Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Serbia, nën presion për punonjësit e energjisë

Qeveria serbe është në një trysni gjithnjë e në rritje për të ndërmarrë nismën e dhimbshme të shkurtimit të rreth 4500 punonjësve dhe reformimit të çmimeve në korporatën energjetike të Serbisë, EPS.

Saga për ristrukturimin e EPS, që është në pronësi shtetërore, ka zgjatur për më shumë se një dekadë, por nuk duket të ketë asnjë zgjidhje në horizont.

Të dyja, FMN-ja dhe Banka Botërore së fundmi kanë deklaruar se EPS është një temë problematike, duke paralajmëruar se ristrukturimi dhe stabilizimi financiarisht i shërbimeve shtetërore të energjisë duhet të përshpejtohet, nëse mendohet që ndërmarrja të ketë një të ardhme.

Slobodan Ruzic, ekspert i energjisë në Beograd, i tha BIRN-it se ndërsa shkarkimet janë të pashmangshme, vullneti politik për zbatimin e tyre nuk ekziston.

“Është e qartë që ka një tepricë të të punësuarve dhe shkarkimet janë të nevojshme. Megjithatë, pothuajse asgjë nuk është bërë për vite me radhë, sepse ajo nuk u intereson njerëzve në pushtet”, ka thënë Ruzic. “Ne kemi nevojë për vullnetin politik për të kryer reformat”, shton ai.

Sipas të dhënave publike të shpallura nga operatori i shpërndarjes së energjisë të Serbisë, Elektro, kjo kompani është punëdhënësi më i madh në vend, me më shumë se 30,000 punonjës.

Sipas Këshillit Fiskal të Serbisë, EPS duhet të largojë 5,000 deri në 10,000 punëtorë në qoftë se ristrukturimi do të bëhet siç duhet.

“Është e vështirë që EPS të jetë financiarisht e qëndrueshme, nëse numri i të punësuarve nuk bie deri në fund të vitit dhe nëse kostoja e pagave nuk është zvogëluar me 15% brenda pesë viteve, që do të thotë rreth 4500 punonjës”, tha Verheijen.

Ai shtoi se çmimet e energjisë elektrike do të duhet të rriten në qoftë se kjo nuk ndodh.

“Pa një plan të konsoliduar të vënë në punë, EPS deri në fund të 2019-s do të ketë një borxh prej gati 2 miliardë eurosh, që është më shumë se borxhi i Srbijagas (Korporata e Gazit të Serbisë)”, shtoi ai.

Nikola Altiparmarkov, nga Këshilli Fiskal i Serbisë, tha se çmimet e tanishme të energjisë elektrike nuk janë të mjaftueshme e duhet të rriten që EPS të jetë e qëndrueshme e të investojë që të zhvillohet.

Çmimi i energjisë elektrike në Serbi kontrollohet nga qeveria dhe me një çmim prej 0.065 euro cent për kWh është ndër më të ulëtat në rajon. Vetëm Kosova (me 0.061 cent për kWh) e ka çmimin më të ulët se Serbia dhe rrjeti i saj elektrik është ende pjesë e EPS. Bisedimet për prodhimin, shpërndarjen, dhe pronësinë e EPS në Kosovë janë ende pjesë e negociatave në Bruksel ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Çmimi i energjisë elektrike për familjet në Bosnjë dhe Hercegovinë është 0.083, Kroacia 0.131, Shqipëria 0,082, Maqedonia 0.084, Mali i Zi 0.099, Rumania 0.132 dhe Bullgaria 0.096 euro cent për kWh, sipas të dhënave nga Eurostat për vitin 2015.

Pas takimit me FMN së fundmi, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se EPS është çështja më të vështirë në marrëveshjen e tyre.

“Se si do t’i zgjidhim gjërat në EPS, e se si do ta kryejmë racionalizimin… do të jetë e vështirë, por që duhet ta bëjmë”, tha Vuçiç.

Delegacioni i FMN-së tha se riorganizimi dhe sistematizimi i EPS duhet të bëhet deri në fund të korrikut dhe përcaktimi i çmimeve të reja të energjisë elektrike duhet të bëhet deri në fund të vitit.

Revista Monitor,  18.07.2016