Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

IFC mbështet Shqipërinë në sigurinë e energjisë

IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë e Republikës së Shqipërisë nënshkruan një Memorandum Mirekuptimi që do të ndihmojë në krijimin e Burses Shqiptare te Energjise dhe do të sigurojë një lidhje më të mirë të tregut te brendshem te energjise me vendet e tjera në Evropë.

Sipas marrëveshjes IFC-ja do të këshillojë Qeverinë Shqiptare për krijimin e Burses e Energjisë Elektrike të Ditës në Avancë. Kjo bursë do të jetë vendi kryesor për tregtimin e energjisë, e cila do t’i japë mundësi Shqipërisë të blejë dhe të shesë lehtësisht dhe në një kohë të shkurtër energji tek vendet fqinje. Bursa e Energjisë Elektrike të Ditës në Avancë do të ndihmojë në nxitjen e integrimit të rrjetit energjetik të Shqipërisë me pjesën tjetër të Evropës, përfshirë edhe Kosovën. Ajo gjithashtu do të ndikojë në rritjen e transparencës së çmimeve dhe do të përmirësojë klimën e investimeve për projekte të reja në fushën e energjisë.

“Shqipëria është e angazhuar për liberalizimin e tregut të saj të energjisë, dhe për këtë ne kemi miratuar së fundmi Ligjin e Ri të Energjisë,” tha Ilir Bejtja, zv.ministër i Energjisë dhe Industrisë. “Krijimi i Bursës së Energjisë Elektrike të Ditës në Avancë është një hap i rëndësishëm në këtë proces.”

Shqipëria është vend kandidat për Bashkimin Evropian dhe së fundmi ajo është bërë pjesë e Komunitetit të Energjisë, një organizatë shumëkombëshe që bashkon Bashkimin Evropian dhe vendet e tjera të Ballkanit.

“IFC-ja po mbështet krijimin e Bursës së Energjisë Elektrike të Ditës në Avancë në Shqipëri nëpërmjet shërbimit të saj këshillimor të kombinuar me atë të investimeve” tha Thomas Lubeck, Menaxher i IFC-së për Ballkanin Perëndimor. “Ne do të punojmë me partnerët tanë për krijimin e Bursës së Energjisë Elektrike të Ditës në Avancë, nga e cila do të përfitojnë prodhuesit, tregëtuesit e energjisë elektrike dhe klientët në Shqipëri.”

Ky projekt zbatohet nga Departamenti i Shërbimit Këshillimor për Partneritete Publike dhe Private të IFC-së, e mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

Shqipëria u bë anëtare e IFC-së në vitin 1991. Që nga ai vit e deri më sot, investimet e IFC-së në Shqipëri arrijnë shumën 762.3 milionë dollarë amerikanë, nga e cila 279 milionë dollarë janë të mobilizuara nga partnerët tanë, në 24 projekte në sektorë të ndryshëm. Përveç kësaj, IFC-ja ka mbështetur lëvizjet tregtare me një kredi rreth 6 milionë dollarë nëpërmjet programit të IFC-së për financimin e tregtisë.

Aktualisht, portofoli i investimeve së IFC-së në Shqipëri është 187 milionë dollarë. Programi i Shërbimit Këshillimor i ofruar nga IFC-ja, si dhe në partneritet me Bankën Botërore, synon të përmirësojë klimën e investimeve, performancën e shoqërive të sektorit privat, qasjen në financime, dhe tërheqjen e pjesëmarrjes së sektorit privat në zhvillimin e projekteve të infrastrukturës.

energjia.al  23.06.2016