Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tirana mirëpret tryezën e Energy Charter

Sekretariati i Kartës së Energjisë në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe organizatën e Bashkimit për Mesdheun zhvilluan sot në Tiranë takimin e katërt ndërkombëtar në nivel ekspertësh me temë kyçe tranzitimin e sigurtë dhe të qëndrueshëm të energjisë.

Në panelin e parë të tryezës ishte i pranishëm Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i Sekretariatit të Kartës së Energjisë z. Kanat Botbaev, ai i Bashkimit për Mesdheun z. Jorge Borrego dhe ambasadorja e Holandës në Tiranë znj. Dewi van de Weerd.

Ky takim shërbeu si një platformë diskutimi për tranzitimin e energjisë në nivel global e rajonal në funksion të sigurisë energjitike dhe integrimit të tregjeve të Bashkimit Evropian e në veçanti mes vendeve të Mesdheut.

Në fjalën e tij, Ministri Gjiknuri deklaroi se intensifikimi i rrugëve të tranzitimit të energjisë, rritja e efiçencës në nivel kombëtar e rajonal apo më gjerë mbeten sfidat tona të përbashkëta që garantojnë një element mjaft të rëndësishëm si siguria e furnizimit.

“Tregu rajonal i energjisë është gjithashtu një parakusht për të organizuar tregjet e energjisë në një mënyrë më miqësore për mjedisin. Integrimi i kërkesës me rajonet më të mëdha tregtare, do të bëhet një faktor kusht kyç për përdorimin me eficencë të energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme si uji, era dhe dielli”, theksoi z.Gjiknuri.

Ai sqaroi se qeveria është e angazhuar për të zbatuar një listë të masave ligjore dhe rregullatore të energjisë, të cilat janë të nevojshme për të krijuar një treg të energjisë elektrike. Këtu, vijoi ai, përfshihet zhvillimi i spot market dhe bashkimi i tregjeve rajonale, balancimi rajonal dhe alokimi i kapaciteteve në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

“Masat parashikojnë heqjen e barrierave ekzistuese ligjore dhe rregullatore. Në bashkëpunim me konsulencën e Qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë po punohet për organizimin e tregut të një dite më parë (day ahead market) nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë Power Exchange (PX)”, nënvizoi ministri Gjiknuri.

Si një hap i rëndësishëm i këtij procesi të nisur tashmë do të jetë organizimi i tregut të përbashkët Shqipëri-Kosovë nëpërmjet Market Coupling duke krijuar mundësitë për zhvillime të një tregu rajonal.

“Synimi ynë është shfrytëzimi i pozicionit të rëndësishëm strategjik gjeografik që ka vendi për ta transformuar sistemin tonë në një qendër të tranzitimit të energjisë drejt lindjes dhe veriut në Europë, si edhe në një aktor të rëndësishëm në integrimin e këtij tregu jo vetëm në nivel rajonal si Ballkan Perëndimor, por edhe më gjerë, duke luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm rregullator në këtë treg”, tha z.Gjiknuri.

Traktati i Kartës së Energjisë luan një rol të rëndësishëm si pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare për ndërtimin e një baze rregullash të përbashkëta që forcojnë sigurinë energjitike dhe konkurueshmërinë e tregjeve në vendet e Euro-Azisë.

52 shtete të Evropës dhe Azisë kanë nënshkruar tanimë Traktatin e Kartës së Energjisë. Të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë anëtare individuale të traktatit ndërsa dokumenti është firmosur edhe prej Komunitetit të Energjisë dhe Euroatom që e çon në 54 numrin e anëtarëve.

energjia.al  14.07.2016