Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia në tregun e lirë, bizneset nuk janë gati

Bizneset nuk janë ende gati për të dalë nga tregu i energjisë elektrike. Ata thonë se pa kryer investimet kostot do të jenë tmerrësisht të larta dhe do të krijojnë krizë likuiditeti. Flet Entela Çipa, këshilltare për energjinë në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë: Ka hezitim, paqartësi, por jo aq sa të bllokohet dalja në treg të lirë

Alban Zusi ka dy kompani, për të cilat në janar të vitit 2017 do të duhet ta sigurojë vetë energjinë elektrike. Njëra merret me përpunimin e peshkut dhe tjetra me përpunimin e sallamit. Vetëm për një fabrikë ai detyrohet që të paguajë çdo vit 25 mijë euro faturën e energjisë elektrike. Edhe pse është kreu i Shoqatës së Eksportuesve të Mishit, Zusi nuk është informuar se ndërmarrjet që ai mbulon do të duhet që ta sigurojnë vetë energjinë elektrike. Me ligjin e ri të energjisë, 6200 biznese që furnizohen në linjën 20 kv duhet të dalin nga tregu në janar dhe 82 kompani të tjera që marrin energji në tensionin 35 kv duhet të largohen nga ky treg që më 1 korrik. Sipërmarrësit insistojnë në krijimin e një burse. “Çdo vendimmarrje, për të liberalizuar tregjet, është për t’u përshëndetur, është vendimmarrje e duhur. Ajo çfarë ngelet për t’u diskutuar është nëse liberalizimi i tregut është i shoqëruar me masa për krijimin dhe ndërtimin e tregut apo jo. Duhet ndërtimi i një burse për shitblerjen e energjisë”, – thotë Alban Zusi, i cili me profesion është inxhinier elektrik.

Për ta, nëse mungon bursa, atëherë çmimi rrezikon të jetë më i lartë se sot. “Dy kompani të mëdha, edhe mund ta gjejnë lehtësisht energjinë elektrike dhe me çmim të mirë, por kur fillojmë flasim për kompani që furnizohen në tension të mesëm 20 kv, 10 kv dhe 6 kv janë shumë firma të cilave iu duhet patjetër një treg i konsoliduar institucional për të pasur mundësi që të blejnë dhe të negociojnë. Minimalisht duhet të ketë një bursë ku të takohet oferta me kërkesën dhe të jenë të pranishëm blerësit e energjisë me prodhuesit e energjisë”, sqaron Zusi. “Sot furnitorë privatë në Shqipëri të energjisë elektrike janë vetëm HEC-et privatë. Por ata nuk janë gjatë gjithë kohës disponibël, kanë periudha viti ku nuk janë funksionalë, kanë periudha viti ku mund të kenë mbiprodhim, ka periudha që mund të kenë nënprodhim. Atëherë si do të rregullohet kjo marrëdhënie mes prodhuesit dhe blerësit? Nuk ka një linearitet në prodhimtarinë e tij në raport me industrialistët të cilët e kanë të njëjtë ciklin e konsumit të energjisë”, shton ai.

Sot Alban Zusi dhe shumë kompani të tjera që furnizohen në linjat e tensionit të mesëm paguajnë 14 lekë për kWh energji në një kohë që me vendimin e Entit Rregullator të Energjisë, duhet të faturoheshin me 11 lekë për kWh. Për të ky është një abuzim që ka bërë kompania e shpërndarjes së energjisë, e cila nuk ka investuar në kabina në sistemin e shpërndarjes të tensionit të mesëm dhe faturon këtë kategori sikur merr energji në tensionin e ulët. “Ka një situatë absurde të krijuar nga OSHEE. Me vendimin e Entit Rregullator të Energjisë, subjektet që furnizohen në tensionin e mesëm kaluan nga çmimi 9.1 lekë për kWh në çmimin 11 lekë për kWh. OSHEE ka bërë një arsyetim që thotë se duhet të vendoset sistem matje në sistemin e mesëm dhe i faturon të gjithë këto biznese me çmimin 14 lekë për kWh. Një rritje e paligjshme me 27% e çmimit të energjisë elektrike”, thotë ai.

Shumë biznese kanë çuar në gjykatë çështjen kundër OSHEE-së dhe e kanë fituar. Alban Zusi thotë se të njëjtën rrugë ka ndjekur edhe ai dhe tashmë pret përgjigjen e organeve të drejtësisë. Detyrimi për të vendosur kabinat është i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Kostoja e ndërtimit të një kabine është 10 mijë euro. “Kemi bërë disa komunikime me ERE-n dhe OSHEE-në. Disa biznese e kanë dërguar çështjen në gjykatë dhe e kanë fituar, të tjerë janë në proces gjyqësor, përfshirë dhe mua. Është absurde kjo situatë, pasi ERE u jep të drejtë por është po ajo që u thotë që zgjidheni në proces gjyqësor pasi OSHEE-ja është e shurdhër në këtë drejtim. Bizneseve iu duhet që një për një tani të shkojnë në gjykatë e të marrin këtë të drejtë”, shprehet Zusi.

