Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zbardhet projekti i gazifikimit të Shqipërisë

Kërkesa totale e parashikuar për energji termike në familje, shërbime dhe industri që mund të mbulohet nga përdorimi i gazi natyror në Shqipëri është rreth 2,167 milion m3në vitin 2040 (duke përfshirë bujqësinë dhe transportin). Potenciali i përdorimit të gazit natyror për prodhimin e energjisë elektrike mund të jetë rreth 770 milion m3 në vitin 2040, dhe përdorimi i gazit natyror nga rafineritë në vitin 2040 mund të jetë rreth milion m3.
Këto gjetje u bënë në draftin e Masterplanit të gazifikimit të vendit që u prezantuar sot nga Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri.

Zona e Tiranës dhe Durrësit përbën zonën kryesore me konsum të pritshëm të konsiderueshëm të gazit. Kontributi i sektorit rezidencial përbën rreth 32% të totalit të konsumit dhe po kaq është edhe konsumi nga sektori i shërbimeve, ndërsa sektori industrial zë pothuajse 37% të totalit të konsumit. Për këtë arsye, rekomandohet që zona Tiranë-Durrës të konsiderohet si një qendër e përbashkët e shpërndarjes së gazit.

Ndërkohë, zona Fier – Vlorë – Ballsh paraqet një trekëndësh të rëndësishëm të konsumit industrial të gazit që mund të shërbejnë si konsumatorë spirancë që do të mundësojnë gazifikimin e zonave përreth.

Pesë degët e rrjetit të transmetimit

Dega Veriore, që fillon nga pika e lidhjes me TAP-in (pranë Fierit) në drejtim të Shkodrës dhe më tej drejt Malit të Zi.

Dega Elbasanit që fillon nga pika e lidhjes me TAP-in (pranë Fierit), kalon nëpërmjet Lushnjës dhe Dumresë dhe përfundon në Elbasan,,

Dega Jugore që furnizon zonat e Fierit, Vlorës, Ballshit, Tepelenës dhe Gjirokastrës,

Dega Perëndimore që fillon nga pika e lidhjes me TAP-in (pranë Korçës) dhe vazhdon drejt Pogradecit, Prrenjasit dhe më pas drejt ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë,

Dega e Kosovës, që fillon nga Miloti dhe përfundon në pikën kufitare të Morinës në afërsi të Kukësit.

Katër skenarët e gazifikimit

Skenari 1 parashikon ndërtimin e rrjetit kombëtar të gazit për furnizimin e njësive administrative vendore me konsum të qenësishëm të gazit . Ndërtimi i IAP me diametrin e tij të paracaktuar (drejt Malit të Zi, Bosnjës dhe Kroacisë) dhe Ndërtimi i gazsjellësit drejt Kosovës dhe Maqedonisë.

Skenari 2 parashikon ndërtimin e rrjetit kombëtar të gazit për furnizimin e njësive administrative vendore me konsum të qenësishëm të gazit. Gjithashtu parashikohet ndërtimi i IAP me diametrin e tij të paracaktuar (drejt Malit të Zi, Bosnjës dhe Kroacisë).

Skenari 3 parashikon ndërtimin e rrjetit kombëtar të gazit për furnizimin e njësive administrative vendore me konsum të qenësishëm të gazit dhe gjithashtu furnizimin e Kosovës nga Kukësi dhe i Maqedonisë nga Prrenjasi.

Skenari 4 parashikon ndërtimin e rrjetit kombëtar të gazit për furnizimin e njësive administrative vendore me konsum të qenësishëm të gazit.

Depozitimi i gazit natyror ka një ndikim të rëndësishëm në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me gaz natyror dhe në mbulimin e kërkesave të konsumatorëve.

Ka dy opsione të zhvillimit të depozitave nëntokësore në Dumre; Alternativa Dumrea 1 dhe Dumrea 2.

