Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KE heton kompanitë e gazit në Rumani

Zyrtarët e Komisionit Europian kryen inspektime në mjediset e Romgaz, OMV Petrom dhe Transgaz, aktorët kyç në sektorin e gazit natyror, me dyshimin se ata kanë shkelur rregullat anti-trust.

Zyrtarë nga Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Europian për Konkurrencën dhe Këshilli i Konkurrencës në Rumani kryen inspektime të paparalajmëruara te kompanitë e përfshira në furnizimin dhe transportimin e gazit natyror në Rumani, sipas një deklarate të KE-së.

“Komisioni ka shqetësime se kompanitë e përfshira mund të kenë shkelur rregullat antitrust të BE-së që ndalojnë kartelet dhe praktikat kufizuese të biznesit dhe/ose abuzimin me pozitën dominuese në treg”, thotë deklarata e KE-së.

“Komisioni po heton praktikat e mundshme antikonkurruese në transmetimin dhe furnizimin e gazit natyror në Rumani, në veçanti në lidhje me sjelljen e dyshuar antikonkurruese, që synon të pengojë eksportet e gazit natyror nga Rumania në shtetet e tjera anëtare”.

Inspektorët vunë në shënjestër prodhuesit e gazit rumun Romgaz dhe OMV Petrom dhe transportuesin e gazit Transgaz. Është raportuar se ata kanë konfiskuar telefonat e anëtarëve të bordit OMV Petrom, sipas burimeve të cituara nga Ziarul Financiar.

Të tre kompanitë kanë konfirmuar se inspektimet ndodhën dhe se ato ishin duke bashkëpunuar me hetuesit.

Këshilli i Konkurrencës i Rumanisë ka ndihmuar edhe me hetimin, i cili është i pari operacion i tillë i kryer nga Komisioni Europian në Rumani.

Verën e kaluar, Komisioni Europian ka vendosur të referojë Rumaninë në Gjykatën e Drejtësisë të BE-së, për shkak se ajo nuk ka miratuar një plan emergjence për sigurinë e furnizimit me gaz natyror, një detyrim që duhet të ishte plotësuar para tre vjet e gjysmë.

Revista Monitor,  02.07.2016