Bizneset janë dakord me hapjen e tregut të lirë, por pa u rregulluar më parë sistemi i matjes, kjo do të jetë e parealizueshme. Ata tremben se do të detyrohen vetë të investojnë në ndërtimin e kabinave elektrike. Por një tjetër argument që sjellin është edhe pjesa e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, të cilat sot i mbulon OSHEE, kush do ta marrë përsipër këtë kosto? “Sistemet e matjes në tensionin e mesëm kushtojnë, nuk janë të lira dhe mund të krijojnë kosto të shtuara për bizneset. Nuk mund ta bëjnë dot bizneset vetë sistemin e matjes apo qoftë edhe rrjetin e energjisë. Do të ishin dhjetëra miliona euro që në harkun kohor të një viti do të dilnin nga duart e biznesit dhe do të shkonin jashtë. Është njësoj si investimi i padrejtë i qytetarëve në depozita uji ose në gjeneratorë të vegjël për të siguruar këto nevoja, në një kohë që këtë shërbim duhet ta bëjë vetë kompania publike”, shton Zusi.

4% e kostos së kompanisë së tij i kanë shpenzimet për energjinë elektrike, por në fabrikat e përpunimit të qumështit dhe produkteve të tjera, konsumi i energjisë kap 12% të buxhetit vjetor të tyre. Tarifat e transmetimit që kanë OSHEE dhe OST janë të larta, në një kohë që hidrocentralet privatë e shesin pa këto tarifa energjinë me çmimin 7.4 lekë për kWh. “Çdo luhatje në çmimin e furnizimit ka një ndikim të drejtpërdrejtë në koston e prodhimit, në çmimin e produktit dhe rrjedhimisht, në koston e jetesës së qytetarëve. Liberalizimi në vetvete i pashoqëruar me një seri masash të tjera të karakterit teknik nuk do t’i shërbejë qëllimit. Përkundrazi do ta rëndojë situatën ekonomike të biznesit, do të rëndojë ngarkesën e ‘cash’-it në treg dhe do ta përkeqësojë klimën e biznesit”, thotë Alban Zusi. Ai tregon se këtë qëndrim, agropërpunuesit do të mbajnë edhe me autoritetet.

—–

Flet Entela Çipa, këshilltare për energjinë në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë

 

Ka hezitim, paqartësi, por jo aq sa të bllokohet dalja në treg të lirë

Ju keni zhvilluar disa takime me bizneset dhe grupet e interesit edhe në kuadër të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Mendoni se janë gati bizneset që furnizohen në linjat 35 kv për të dalë nga tregu dhe për të furnizuar vetë energjinë elektrike?

Në bazë të ligjit, të gjithë konsumatorët që furnizohen në linjën 35 kv duhet të dalin nga tregu që nga data 1 korrik dhe kështu me radhë ata që furnizohen në 20 kv më 1 janar. Në 2017-n duhet të dalin nga furnizimi që u bën OSHEE të gjithë konsumatorët e linjës për tensionin e mesëm. Ne po bëjmë çfarë është e mundur që ta mbështetim me investime, pasi liberalizimi kërkon investime në sistemin e matjes dhe po ashtu dhe në rrjetin e shpërndarjes. Të gjitha këto procese po ecin paralel dhe mendojmë se nuk do të ketë pengesa. Sigurisht, ka hezitim, paqartësi, por jo aq sa të bllokohet dalja e tyre në treg të lirë.

Ky është një proces i lajmëruar, për çfarë janë të paqartë dhe pse hezitojnë?

Është një proces i lajmëruar që para një viti dhe ne në të vërtetë kemi një përvojë. Janë konsumatorët e mëdhenj, të cilët kanë dalë që prej 4 vitesh në tregun e liberalizuar, të cilët operojnë dhe e zgjedhin lirisht furnizuesin e tyre. Tani është numri më i madh me biznese të ndryshme të shtrira në të gjithë Shqipërinë, sigurisht që kanë paqartësitë e veta në momentin që duhet të gjejnë një furnizues dhe të lidhin kontratën me ta. Por furnizimi i tyre është i garantuar sepse aksesi në rrjetin e shpërndarjes garantohet. Në çdo moment ligji parashikon se, në rast se nuk mund të gjejnë furnizuesin privat, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duhet të garantojë furnizimin e tyre me energji për një periudhë të caktuar. Nuk mund të bëjmë shkëputjen direkt nga shërbimi, pasi ata janë konsumatorë të rëndësishëm që nuk duhet t’u mungojë energjia për asnjë moment.

Sa kompani dalin nga tregu te linja e tensionit 35 kv?

Janë 82 kompani. Kemi disa probleme teknike se ka kompani që janë të lidhura direkt në fider dhe nga ato që nuk janë të lidhur aty. Janë 82 firma që tashmë duhet të dalin nga tregu. Nga rregullorja e miratuar është garantuar ndërrimi i furnizuesit pa kosto shtesë me një afat të caktuar. Janë të gjitha gati që bërja e kërkesës pranë OSHEE-së të këtij konsumatori deri te kalimi i tij te furnizuesi tjetër.