Alternativa Dumrea 1 është një mundësi depozitimi me vëllim të mjaftueshëm, por pa kapacitet të mjaftueshëm shtytës.

Dumrea 2 është një alternativë me vëllim më të madh dhe me kapacitet të mjaftueshëm shtytës për nevojat e konsumit të gazit.

Në se do të ketë interes të mjaftueshëm nga vendet e tjera për kapacitete depozitimi, atëherë Alternativa Dumrea 2 është më e rekomandueshme.

Bazuar në analizat e kryera plani i mëposhtëm i zhvillimit mund të rekomandohet, sipas prioritetit të tyre të zhvillimit:

Në terma afatshkurtër

Synohet zhvillimi i gazsjellësit TAP për vënien në punë të TEC-it të Vlorës. Nëse është i mundshëm, zhvillimi i sistemit të shpërndarjes së gazit në qytetin e Vlorës;

Zhvillimi i rrjetit të transmetimit për furnizimin e konsumatorëve spirancë në Fier dhe Ballsh dhe nëse është e mundur zhvillimi i rrjeteve të shpërndarjes së gazit në Fier dhe Ballsh;

Në terma afatmesëm

Zhvillimi i rrjetit të transmetimit për të furnizuar zonat kryesisht industriale në Elbasan, si dhe zhvillimi i hapësirave të depozitimit të gazit në Dumre;

Zhvillimi i rrjetit të transmetimit për furnizimin e konsumatorëve industrialë dhe tregtarë në zonën e Durrësit dhe të Tiranës;

Në terma afatgjatë

Zhvillimi i gazsjellësit drejt Kosovës

Zhvillimi i sistemit të transmetimit nga TAP afër Korçës, për TEC-in e planifikuar në Korçë, dhe më tej drejt rrjeti i transmetimit drejt Pogradecit;

Zhvillimi i rrjetit të transmetimit drejt Shkodrës;

Zhvillimi i rrjetit të transmetimit nga Ballshi në Tepelenë dhe Gjirokastër;

Zhvillimi i rrjetit të transmetimit nga Pogradeci drejt Prrenjasit dhe më tej drejt Maqedonisë;

Zhvillimi i rrjetit të transmetimit nga TAP afër Kuçovës për TEC-in e planifikuar në Kuçovë.

Projektet më premtuese për investime në rrjetet e gazit do të dakordësohen me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe do të detajohen në fazën pasardhëse të projektit – atë të portofolit të Investimeve të Projekteve Prioritare. Projekti i parë i investimeve prioritare, (që është tubacioni i ri nga pika e daljes së TAP-it pranë Fierit në Termocentralin e Vlorës) është dakordësuar tashmë dhe një studim para-fizibiliteti është duke u përgatitur.

Strategjia e mësipërme është në përputhje të plotë me investimet e parashikuara tashmë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, të tilla si lidhja e Vlorës dhe e Fierit me rrjetin e transmetimit 400 kV, i cili do të transmetojë energjinë elektrike drejt qendrave të konsumit kur gazi natyror të jetë i disponueshëm (nëpërmjet projektit TAP).

Përveç zhvillimit të rrjetit të transmetimit të gazit kombëtar, ky projekt është i lidhur ngushtësisht edhe me Studimin e Fizibilitetit të përfunduar tashmë të Gazsjellësit Jonian Adriatik (që lidh Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin i Zi, dhe Shqipërinë), me Master Planin e Gazit për Malin e Zi, me Studimin për Unazën e Gazit të financuar nga Bashkimi Evropian që është në zbatim, si dhe me dy projektet me të fundit – atë të përgatitjes së Projekt-idesë së Gazsjellësit Jonian Adriatik në Shqipëri dhe Mal të Zi, dhe Studimi i Para-fizibilitetit për Gazsjellësin Shqipëri-Kosovë – mundësuar me fonde grant nga WBIF.

Revista Monitr,  07.07.2016