Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

MEI prezanton Masterplanin e gazit për Shqipërinë

Studimi i Master Planit të Gazit merr në konsideratë kërkesat për investime për zhvillimin e rrjetit të transmetimit të gazit të nevojshëm për gazifikimin e pritshëm të Shqipërisë në periudhën 2020-2040. Infrastruktura e ardhshme e gazit e studiuar është përqendruar në gazifikimin e të gjithë qyteteve të mëdha, në konsumatorët e mëdhenj industrialë (konsumatorët spirancë) si dhe shfrytëzimin e depozitimit të mundshme të gazit pranë Dumre-së. Një nga gjetjet kryesore dhe rekomandimet e këtij studimi është se infrastruktura e gazit duhet të zhvillohet duke filluar nga TAP dhe trekëndëshi Fier-Vlorë-Ballsh, ku janë vendosur disa prej përdoruesve më të mëdhenj industrialë.

Master Plani i Gazit për Shqipërinë (MPG) dhe Plani i Identifikimit të Projekteve (PIP) janë përgatitur me mbështetjen financiare të Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) pas një kërkese për asistencë teknike nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë. Projekti, një grant i BE-së prej 1,100,000 euro, synon të zhvillojë një Master Plan gjithëpërfshirës për gazin natyror dhe që shqyrton të gjitha aspektet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata të furnizimit me gaz natyror  duke përfshirë dhe çështjet teknike, ligjore, rregullatore, ekonomike, tregtare, mjedisore, dhe sociale që lidhen me futjen e gazit në Shqipëri.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri deklaroi në aktivitet se dokumenti i masterplanit do të jetë udhërrëfyes me rëndësi për procesin e gazifikimit të Shqipërisë. Ministri Gjiknuri deklaroi se masterplani është një plan afatgjatë që hedh piketat për një zhvillim që mund të ndodhë në 20-30 vitet e ardhshme.

Përfituesi kryesor i projektit është Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Institucioni Financues Ndërkombëtar kryesor që mbështet këtë studim është BERZH-i dhe projekti po zbatohet nga Konsorciumi IPF4 i udhëhequr nga COWI A/S. Përveç Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, përfitues të tjerë të këtij projekti përfshijnë ERE-n dhe Albpetrolin.

Studimi i Master Planit të Gazit, i cili është përgatitur përgjatë dymbëdhjetë muajve të fundit, në bashkëpunim të ngushtë me përfituesit, shqyrton me kujdes rrugët e furnizimit me gaz dhe skenarët e kërkesës gazit, aspektet institucionale dhe të tarifave, dhe çoi në një vlerësim të hollësishëm teknik të rrjeteve potenciale të transmetimit për Shqipërinë, së bashku me vlerësimet e saj financiare dhe ekonomike. Studimi Strategjik i Ndikimit në Mjedis për Master Planin e Gazit është gjithashtu në përgatitje e sipër.

Master Plani i Gazit paraqet strategjinë më të mirë për shpërndarjen e gazit për grupet e konsumatorëve për të cilët është ekonomikisht i mundur furnizimi me gaz natyror. Ky studim ka përcaktuar se zhvillimi i sistemit të furnizimit me gaz do të zgjasë për një periudhë të konsiderueshme (2020 – 2040), dhe merr në konsideratë edhe prodhimin e brendshëm të gazit në Shqipëri. Pjesë e planit përfshin prodhimin e energjisë elektrike nëpërmjet gazit natyror, fillimisht nga Termocentrali i Vlorës nëpërmjet konvertimit dhe modernizimit të tij në një impiant 300 MW që punon me gaz, dhe në të ardhmen nga dy impiante të tjerë të prodhimit të energjisë elektrike nga djegia e gazit natyror.

Projektet më premtuese për investime në rrjetet e gazit do të dakordësohen me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe do të detajohen në fazën pasardhëse të projektit – atë të portofolit të Investimeve të Projekteve Prioritare. Projekti i parë i investimeve prioritare, (që është tubacioni i ri nga pika e daljes së TAP-it pranë Fierit në Termocentralin e Vlorës) është dakordësuar tashmë dhe një studim para-fizibiliteti është duke u përgatitur.

Strategjia e mësipërme është në përputhje të plotë me investimet e parashikuara tashmë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, të tilla si lidhja e Vlorës dhe e Fierit me rrjetin e transmetimit 400 kV, i cili do të transmetojë energjinë elektrike drejt qendrave të konsumit kur gazi natyror të jetë i disponueshëm (nëpërmjet projektit TAP).

Përveç zhvillimit të rrjetit të transmetimit të gazit kombëtar, ky projekt është i lidhur ngushtësisht edhe me Studimin e Fizibilitetit të përfunduar tashmë të Gazsjellësit Jonian Adriatik (që lidh Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin i Zi, dhe Shqipërinë), me Master Planin e Gazit për Malin e Zi, me Studimin për Unazën e Gazit të financuar nga Bashkimi Evropian që është në zbatim, si dhe me dy projektet me të fundit – atë të përgatitjes së Projekt-idesë së Gazsjellësit Jonian Adriatik në Shqipëri dhe Mal të Zi, dhe Studimi i Para-fizibilitetit për Gazsjellësin Shqipëri-Kosovë-mundësuar me fonde grant nga WBIF.

energjia.al  06.07.2016