A ka kompani publike brenda këtij numri?

Ka disa kompani publike që edhe ato duhet ta sigurojnë vetë energjinë elektrike. Janë bizneset e mëdha. Më vonë janë ato ndërmarrje që ndodhen larg zonave të banuara, kryesisht bizneset që operojnë përgjatë autostradës Tiranë – Durrës. Këto firma buzë rrugëve nacionale janë të lidhura në 20 kv dhe duhet të bëhen gati të dalin në janar të 2017-s. Deri në fund të vitit që vjen, numri total i ndërmarrjeve që dalin arrin në 6200. Në këtë shërbim publik do të mbeten vetëm bizneset e vogla dhe konsumatorët familjarë të lidhur në tensionin e ulët.

Tarifat e aksesit në energji për Shqipërinë janë më të larta se rajoni. A rrezikohet shtrenjtimi i kostove të biznesit për shërbimin e energjisë elektrike?

Po punohet paralelisht. Mbështetja në investime në sistemin e matjes dhe në rrjetin e shpërndarjes po bëjnë të mundur daljen fizike të tyre në hapin e parë dhe nga aplikimet e kompanive do të shqyrtohen kostot përkatëse sipas nivelit të tensionit. Kostot janë më të larta se rajoni, këtë duhet ta pranojmë, pasi ka pasur kosto të mëdha ky rrjet shpërndarjeje, humbjet e mëdha dhe investimet që duhet të përballojë. Nga njëra anë, liberalizimi duhet të ketë një infrastrukturë të tërë që nga rrjeti e sistemi i matjes e nga ana tjetër, duhet të garantojë edhe tarifën e aksesit. Tarifa duhet të mbulojë edhe këto investime që janë të nevojshme. Por prodhuesit privatë të energjisë shumë mirë mund të ndihmohen nga ky proces dhe t’ia shesin energjinë kësaj kategorie biznesi. Kështu krijohet një treg dhe përfitojnë edhe ata që prodhojnë energji hidro te ne. Por tregu, edhe sipas parashikimeve në Europë mendohet të jetë i lirë dhe prandaj nuk besojmë se do të preken shumë.

Çfarë sjell të re ligji për energjinë e rinovueshme?

Deri tani kemi bërë dy takime me grupet e interesit, njërin përpara se të niste hartimi i këtij ligji të ri dhe tjetrin tani që kemi një draft gati. Ky është një ligj që ka interes të madh për prodhuesit e energjisë elektrike. Në këtë ligj parashikohet një skemë e re mbështetëse për prodhuesit e energjisë që do të hyjnë në këtë treg. Për prodhuesit ekzistues, të cilët aktualisht përfitojnë nga kontratat për shitblerjen e energjisë elektrike, regjimi i tyre juridik nuk ndryshon, kontrata do të respektohet për afatin që kanë të përcaktuar aty, po ashtu edhe gjithë sasia e energjisë që do të vijojë të blihet tek ata, por kemi parashikuar që blerësi i energjisë elektrike nuk do të jetë më KESH, i cili në bazë të ligjit të ri të energjisë elektrike ka funksionin e tij si prodhues, dhe do të çlirohet nga detyrimet për blerjen e energjisë. Debati më i madh është çmimi me prodhuesit e energjisë. Cila do të jetë formula që kjo energji do të blihet… Por ky ligj nuk parashikon vetëm pjesën e energjisë së rinovueshme për prodhuesit ekzistues, por parashikon një skemë të re në përputhje me direktivën për burimet e reja të energjisë së rinovueshme. Në bazë të këtij plani, ne kemi parashikuar blerje energjie për prodhuesit e tjerë, për fotovoltaikët dhe për prodhimin me erë të energjisë elektrike. Këtu parashikohen procedura më të gjera se si do të bëhet blerja e energjisë e garantuar për këtë pjesë të prodhuesve, ashtu edhe për hidrocentralet nga burimet hidrike, përveç kontratave ekzistuese. Pra mund të themi që ligji ndahet në dy pjesë, trajton pjesën e kontratave ekzistuese dhe pastaj fushën se si do të veprojmë pas hyrjes në fuqi të tij.

Skemat mbështetëse do të jenë për burimet alternative të energjisë apo edhe energjinë hidro?

Kontratat ekzistuese do të vazhdojnë me një tarifë mbështetëse sipas kohëzgjatjes së afatit të kontratave që kanë lidhur dhe pjesa e re për burimet me erë, fotovoltaike por dhe hidrike. Për kontratat ekzistuese do të ketë një çmim administrativ të përcaktuar. Ai do të përcaktohet në bazë të kritereve që do të vendosen në ligj me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa për operatorët e rinj është një procedurë ankandi dhe shpërblimi i tyre do të bëhet mbi bazë të një modeli tërësisht të ri, kontrata për diferencë quhen. Do të vendosim një çmim tavan me hyrjen e tyre në bursën e energjisë ose në tregun e lirë që ata mund ta shesin, shteti do të kompensojë diferencën që del nga çmimi i paracaktuar me çmimin e bursës.

Revista Monitor,  27.06.2016