rreth dy vjet më parë.

Ndonëse televizioni është mbyllur, kompania Alsat rezulton ende me status aktiv në QKB. Lista e urdhërave të sekuestros mbi Alsat është shumë e gjatë, ku një pjesë të konsiderueshmë e zënë individët (kryesisht ish punonjës), që kërkojnë sigurimet dhe pagat e prapambetura, pasi e kanë fituar këtë të drejtë në gjykatë. Një prej të paditurave psh, kërkon kthimin e detyrimit prej rreth 372 mijë lekësh, apo rreth 2600 euro.

Albanian Screen (ish Alsat) u mbyll në qershor 2015. Sipas të dhënave të bilancit të vitit 2013, realizoi një qarkullim vjetor prej 323 milionë lekësh në vitin 2013 (rreth 2.3 milionë euro), me një rënie prej 33% në raport me një vit më parë. Sipas xhiros, Albanian Screen ishte në atë kohë televizioni i katërt më i madh në vend, pas Top Channel, Klan dhe Vizion Plus. Për periudhën 2012-2013, televizioni rezultoi me një humbje prej rreth 30 milionë lekësh, përkatësisht për secilin vit.

Shqiptarja.com  27.06.2016