Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE u rikthen dritën fshatrave të harruar

Qytetarët e Burrelit dhe të qyteteve që përfshihen në këtë rajon (Burrel, Peshkopi, Bulqizë, Mirditë dhe

Laç) janë pajisur tashmë të gjithë me matësa të energjisë elektrike, duke i dhënë fund faturimit aforfe, i cili prej dekadash ishte mënyra e vetme e pagesës së energjisë elektrike. Ky projekt i përfunduar me sukses nuk do të lejojë asnjë abonent të konsumojë energjinë elektrike, pa paguar detyrimin që i takon.

Investimet e OSHEE të realizuara për herë të parë pas 40 vjetësh, në fshatrat e kësaj zone, si dhe ato që priten të përfundojnë këtë vit dhe në vijim kanë rikthyer furnizimin e rregullt dhe me cilësi të energjisë elektrike, i cili mungonte përgjatë gjithë kësaj periudhe.

Kryeministri Edi Rama, Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri drejtuesi i OSHEE Çela ishin sot në Bulqizë për t’u njohur në terren me projektin e vënë në funksionim dhe ato që priten për t’u realizuar së shpejti.

Një investim i rëndësishëm i OSHEE me vlerë 150 milion lekë të reja është ai që përfshin qytet Bulqizë, Burrel, Shupenz, Maqellarë për rinovimin dhe ndërtimin e 64 kabinave të reja, zëvendësimin e linjave ajrore prej alumini, burim defektesh të rënda, me rrjet kabllor ABC, – investim për të cilin Administratori i Përgjithshëm i OSHEE Ardian Çela, – u shpreh se do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e shërbimit për të gjithë këto zona, duke ulur dukshëm humbjet.

Ai informoi ndër të tjera se në fshatin Ostren i Vogël ku janë 140 abonentë, falë pajisjes me matësa  do të marrë  fund faturimi aforfe, i cili vazhdon prej 25 vitesh, fakt të cilin e dëshmoi edhe një banor i zonës. “Kemi 25 vjet që nuk kemi patur matësa andej nga anwt tona nga Ostreni. Pas 25 vjetësh u bë e mundur që të kemi drita.”, – u shpreh ai.

Me investimin prej 5 milion lekësh të realizuar nga OSHEE në linjën e shpërndarjes, 25 familjet e fshatit Gjinovec furnizohen me energji elektrike pas 15 vitesh. Ndërsa 15 familjet e fshatit Val-Martanesh të cilët vuanin nga mungesa e energjisë elektrike prej 17 vitesh, përfituan një investim prej 14 milion lekësh, që i riktheu ata në një situatë normale të furnizimit me energji. “Ky investim që po inspektojmë është me vlerë rreth 180 milion lekë të reja, po rinovojmë dhe ndërtojmë rreth 64 kabina të reja. Përmirësohet ndjeshëm cilësia e shërbimit, tensionet dhe ulen ndjeshëm humbjet. Në 2013, 14 milion lekë të reja investime, 44 milion në 2015. Në tre fshatra që kishin mungesë energjie prej 15 vjetësh, përfundojnë investimet. Sot përfundoi vendosja e matësave që është tjetër lajm pozitiv, në të gjithë drejtorinë rajonale Burrel. Nuk ka më asnjë abonent pa matës. “ u shpreh Çela.

Ministri Energjisë Damian Gjiknuri theksoi se situata që po reflektohet pas investimeve të bëra në sektorin e energjisë është  produkt i reformës së ndërmarrë nga qeveria.

Teksa e cilësoi një transformim epokal, gjithçka që po ndodh në sektorin e energjisë, Kryeministri Edi Rama theksoi angazhimin e qeverisë për të mos toleruar asnjë abuzim me energjinë elektrike, siç mund të jetë ai i mospranimit apo keqpërdorimit të matësit elektrik. “Ne jemi të angazhuar që t’i japim fund aforfesë. Jemi të angazhuar të çojmë matësin në çdo shtëpi dhe biznes që konsumon energji elektrike Por ta kenë të qartë të gjithë ata që kujtojnë se duke thyer matësin do ti shpëtojnë rregullit të përgjithshëm se kush thyen matësin nuk ka për të marrë energji elektrike nga 1 korriku dhe kush nuk pranon matësin , nuk do të marrë energji elektrike nga 1 korriku. Matësat janë pjesë e investimit të përbashkët. Paguhen me paratë e kontributeve të përbashkëta dhe janë domosdoshmëri, e para për të mos rënduar njerëzit me fatura aforfe dhe secili të paguajë atë që konsumon. E dyta për ti dhënë fund dhe për ti vënë pikë historisë që dikush paguan dhe dikush nuk paguan. Kjo histori për ne i takon të kaluarës. Kush do që të jetojë me të kaluarën , do të jetojë në errësirë, nuk do të ketë drita.”

energjia.al  22.06.2016